Ja kriteret, procedurat dhe dokumentacioni i nevojshëm i aplikimit për të përfituar pagesën e aftësisë së kufizuar

327
Sigal

Ja kriteret dhe procedurat për përfitimin e pagesës së aftësisë së kufizuar

Pagesë për shkak të aftësisë së kufizuar kanë të drejtë të përfitojnë të gjithë personat të cilëve u është kufizuar aftësia si pasojë e dëmtimeve fizike, shqisore, të intelektit, psikike/mendore, të lindura apo të fituara gjatë jetës nga aksidente, sëmundje të përkohshme apo të përhershme, por që nuk vijnë nga shkaqe që lidhen me punësimin.

Vlerësimi i gjendjes mjekësore të këtyre personave bëhet nga Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP), i cili është i ngritur dhe funksionon pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore, ku pjesë e këtij komisioni është edhe mjeku punonjës i Shërbimit Social Shtetëror.

Personat paraplegjikë e tetraplegjikë të cilët deklarohen me vendim të Komisionit Mjekësor të Përcaktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP) se janë bërë të tillë, pavarësisht nga shkaku dhe mosha, përfitojnë pagesë për shkak të aftësisë së kufizuar. Invalidët paraplegjikë dhe tetraplegjikë  pajisen me dëshmi zyrtare identifikimi. Kriteret e dhënies së dëshmisë dhe forma e saj, përcaktohen në rregulloren e Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe të Shërbimit Social Shtetëror.

Po sipas kushteve të përcaktuara në ligj, personat me aftësi të kufizuara, të cilët me vendim të komisioneve mjekësore të caktimit të aftësisë për punë përcaktohen se kanë nevojë për përkujdesje, mund të përfitojnë edhe një kujdestar me pagesë.

Aplikimi për pagesën e aftësisë së kufizuar

Personat që kërkojnë të komisionohen për vlerësimin e aftësisë së kufizuar, duhet të paraqesin në seksionet e ndihmës dhe të përkujdesjes shoqërore të bashkisë apo komunës ku kanë vendbanimin dosjen e dokumenteve të përcaktuara. Konkretisht në këtë dosje duhet të përfshini këto dokumente: “Certifikatën e gjendjes familjare, certifikatën personale me fotografi, vendimin e mëparshëm të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP), i cili vërteton shkallën e aftësisë së kufizuar të personit, fletëdrejtimin për në komision kur personi vlerësohet për herë të parë, si dhe epikrizën përcjellëse sa herë rikomisionohet”.

Për personat aftësi të kufizuara për të cilët komisioni mjekësor vlerëson se ka nevojë për përkujdesje përveç dokumentacionit të përmendur më lart, në dosje duhet që të shtojnë edhe certifikatën personale me fotografi të personit kujdestar, deklaratënapo vendimin gjyqësor për kujdestarin e zgjedhur nga personi me aftësi të kufizuara, si dhe raportin mjeko-ligjor që vërteton se kujdestari është i aftë, fizikisht dhe mendërisht.

Përveç dokumentacionit të përcaktuar për personat që kërkojnë të komisionohen për vlerësimin e aftësisë së kufizuar personat të cilët ndjekin shkollën e mesme apo shkollën e lartë, me apo pa shkëputje nga puna, në dosje duhet të shtojnë edhe këto dokumente shtesë: Vërtetimin e nënshkruar nga titullari dhe sekretari i shkollës, ku të shënohen emri i personit, që ndjek shkollën, lloji i arsimit që ndjek, ku përcaktohet nëse është cikël shkollor normal ose i përsëritur, vitin shkollor, vërtetimin e nënshkruar nga titullari dhe sekretari i shkollës për frekuentimin e shkollës nga personi përfitues (çdo tre muaj), si dhe kopjen e noterizuar të dëftesës shkollore të çdo viti dhe kopjen e noterizuar të diplomës në mbarim të shkollës së mesme apo të lartë, kopje të dëshmive të kurseve të kualifikimit, si dhe vërtetimin se ka shlyer detyrimet për çdo sezon për shkollën e lartë pa shkëputje nga puna.

Lidhur me përfitimin e pagesës së aftësisë së kufizuar nga personat që kalojnë për herë të parë në komisionim, autoritetet e Shërbimeve Sociale Shtetërore sqarojnë se atyre u lind e drejta e përfitimit të pagesës 2 muaj pas marrjes së vendimit në komision.

Përfitues të pagesës për aftësinë e kufizuar janë:

Personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë, të cilët deklarohen me vendim të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë se janë bërë të tillë, pavarësisht nga shkaku dhe mosha.
Personat me aftësi të kufizuar, të cilët deklarohen të paaftë për punë me vendim të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë, si dhe personat e paaftë për punë, sipas Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë, të cilët nuk plotësojnë kushtet ligjore për përfitim të pensionit të invaliditetit të punës sipas ligjit të sigurimeve shoqërore në Republikën e Shqipërisë.
Personat me aftësi të kufizuar, të deklaruar të tillë me vendim të Komisionit Shumëdisiplinor të Vlerësimit të Aftësisë së Kufizuar.
Personat, të cilët janë deklaruar invalidë pune me vendim të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë, që përfitojnë pension invaliditeti dhe shtesë mujore mbi të, sipas Statusit të Invalidit të Punës.
Invalidët e punës, të cilët kanë qenë të punësuar në ndërmarrjet, në institucionet shtetërore, ish-kooperativat bujqësore, repartet ushtarake, si dhe ushtarët e shërbimit të detyrueshëm, që vuajnë nga sëmundje profesionale a janë aksidentuar në punë apo kanë sëmundje të ndryshme, e që marrin pension invaliditeti, në mbështetje të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, ose të ligjit nr.4976, datë 29.6.1972 “Për pensionin e ish-anëtarëve të kooperativave bujqësore”, të ndryshuar, përfitojnë një shtesë mujore mbi pensionin e invaliditetit, si përfitim paaftësie, nga fondi i pagesës së personave me aftësi të kufizuar.

Dokumentacioni i nevojshëm:

Certifikatën e gjendjes familjare.
Certifikatën personale me fotografi.
Vendimin e mëparshëm të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP), i cili vërteton shkallën e aftësisë së kufizuar të personit.
Fletëdrejtimin për në KMCAP, kur personi komisionohet për herë të parë.
Epikrizën përcjellëse, sa herë rikomisionohet.
Certifikatën personale, me fotografi, të personit kujdestar.
Deklaratën/vendimin gjyqësor, për kujdestarin e zgjedhur nga personi me aftësi të kufizuara.
Raportin mjeko-ligjor, që vërteton se kujdestari është i aftë, fizikisht dhe mendërisht.
Për ata që ndjekin shkollën e mesme apo të lartë kërkohen vërtetimet përkatëse nga titullarët e shkollës dhe fakultetit.