Halil Bregasi; Vlora qyteti modern ku mungon infrastruktura

319
Sigal

Projektet e para: rrugët i kishim me 6 korsi, sot nuk kalon dot

Qytet modern ku mungojnë më thelbësoret

Në Lungomare nuk ka vend për zjarrëfikset apo ambulancat

-Qyteti duket i bukur që nuk ka banja publike, apo vendkalim për këmbësorët

-Projektuesit apo menaxherët nuk kanë ideuar gjëra elementare, por kanë rendur pas bukurisë

Në asnjë kryqëzim, ky qytet kaq i bukur e modern nuk ka semaforë

Halil Bregasi

 Jo shumë herët, rreth orës 09.oo, ulem në një tavolinë në “Bar Rinia” Vlorë, atje ku çdo ditë takoj miqë e shokë të mi dhe pimë kafe së bashku. Në të majtë të tavolinës ku u ula, ishte një çift. Dukej që nuk ishin vendas, madje as shqiptarë. Thirra kamerierin dhe e pyeta nëse ata ishin rusë, apo shtetas të përafërt, si Ukrainas, Bjellorus e të tjerë. Jo,- më tha djali i ri që shërbente,- ata flasin anglisht.

-Po ti,- i thashë kamerierit, kupton anglisht?

-Po,- më tha dhe kam komunikuar lirshëm për çfarë kërkuan.

 

Ata, mbasi pinë gotat me salep, diç biseduan midis tyre dhe nxorrën lekët për të paguar. Për të paguar, mashkulli nxori një dymijë lekësh të ri. Kamerieri u ktheu reston, çikë për çikë, pa mbajtur asgjë nga llogaria. Ata, mbasi numëruan lekët, kuptuan që restoja ishte e saktë. Biseduan midis tyre dhe femra, nxori nga xhepi disa monedha, ku mashkulli veçoi: ose njëzet lekë, ose tridhjetë lekë, sepse nuk arrita t’i numëroja, por ishin tri monedha. Pak rëndësi ka kjo.

Desha të hyja në bisedë me ta dhe i them kamerierit: pyeti nëse flasin apo kuptojnë rusisht duke menduar se diçka edhe unë mund të artikuloja. Përgjigja ishte se femra kuptonte pak rusisht, por jo e sigurtë.

Mirë u them dhe nëpërmjet kamerierit i pyes nëse ishte hera e parë, që vijnë në këtë qytet dhe, përgjigja ishte se vinin për herë të dytë. Normalisht u them se si duket u ka pëlqyer qyteti dhe njerëzit?

Përgjigja ishte mbresëlënëse. Ata kishin ngelur të habitur me sjelljen e njerëzve, madje e ndjenin veten si në vendin e tyre, por për habi të tyre, ky qytet kaq i bukur, madhështor, me këta njerëz kaq të edukuar e të sjellshëm, nuk ka gjërat më elementare!

E dija çfarë i mungonte këtij qyteti, jo se nuk ishin mundësitë, por për gabime të projektuesve, apo të drejtuesve, ndoshta të atyre që miratojnë projektet, ndoshta edhe të keqmenaxhimit…

Pas disa mendimeve, shkurt ata thanë se kanë frikë të kalojnë nga trotuari në trotuarin tjetër. Në përfundim, ata duke e parë që unë nuk mund të përgjigjesha, e kuptuan dhe e mbyllën bisedën me një shprehje: “Neve deri tani nuk na ka ndodhur asgjë. Kemi qenë të kujdesshëm duke ecur pas vendasve, të cilët janë mësuar me këtë gjendje”.

Që kur është projektuar aksi nga “Sheshi i Flamurit” e deri në Skelë, është menduar që ndërtesat e të dy anëve të ishin në një distancë midis tyre jo më pak se 40 m. Dhe kjo ka ndodhur që nga vitet ’50 të shekullit të kaluar. Sistemi që kemi lënë pas, e ruajti këtë mendim – projekt, të ndërtonte ndërtesa tre dhe pesë katëshe duke lënë hapësirë të bollshme për ndërtimin deri në 6 korsi makinash dhe trotuarë të bollshëm. Habia qëndron në këtë shekull dhe sidomos në këtë 5-vjeçar! Janë bërë dy korsi (vajtje – ardhje) të ndara me vijë të bardhë në mes, gjë që sjell gjithmonë kaos në transport. Mjafton të ndalet në stacion urbani dhe vargu i makinave pas tij të zgjatet me dhjetra metra. Jo vetëm kaq, por edhe shpejtësia e mjeteve personale do i përgjigjet shpejtësisë së autobuzit urban. Banjat publike nuk egzistojnë. Nuk e dimë se cila Perëndi e paganizmit ka influencuar në mendjen e projektuesve apo të atyre që kanë miratuar projektin, por dimë që ardhja e ndihmës mjekësore apo e policisë për ndihmë, pa le për zjarrëfikëset, ngelet e parealizueshme. Le të vdesi kush të dojë, urgjenca do vijë kur të hapet rruga, le të vriten e grinden njerëzit, policia do vijë kur të hapet rruga, ndërsa për zjarrëfikëset, është më e lehtë, ato shkojnë kur të jetë fikur zjarri.

Unë që po shkruaj e kam ndjerë thellë në shpirtin tim. Ndoshta nuk ia vlen, por për të qënë i sinqert po tregoj: Në linjë ajrore, shtëpia ime është rreth diku tek 120 m larg nga Poliklinika qendrore e qytetit. Aty ku është dhe urgjenca. Deri në vitin 1994, kur kam kërkuar ndihmë, sidomos për nënën plakë, urgjenca më ka ardhur jo më vonë se 10 minuta, madje edhe në këmbë, sepse kishte rrugë midis pallateve e ata i binin shkurt. Kur pata rastin e para një viti e gjysëm, ambulanca më ka ardhur pas më shumë se 20 minutave. Ndihma e tyre nuk vlejti se të sëmurin e gjetën të vdekur. Nuk e di në se edhe mund të më shpëtonte ime shoqe, por ardhja me vonesë më krijoi shije të hidhur. Madje si nëpër dhëmbë, u tha që e kishte zënë rrugën urbani. E pranoi, sepse nuk ka xhepa për të ndaluar urbanët.

Jo shumë ditë më parë, po aty afër “Bar Rinia”, tek kryqëzimi “Kollozi”, u përplasën dy makina. Njëra vinte nga perëndimi dhe tjetra vinte nga qendra e qytetit (“Sheshi i Flamurit”). Deri në vitin 1990 aty ka patur semaforë, i cili na disiplinonte neve këmbësorëve, por edhe shoferët e makinave. Kalimi bëhej sipas sinjalit. Kështu duhej të ishte edhe tani, por … Si ka mundësi që në asnjë kryqëzim, ky qytet kaq i bukur e modern nuk ka semaforë!?

Është bërë gjithë ajo mrekulli në vijën bregdetare dhe hasen po të njëjtat të meta. Distanca nga buza e ujit e deri tek ndërtesat mund të jetë edhe 100 m në disa vende, por ka vetëm dy korsi makinash dhe si të veçantë ka xhepa në stacionet për urbanët, ndërsa semaforë jo që jo.

A mund të korigjohen këto? Mjafton të hiqej një rresht me rrepe, ose të vendosej rreshti i brendshëm më afër e në formë të gërmës “V”, do dilte një korsi emergjence. Unë nuk jam projektues e as arkitekt, por mungesa të tilla i quaj të mëdha e jetike për qytetin.

 

Duhen ruajtur thesaret

1-Sheshi i Flamurit në Vlorë është sheshi më Historik në të gjitha trojet shqipfolëse, ku përbëhet nga Monumenti i Pavarësisë , Obelisku i ngritjes se flamurit, Varri i babait të kombit Ismail Qemalit (bej Vlora) , shatërvani , muret e kalasë së Vlorës dhe lulishtja e madhe.

2- Monumenti i Pavarësisë i ndërtuar nga Kristaq Rama, Mumtaz Dhrami dhe Shaban Hadëri në vitin 1972 dhe i derdhur më bronz, është i lartë 17 metra. Ai simbolizon Shpalljen e Pavarësisë së Vilajeteve shqiptare nga Perandoria Osmane. Shqipëria u vetëshpall e pavarur në Vlorë më 28 nëntor 1912 nga Ismail Qemali. Në shpalljen e pavarësisë morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare.

3- Aty ku mendohet se ka qene shtëpia ku u ngrit flamuri u ndërtua Shtiza e Flamurit, në vitin 1937, kur poeti Ali Asllani ishte Kryetar i Bashkisë së Vlorës, i cili ngriti “Shtyllën e Flamurit Kombëtar” të gjatë 12 metra, e cila simbolizon vitin 1912.

4- Varri Monumental i Ismail Qemalit, vepër e skulptorit Odhise Paskali. Ai është një monument i trashëgimisë kulturore i ndërtuar në vitin 1932.

5- Në mes të Sheshit ndodhet Shatervani ose 4 topat siç quhet ndryshe ose 4 vilajetet që ai përfaqëson. Shatervani është një tjetër monument i ndërtuar në vitet 1934 në kohën kur Ali Asllani ishte kryetar bashkie, i cili përzgjodhi arkitekt italianë për ndërtimin e saj.