Izet Çulli: Qumështi me kimikate dhe malli për produktin BIO!

653
Sigal

Ushqimet që konsumojmë…

Izet S.Çulli

Titulli i këtij shkrimi vëzhgues u mor nga një tematikë e hedhur këto ditë nga një kanal televiziv në ato bashkëbisedat me dëgjuesit që zhvillohen zakonisht në mëngjes herët, mbas leximit të gazetave. Për një problem të tillë kaq me rëndësi kam shkruar edhe herë të tjera në shtypin e përditshëm, mbasi ushqimi dhe ushyerja ndikojnë drejtpërdrejt apo tërthorazi në jetën dhe shëndetësimin e gjithësecilit prej nesh. Po si mjek, profesion apo mision që ushtrova për 50 vjet rresht, vitet e fundit edhe mua më ka rënë në sy shtimi vrapthi i mjaft sëmundjeve serioze e jo rrallë jetëkërcënuese, siç janë ato malinje. Dikush mund të thotë se kur është fjala për Tiranën, këto patologji janë shtuar, sepse është rritur shumëfish numri i banorëve të kryeqytetit(!) Po këta mendjengushtë a trumykur( i quani si të doni), harrojnë se sëmundjet e mësipërme, në çdo skaj të vendit që shfaqeshin, dërgoheshin për trajtim në Tiranë. Shërbimi onkologjik më vete u përqendrua këtu, në një godinë të veçantë në mesvitet ’60 të shekullit të kaluar. Këtu në lagjen tonë tek ish-Parku i autobusave, ku zakonisht gazetashitësit Luli e Vangjeli, u shërbejnë me mirësjellje qytetarëve,lindin edhe diskutime për problemet e ditës. Njëri fliste për mishin, për produktet e qumështit dhe fruta-perimet, të cilat shiten në kushte higjienio-shëndetësore të papërshtatshme. Dikush u shpreh hidhtas: “Më thoni ku janë, pra ku ndodhen gjithë ato ferma blegtorale që na furnizojnë me mish gjedhesh apo bagëtish të imta?” Tjetri: “Po qumështi nga rrjedh ashtu pandërprerë dimër-verë dhe si është cilësia apo origjinaliteti i natyrshëm i tij? Më tej njëri u nxeh paksa: “Kush i ka vizituar ndërmarrje të tilla me mall vendi e i ka përgëzuar për punën e madhe që thonë se bëjnë sipas reklamave plot bombastizëm të çuditshëm?” Mua më tronditi fakti që kur shkova këto ditë në Progonat të Labërisë, kur ndjeva aromën e vërtetë të qumështit të deleve. Të them të drejtën e kisha harruar shijen erëmirë e të trëndelintë të tij prej vitesh…Në një gazetë, vite më parë një gazetar “trazoi” qetësinë e ministrit përkatës për një nënprodukt blegtoral(se mos prodhimet bujqësore janë më mirë!?) jashtë standardit. Mbas dy ditësh(!) doli në mediat e ndryshme vetë shefi i dikasterit të Bujqësisë dhe i ushqimit duke na këshilluar se mund ta konsumonim pa frikë atë produkt të kritikuar nga shtypi, mbasi ekzaminimet e kryera dolën brenda parametrave të pranuara nga Bashkimi Europian! Po kur i kishte kryer ai kaq shpejt ato ekzaminimet organoleptike, toksikologjike e bakteriologjike? Kjo ishte demagogjia dhe me siguri korrupsioni shoqërues i radhës i të tillë delendisësve të pashoq… Çfarë ministri mund t’i themi këtij, që kur u kthye në opozitë kritikonte me ashpërsi e me një ton mburraveci në drejtim të mangësive të sotme, kohë kur s’ishte më drejtues i atij niveli, veçse dokrraxhi!? Duhet theksuar, madje ulëritur, që shteti me strukturat e tij të shumta të kryejë detyrën në çdo kohë për një problem të tillë kaq jetik. Fushatat dhe emisionet e shkëputura nëpër mediat e ndryshme, vetëm e ndjeshmërojnë çështjen në fjalë, por nuk e zgjidhin aspak atë dhe aq më pak me deklarata… Nuk duhet harruar thënia e mirënjohur se ne jemi çfarë hamë. Absolutisht duhet të ndërgjegjësohemi për një fitim të pameritueshëm e gjithaq të urishëm për të, si Harpagonë në dëm të shëndetit (pa të cilin jeta paket e errësohet).Ndal! Save our souls(SOS)- çka do të thotë: Shpëtoni shpirtrat tanë. U dashka futur kjo thirrmë kushtrimore në çdo celulë të jetës e jo vetëm në urgjencat detare e gjetkë. Të dimë të hamë, të dimë të ushqehemi, ndonëse realiteti përditësor është krejt ndryshe. Po kjo s’varet gjithmonë nga ne…