Gjykata e Lartë i vë ‘fre’ Prokurorisë për “arrestin me burg”

Gjykata e Lartë rrëzon Prokurorinë: Të kufizohet praktika e paraburgimit

Gjykata e Lartë rrëzoi Prokurorinë duke e kufizuar praktikën e paraburgimit për të pandehurit kërkoi argumente ligjore për arsyen pse duhet të mbahen në arrest në burg të akuzuarit.

Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë vendosën që të ndryshojnë pjesërisht praktikën unifikuese lidhur me caktimin e masave të sigurisë. Drejtuesi i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi deklaroi pas vendimit se “arresti në burg” duhet të mbetet një masë përjashtimore dhe jo një praktikë e zakonshme. Prokuroria kur i drejtohet gjykatës për të kërkuar arrest me burg, duhet ta argumentojnë jo vetëm që kjo masë është e përshtatshme, por edhe që masat më të buta janë të papërshtatshme. Gjithashtu, gjykata, kur vendos arrest në burg apo masa të tjera sigurie, duhet të argumentojë me të dhëna specifike rrezikshmërinë e të pandehurit, dhe rrezikshmërinë e veprës penale dhe jo të niset thjesht nga emërtimi i veprës apo masës së dënimit të parashikuar në ligj. Ndër të tjera, barra e provës për caktimin e arrestit në burg i takon prokurorisë. I pandehuri mund të paraqesë prova, jo thjesht për të kundërshtuar arrestin, por për të justifikuar caktimin e një mase më të butë.

NOA

Për këtë arsye, gjykatat kanë tashmë detyrimin të shqyrtojnë në mënyrë reale dhe të argumentuar masat alternative më pak kufizuese, duke shpjeguar qartë pse ato nuk janë të përshtatshme në rastin konkret. Në ndryshim nga qëndrimi i mëparshëm i vitit 2011, ku gjykata nuk kishte detyrimin të analizonte masat alternative, tashmë përcaktohet se kjo praktikë nuk është në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut. Sipas vendimit të ri, çdo kufizim i lirisë personale duhet të mbështetet në një arsyetim konkret, të individualizuar dhe të verifikueshëm.Kolegjet vendosën gjithashtu se vlerësimi i rrezikshmërisë nuk mund të bazohet vetëm në natyrën e veprës penale apo dënimin e parashikuar, por duhet të marrë në konsideratë elementë të tillë si personaliteti i personit, sjellja e tij, rrethanat e çështjes dhe të dhënat personale e familjare.

Vendimi i Gjykatës së Lartë ka për qëllim të shpëtojë personat e pandehur që ndodhen në masën e sigurisë arrest në burg, një praktikë që përdoret gjerësisht nga drejtësia shqiptare. Pritet që personat që ndodhen në masën e arrestit në burg të përfitojnë lirinë nga qelia

Vendimi i plotë

“Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, në përbërje të 16 gjyqtarëve, kanë marrë vendim mbi standardet që duhet të udhëheqin gjykatat në caktimin dhe vijimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg”. Çështja u shqyrtua pas nismës së Kryetarit të Gjykatës së Lartë, i cili, në ushtrim të rolit kushtetues dhe ligjor të Gjykatës së Lartë për garantimin e një praktike gjyqësore të njëtrajtshme, të qëndrueshme dhe të parashikueshme, vuri në lëvizje Kolegjet e Bashkuara për t’i dhënë përgjigje shqetësimeve të evidentuara në praktikën gjyqësore lidhur me mënyrën se si kërkohej, arsyetohej, kontrollohej dhe zbatohej masa “arrest në burg”, si dhe për ta orientuar këtë praktikë drejt standardeve kushtetuese e konventore për mbrojtjen e lirisë personale. Kolegjet e Bashkuara vlerësuan se praktika gjyqësore kërkonte qartësim, saktësim, standardizim, ndryshim dhe zhvillim të mëtejshëm në mënyrën e kuptimit dhe zbatimit të masës “arrest në burg”. Përmes këtij vendimi, Kolegjet orientojnë gjykatat drejt zbatimit të standardeve në përputhje me Kodin e Procedurës Penale, Kushtetutën dhe jurisprudencën e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, duke ritheksuar se kufizimi më i rëndë i lirisë personale nuk mund të mbështetet në formulime të përgjithshme, por kërkon arsyetim konkret, të individualizuar dhe të kontrollueshëm.

Kolegjet e Bashkuara përcaktuan tri rregulla kryesore:

Së pari, formulimi i mëparshëm, sipas të cilit, kur kërkohet ose vendoset masa e sigurimit “arrest në burg”, gjykata nuk ka detyrimin të analizojë realisht masat alternative dhe mjafton të arsyetojë se masa e zgjedhur është e përshtatshme për rastin konkret, nuk është në përputhje me nenet 228-230 dhe 245/1, shkronja “ç”, të Kodit të Procedurës Penale, si dhe me nenin 5 § 3 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Për këtë arsye, gjykata ka detyrimin të shqyrtojë realisht masat më pak kufizuese të lirisë personale dhe të arsyetojë shprehimisht përse ato nuk janë të mjaftueshme në rastin konkret. Ky arsyetim duhet të jetë i individualizuar, i mbështetur në fakte dhe i lidhur drejtpërdrejt me rrethanat konkrete të çështjes. Së dyti, masa “arrest në burg” ka natyrë përjashtimore dhe mund të vendoset vetëm kur masat e tjera janë të papërshtatshme. Rrezikshmëria e veprës dhe e autorit nuk mund të nxirret vetëm ose kryesisht nga natyra e veprës penale apo nga marzhi i dënimit, por duhet të mbështetet në një vlerësim konkret të rrethanave të çështjes, mënyrës së kryerjes së veprës, pasojave, personalitetit, sjelljes dhe të dhënave personale e familjare të personit ndaj të cilit kërkohet masa. Së treti, barra e justifikimit të nevojës për caktimin dhe vijimin e masës “arrest në burg” i takon prokurorisë. Gjykata ka detyrimin ta verifikojë dhe ta arsyetojë këtë nevojë në çdo fazë të procedimit. Vendimmarrja e saj nuk mund të kushtëzohet nga paraqitja ose jo e “provave pozitive” nga i pandehuri. Ky vendim ka rëndësi të veçantë për sistemin gjyqësor dhe për mbrojtjen e të drejtave themelore, pasi qartëson kushtet, kufijtë dhe mënyrën e arsyetimit të masës “arrest në burg”, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale, Kushtetutën dhe standardet e GJEDNJ-së. Në këtë mënyrë, Kolegjet e Bashkuara forcojnë qëndrueshmërinë, njëtrajtshmërinë dhe parashikueshmërinë e praktikës gjyqësore, duke vendosur në qendër garancitë e lirisë personale dhe nevojën për një kontroll gjyqësor real, konkret dhe proporcional. Në çështjen konkrete, Kolegjet e Bashkuara lanë në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, duke vlerësuar se rekursi i prokurorisë nuk gjente mbështetje në ligj. Kjo taktikë ka qëllim lirimin e personave që ndodhen në masën e sigurisë arrest me burg.