Institucioni kombëtar i auditimit dhe besimi i publikut

3599
Sigal

Qeram CIBAKU

Auditues i Lartë,

Kontrolli i Lartë i Shtetit

  1. Filozofia e re e KLSH: Audit në funksion të nevojave të shoqërisë

Këto vitet e fundit, fokusi i auditimeve të KLSH-së nuk ka ndjekur kornizën a stereotipin klasik të “auditimeve financiare” (ku certifikohen llogaritë e institucioneve mbi besnikërinë ndaj kritereve dha parimeve të kontabilitetit), apo vlerësimeve për rregullshmërinë në zbatimin e ligjeve dhe legjislacionit nga ana e subjekteve dhe agjencive shtetërore, (të njohura si “auditime të përputhshmërisë”). Në fakt, janë alternuar dhe kombinuar mbikëqyrja e financave shtetërore dhe dhënia e opinionit mbi deklaratat financiare vjetore, me vlerësimin rreth pajtueshmërisë së veprimtarisë së tyre sipas dispozitivit rregullativ në fuqi.

Mbi këtë bazë, nëpërmjet planifikimit dhe kryerjes së angazhimeve audituese në institucionet, agjencitë, sektorët dhe entet publike me risk të lartë të mashtrimit dhe korrupsionit; dhënies së rekomandimeve konkrete për fusha, drejtime, politika, programe, procedura e kontrolle që duhen korrigjuar, reformuar, plotësuar a përmirësuar, i është shërbyer në mënyrë të drejtpërdrejtë qytetarit dhe nxitjes së llogaridhënies së zyrtarëve që përdorojnë fondet dhe paratë publike. Pra, i është shërbyes kauzës së Kongresit të X të EUROSAI-t (Turqi, 22-25 maj 2017), i cili, në analizën rreth avancimit dhe evoluimit të rolit të institucioneve kombëtare të auditimit të jashtëm, në kuadër të agjendës së OKB-së mbi Qëllimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm, konsideroi si objektiv të ditës avancimin e këtij roli “për t’iu përgjigjur nevojave të reja të shoqërisë në mënyrë më të mirë”. Për të ilustruar praktikisht dobinë dhe rolin e institucionit të KLSH për jetën e qytetarëve, (kjo falë dhe ndjeshmërisë së institucionit mbi reagimin publik e mediatik), jemi mjaftuar vetëm me një aspekt të analizës: vëmendjen e posaçme që KLSH tregoi mbi vlerësimin e sistemit të rekrutimeve e karrierës në arsimin parauniversitar si dhe funksionimin e platformës digjitale “Mësues për Shqipërinë”. Që në krye të herës duhet thënë se, ka shumë arsye për këtë vëmendje të shtuar të KLSH ndaj arsimit dhe mësuesit, sepse shoqëritë e civilizuara nuk e kthejnë vështrimin mbi mësuesin vetëm kur kremtohet dita e mësuesit… Aksioma i pranon mësuesit si edukatorë të paepur e të pakursyer, që manifestojnë zotësi e kompetenca psiko-pedagogjike të mirëfillta dhe që ndikojnë të tjerët të avancojnë dhe fitojnë njohuritë shkencore, kompetenca profesionale të spikatura dhe vlera humane e qytetare, (sikundër Kadareja, thotë gjithçka për mësuesen përmes pak rreshtave të poezisë së tij, “Ata të urtat gjer në dhembje/Të thjeshta gjer në madhështi”).

Në analizën e mëposhtme, duam të sjellim në mënyrë të sintetizuar para syve të publikut, jo vetëm të gjeturat e konstatuara nga auditimet mbi aspektet e funksionimit, performancën dhe dobësitë në aplikimin në praktikën e përditshme të portalit të punësimit “Mësues për Shqipërinë”, por edhe kontributet e KLSH në përmirësimin e këtij sistemi rekrutimi e punësimi, për ta bërë sistemin më eficent dhe më të lehtë në përdorim, duke shmangur kurthet e procedurave.

  1. Portali “Mësues për Shqipërinë” në skanerin e auditimit të KLSH

Në ditët e sotme, platformat dhe portalet digjitale të punësimit janë kthyer gati-gati në “një modë”. Përveç portalit të punësimit të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, (që funksionon mbi bazën e Vendimit të Këshillit të Ministrave), janë lancuar dhe disa portale të tjera që rregullohen me udhëzime të Ministrave sipas fushës së përgjegjësisë shtetërore që mbulojnë, të tilla si “Infermierë për Shqipërinë”, “Mësues për Shqipërinë”, etj., Qëllimi i deklaruar si lajtmotiv i këtyre portaleve lidhet me meritën në rekrutim, duke inkurajuar një standard dhe kulturë të re në burimet njerëzore dhe duke promovuar më të aftët e më të kualifikuarit.

Slogani: Punë ka, por s’ka profesionistë / (apo portale ka, por sa punësohen prej tyre?!)

Nga analizat e kryera për një nga institucionet më të rëndësishme të administrimit të veprimtarisë arsimore vendore në kryeqytet, janë testuar nga auditimi dhe kanë rezultuar tregues të ulët të performancës nga rekrutimet përmes garës konkurruese të portalit të punësimit. Më konkretisht, në Portalin “Mësues për Shqipërinë” për rastin e analizuar nga auditimi i KLSH, në konkurrimet 2015-2016 dhe 2016-2017 kanë marrë pjesë 587 aplikantë gjithsej dhe janë sistemuar në vende vakante definitive 98 kandidatë, ndërsa në pozicione provizore 49 kandidatë. Pra, konstatohet se, vetëm 16,6 % e kandidatëve që kanë konkurruar nëpërmjet këtyre dy portaleve, janë sistemuar me kontratë punësimi definitive, (ose vetëm 25 % janë punësuar nga pozicioni definitiv dhe zëvendësues). Nga ana tjetër, në subjektin e audituar, për periudhën janar-dhjetor 2016 rezultojnë 31 punonjës, nga të cilët, 17 prej tyre janë pa arsimin përkatës dhe 14 janë mësues jashtë profili.

Referuar të dhënave në tabelën e përgjithshme të renditjes së kandidatëve pjesëmarrës në portale, u evidentua se numrin më të lartë të kandidatëve të punësuar, e përbëjnë ato të profilit Arsimi Fillor, Gjuha Angleze, Matematikë etj. Mirëpo, asnjëri nga kandidatët e profileve Shkenca Shoqërore, Gjuha Frënge, Gjuha Gjermane, Gjuha Italiane, (të listuar në portalin 2015-2016) dhe kandidatët e profileve Gjeografi, TIK, Edukim Muzikor e Shkenca Shoqërore (të portalit 2016-2017), nuk ka arritur të emërohet nëpërmjet njësisë arsimore vendore.

Sa më sipër, bazuar dhe në këto indikatorë të matjes së performancës, duhet ende shumë kohë që të arrihen synimet dhe pritshmëritë e nismës së portalit, në bazë të së cilit,”kjo nismë do të krijojë mundësi për të rinjtë, të cilëve do t’u ofrohen mundësi reale punësimi dhe përfitimi të eksperiencave pozitive në drejtim të mësimdhënies”, sikundër synohet nga ligji nr. 69/2012, datë 21.06.2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar dhe Udhëzimi i MAS-it nr. 38, datë 06.10.2015 “Për procedurat e lëvizjes paralele, emërimit dhe largimit nga puna të mësuesit në institucionet arsimore publike të sistemit arsimor parauniversitar”. KLSH ka vlerësuar reformat në arsimin parauniversitar, kontributet e Ministres së MASR znj.Lindita Nikolla si dhe ka propozuar që nga ministria e linjës të ndërmerret një paketë masash dhe të përsosen mekanizmat, për të nxitur jo vetëm pjesëmarrjen e mësuesve apo të rinjve të diplomuar në procesin e konkurrimit në portalin e punësimit “Mësues për Shqipërinë”, por edhe të krijohen shanset dhe mundësinë reale të punësimit të tyre. Në këtë mënyrë, kjo iniciativë mund të ndikojë në përmirësimin e cilësisë në arsim në komunitetet në nevojë si dhe në ndryshimin e mentalitetit të kërkuesve të punës në arsim. KLSH i ka rekomanduar Ministrisë së Arsimit, Sporteve dhe Rinisë që të rishikojë dhe përmirësojë Udhëzimin nr. 38, datë 06.10.2015 “Për procedurat e lëvizjes paralele, emërimit dhe largimit nga puna të mësuesit në institucionet arsimore publike të sistemit arsimor parauniversitar”, në lidhje me aspektet e mëposhtme:

  • Të korrigjohet Udhëzimi, duke përcaktuar që gjithë dokumentacioni i duhur për konkurrimin të jetë origjinal ose fotokopje të noterizuara, pasi përdorimi i dokumentacionit të fotokopjuar e të pa noterizuar (si deri me tani), krijon hapësira për parregullsi, shkelje dhe veprime abuzive.
  • Të qartësohen procedurat e renditjes së kandidatëve konkurrues të një profili në portal, kur kandidatët rezultojnë me totalin e përgjithshëm të pikëve të barabarta, si dhe të përmirësohet e rregullohen mënyrat e njoftimit dhe të konfirmimit nga ana e kandidatëve, pasi shumë prej tyre banojnë në rrethe dhe mbeten jashtë skemës së njoftimeve.
  • Të plotësohet udhëzimi dhe për nevoja të arsyetuara (që duhen detajuar në udhëzim), të lejohet kryerja e lëvizjeve paralele dhe gjatë vitit, kur nevojat e shkollave e bëjnë këtë transferim të nevojshëm. Pra, lëvizjet paralele të bëhen dhe gjatë vitit, aq më tepër që, në muajin gusht që është afati përfundimtar sipas udhëzimit, nuk kanë përfunduar regjistrimet e nxënësve dhe balancimi i numrit të klasave dhe mësuesve, etj.

 

  • Të marrësh “NË APEL” qeverisjen dhe të fitosh besimin e publikut

 Motoja e INTOSAI-t është se institucionet kombëtare të auditimit duhet të udhëheqin proceset e auditimit në gjithë sektorin publik dhe të ndikojnë në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve të vendeve të tyre. Pavarësisht mënyrës se si KLSH është shikuar nga qeveritë (ata e kanë konsideruar auditimin si “një e keqe e domosdoshme” apo si “një barrë shpenzimi”), ky institucion ka përmbushur në mënyrë korrekte përgjegjësitë e tij ligjore e kushtetuese. KLSH është institucion i shërbimit publik, që realizon detyrimet kushtetuese në pozitat rigoroze kundrejt qeverisë/qeverive të radhës, duke u “mbajtur lëkurën e ujkut para syve” gjithë zyrtarëve që janë të prirur nga keqmenaxhimi dhe shpërdorimi financiar, material, monetar a buxhetor. Ndaj ky institucion, që “merr në apel” qeverisjen shtetërore (jo vetëm Qeverinë!) dhe administrimin e kuletës së shtetit, ka fituar besimin e publikut, meqenëse ka vendosur dhe zbatuar standarde dhe ka krijuar një profil të performancës përmes shembullit dhe nxitjes së llogaridhënies dhe transparencës nga autoritetet dhe zyrtarët e shtetit. Konsolidimi i këtij profili është mundësuar përmes përgatitjes së raporteve të besueshme dhe rekomandimeve që adresojnë zgjidhje praktike për Kuvendin, organet e qeverisjes se përgjithshme në nivel qendror e vendor, etj. Konkluzionet e angazhimeve audituese janë jo vetëm zgjidhje racionale për më të mirën duke vlerësuar raportet kosto/përfitim, por edhe një mundësi për të vënë në lëvizje mekanizmat e administratës dhe përmirësuar shërbimin ndaj qytetarit dhe mirëqeverisjen. Kjo vlerë publike me mjaft dobi, ndikon për të kuruar defektet dhe pikat e dobëta të sistemeve, nënsistemeve dhe fushave të llogarisë, si dhe për të parandaluar abuzimin, mashtrimin, dëmet financiare dhe korrupsionin e çdo niveli. Vetëm në auditimin e zhvilluar në një nga njësitë arsimore vendore, institucioni kombëtar i auditimit i ka rekomanduar Ministrit të Arsimit,Sporteve dhe Rinisë një paketë propozimesh që i kontribuojnë përmirësimeve të legjislacionit dhe plotësimit të dispozitave dhe akteve nënligjore në fuqi, duke u ofruar si aleat i afërt i aspiratave të qytetarëve që kanë varur shpresat e tyre të punësimit tek drejtësia e portaleve.

Ky kombinim i shërbesës shtetërore me perceptimin dhe besimin publik u rikonfirmua edhe nga rezultatet e sondazhit të realizuar nga koordinimi i Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin (PNUD) dhe Institutit për Demokraci e Ndërmjetësimi (IDM) për vitin 2017, rezultate të lancuara e të bëra publike pak ditë më parë. Referuar raportit[1], KLSH si aleat i i aspiratave të qytetarëve dhe denoncues i abuzimit rankohet në top-listën e institucioneve më të vlerësuara nga qytetarët dhe publiku, sepse ka manifestuar në sytë e opinionit publik një rol të perceptuar prej 67 % në rritjen e përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies së Qeverisë dhe qeverisjes, (duke shënuar një rritje prej 6 pikë përqindje përkundrejt matjeve dhe indikatorëve të sondazhit të vitit 2015)[2].

Le të përmbyllim analizën vetëm me një argument: niveli i perceptimit të rolit kontribuues të KLSH për nxitjen e llogaridhënies publike është 4 % më e lartë se perceptimi nga publiku mbi rolin qe luan Kuvendi i Shqipërisë, agjent i së cilit është KLSH.Fakti është se, si instrument aktiv i promovimit të llogaridhënies, përgjegjshmërisë dhe transparencës, Kontrolli i Lartë i Shtetit, i vlerësuar si akumulim i përvojave dhe kapaciteteve të integruara e shumëdimensionale për afro 100 vjet jetë, ka fituar në këtë mënyrë besimin e qytetarëve të vendit, por dhe respektin e institucioneve homologe të familjes së INTOSAI-t. Prandaj, ky vlerësim i rankimit publik nuk është thjeshtë një shtysë krenarie, por atij vlerësimi i rrinë ngjeshur fjalët e Paolo Coelhos në veprën “Alkimisti”, se nganjëherë, dhe një mbret plak ka nevojë të ndihet krenar për veten”.

  1. Korrupsioni dhe fronti i kontribuesve kundër tij.

Aspektet e korrupsioni i cekte pak ditë më parë, Byroja për Demokracinë, të Drejtat e Njeriut dhe Punën e Departamentit Amerikan të Shtetit, në raportin e publikuar mbi respektimin e të drejtave njerëzore, ku u skanua niveli i demokracisë dhe problematikat e hasura në praktikën e të gjitha vendeve të analizuara për vitin 2017. Më konkretisht, në Seksionin IV “Korrupsioni dhe mungesa e transparencës në qeverisje” , të “Country Reports on Human Rights Practices for 2017”[3] , DASH nënvizoi se gjatë vitit 2017 (citojmë): “korrupsioni ishte i përhapur në të gjithë degët e qeverisjes në Shqipëri”. Kontributi i KLSH për denoncimin e korrupsionit tanimë është zyrtarisht e ndërkombtarisht i njohur dhe prandaj nuk do të ndalemi në këtë shkrim. Por, meqenëse “stina e llogaridhënies” sapo ka nisur nga Kryeministri dhe anëtarët e kabinetit qeveritar, (në disa raste këto takime devijojnë nga qëllimi i tyre, pasi qytetaret duke shfrytëzuar mundësinë e takimit në publik me zyrtarët më të lartë, përpiqen të adresojnë dhe zgjidhin hallet e problemet e veta familjare), që të marrin kuptimin e llogaridhënies, këto takime e dëgjesa publike duhet të përgatiten jo thjesht si qëllim propagande e vizibiliteti. Ne këto takime e dëgjesa duhet të preken më konkretisht tema dhe duhet t’u jepet përgjigje pyetjeve të tilla si, “Cilat janë pikat e programit qeveritar që ende nuk janë realizuar dhe përse kjo ka ndodhur, meqë programi qeverisës është dokument i votëbesuar në Kuvendin e Shqipërisë?”, “Çfarë po bën konkretisht Qeveria në luftën kundër korrupsionit dhe çfarë masash janë dhënë ndaj ministrave që nuk kanë vrarë mendjen për të zbatuar rekomandimet e raporteve të auditimit të KLSH-së?”, “Si po i shpenzojnë dikasteret dhe agjencitë paratë e shtetit?”, ”Në çfarë raportesh janë fondet e buxhetuara me fondet e shpenzuara sipas skemave të partneritetit të gërshetuar publik-privat dhe si janë projeksionet e shlyerjeve/ kthimeve që do tu ngarkohen kostove buxhetore të programeve të ardhshme buxhetore afatmesme?”, etj. Nëse i qasemi modelit matematikor të Robert Klitgaard mbi korrupsionin[4], metaforikisht ai parashtrohet si rezultante e shumës se monopolit me diskrecionit në vendimmarrje, duke zbritur përgjegjshmërinë publike. Kjo do të thotë se me rritjen e shkallës së përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies së zyrtarëve të shtetit, të mbikëqyrjes dhe kontrollit më rigoroz ,(qoftë nga autoritetet qeveritare ose nga publiku), do të kemi më shumë dëshmi për ngushtimin e hapësirave për korrupsion dhe ndëshkimit të tij në përditshmëri. Ndaj, forcimi i mekanizmave të llogaridhënies nënkupton konsolidimin dhe frontin e koordinuar që inkurajon llogaridhënien dhe përgjegjshmërinë publike, “ndezjen e motorëve” edhe nga institucionet apo aktorët e tjerë me peshë, si Kuvendi, Prokuroria, Inspektimi Financiar Publik, Auditimi i Brendshëm, Mediat dhe shoqëria civile etj. për të vënë “alertin” mbi papërgjegjshmërinë dhe pa ndëshkueshmërinë, në plotësim të ëndrrës evropiane për fëmijët tanë.