Grushte dhe shkelma në fushat e futbollit, Federatës nuk i bën derman as Policia e Shtetit

579
Sigal

Gjyqtarët vazhdojnë të jenë protagonist në fushat e gjelbra dhe ato me baltë të futbollit shqiptar. Sigurisht që situata në fushat sportive të kategorisë parë, të dytë dhe të tretë është në disa raste më keq se skandaloze, por që me këtë gjendje, publiku tashmë është mësuar dhe e veçanta do të ishte po të ndodhte ndryshe. Por ajo që përbën një skandal më vete ka të bëjë me flakën që ka përfshirë katet e poshtme dhe dalëngadalë po mbërthen Superioren shqiptare duke rrezikuar seriozisht edhe kupolën e kësaj ngrehine me emrin Federata e Futbollit.

Dhe janë të njëjtët aktorë, që krijojnë situata të tilla problematike si në fushat e tyre, ashtu edhe jashtë saj. Klube që ndëshkohen me 11 metërsha të paqenë, të tjera ekipe që nuk u jepet e drejta dhe aq më keq kur një gjë e tillë ndodh nga të njëjtët gjyqtarë që mbrojnë të njëjtët ekipe. Rasti skandaloz i ndodhur para dy ditësh në takimin Tirana-Laçi duket se po i vendos kapakun kësaj gare, që në vend që të shikohet si festë qytetare, po kthehet në një garë gladiatorësh.

E njëjta gjë i ndodhi Tiranës në Fushë-Krujë para dy javësh, e njëjta gjë ndodhi në takimin Partizani-Flamurtari apo Laçi-Partizani. Kësaj pasigurie dhe daljes jashtë kontrollit të menaxhimit të futbollit iu vendos kapak para pak javësh kur në Kamëz gjyqtari goditet barbarisht, dënohet rëndë një ekip dhe në këtë mënyrë merr fund gjysma e bukurisë së futbollit. Ekipe që marrin pikë në tavolinë duke prishur FAIR-PLAY-in e sportit më të bukur në Shqipëri dhe në Botë.

A ka përgjegjës për këtë situatë? Sigurisht që ka. Ajo fillon nga vetë organizatorët e këtij sporti, që në rastin konkret është Federata Shqiptare e Futbollit si mbarëvajtëse e aktivitetit kombëtar. Ndërhyrja e kreut të qeverisë dhe mbështetja që i dha FSHF-së me Policinë e Shtetit duket se nuk po jep rezultat duke treguar se fajtorët dhe shkaqet duhen gjetur në radhë të parë në parinë e FSHF, e cila shpesh herë është akuzuar rëndë. Sigurisht po të trajtojmë edhe dështimet e përfaqësueses Kuq e Zi në përzgjedhjen e trajnerit të dështuar, ku një publik i tërë e dha verdiktin e tij në kor, gjërat bëhen edhe më serioze.

Të shpresojmë që situata të mos pësojë agravime dhe futbolli ynë të shikohet si delja e zezë e ndërkombëtarëve, po të kemi parasysh dënimet e UEFA-s dhe gjobat për pagesat e padhëna ndaj futbollistëve nga presidentët e klubeve.