FOTO/ Prestigjiozja italiane “La Repubblica”: Malet me dëborë të Himarës si valë deti

679
Sigal

Një valë e gatshme për t’u rrëzuar në bregdet. Në një shikim të shpejtë mund të duket kështu, por në fakt është një sugjerim i krijuar nga malet shqiptare të mbuluara me borë që duken në horizont.

Kështu shkruan gazeta italiane “La Repubblica” në një artikull të shoqëruar me disa fotografi të shkrepura nga fotografja italiane Maria Pacoda nga Salento, ku në sfond duken malet e Himarës.

“Ne jemi në Salento dhe në fotot e Maria Pacoda pikat e vëzhgimit ndryshojnë, por relievet janë gjithmonë të dukshme në sajë të qiellit të qartë. Dhe magjia përsëritet”, thuhet në shkrim.

Ndërsa kryetari i bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, shprehet se “ishim mësuar me fotot e Luigit, Robertos, Dinos apo Paolo dhe Andreas, etj., fotografë puliezë që gjithë këto vite kur Himara dhe Shqipëria është shfaqur kaq shumë pranë Italisë, sa mund të shihej me sy të lirë… foto të mrekullueshme të Maria Pacoda, që kanë bërë xhiron e Italisë duke marrë pëlqime dhe shikime nga miliona italianë”.

Kreu i bashkisë së Himarës thekson se “natyrisht ky është një promovim fantastik i turizmit në Himarë, gjë të cilën e prekim çdo vit ku duhet pranuar fakti që italianët janë gjithmonë e më të shumtë në zgjedhjen e Himarës si “top destinacion” turistik. Për t’u rikthyer tek ky artikull i gazetës prestigjioze italiane “La Repubblica” që na sjellë kaq shumë pranë dhe bukur me Italinë”.

Me një bregdet të mrekullueshëm dhe male të larta, Himara vijon të tërheqë vëmendjen e turistëve të shumtë, ku gjatë vitit 2018 shënoi një rritje prej 20% të tyre.

Himara shquhet për plazhet e saj shumë të bukur, shumica me zalle, por edhe me rërë të bardhë e të imët. Spillea, është plazhi qendror i Himarës, me shumë vizitorë në verë, më tutje janë Prino, Potami, Filikuri, më në jug Llamani, Qeparoi, Borshi, brigjet e Piqernit (Buneci), Lukova dhe Kakomea.(ata.gov.al)