FLET SINDIKALISTJA E ORËVE TË PARA

1039
Sigal

Sindikatat duhet të ishin në rrugë me studentët. Punëtorët shqiptarë i shoh të tradhtuar

Flet Hyqmete Daja, sindikaliste e orëve të para, Kryetare e Sindikatës së Tipografëve të Shqipërisë

Minimumi jetik që do të përmbyste sistemin e pagave dhe të pensioneve në Shqipëri

Zonja Daja, kur e nisët aktivitetin si sindikaliste?

Aktivitetin sindikalist e kam nisur në dhjetor të vitit 1990. Më 11 dhjetor u krijua Sindikata e Pavarur në Shtypshkronjën “Tirana”. Në një letër që i drejtonin Ramiz Alisë, e cila mban këtë datë, punëtorët e shtypshkronjës Tirana, më e madhja në vend, ia bënin me dije se kishin ngritur sindikatën e tyre të pavarur dhe mbështesnin pa rezerva lëvizjen studentore. Ata i paraqitën Ramiz Alisë një letër me 9 kërkesa për studentët dhe në pikën e 9-të e njoftonin ( po citoj fjalë për fjalë dokumentin)…” Në kuadrin e pluralizmit organizativ, kolektivi ynë punonjës, vendosi unanimisht të krijojë Organizatën e pavarur të Tipografëve të Shtypshkronjës Tirana”.

Aso kohe kjo nismë u quajt e rrezikshme dhe u bë problem në Pleniumin e Komitetit Qendror dhe më pas në të gjitha mbledhjet e mbyllura të organizatave të partisë. Unë punoja në Shtypshkronjën “Dispensa” dhe u takova me kolegë të Shtypshkronjës “Tirana” dhe më 15 dhjetor 1990 themeluam sindikatën e pavarur edhe në Shtypshkronjën “Dispensa”. Më pas thuajse të gjitha shtypshkronjat u përfshinë në organizimin e pavarur sindikalist dhe kjo ndodhi brenda muajit dhjetor të vitit 1990.

Çfarë përfaqëson për ju Sindikata e Tipografëve të Shqipërisë?

Sindikata e Tipografëve të Shqipërisë, jo vetëm për mua, por për shumë njerëz që i kanë përjetuar ngjarjet e dhjetorit 1990, është dallëndyshja e parë e sindikalizmit shqiptar. Natyrisht ne nuk e njihnim rrugën që kishim nisur, por jeta dhe koha të mëson. Vërtet Sindikata e Tipografëve nuk e kishte potencën e minatorëve që mund të kërcënonin e rrëzonin qeveri me greva nën tokë, por ajo ka qenë një mbështetëse dhe kontribuese në të gjitha grevat e lëvizjet e mëdha. Tipografët kanë marrë pjesë në të gjitha protestat, në grevën e përgjithshme, mitingjet dhe ka qenë sindikata e Tipografëve që ka shkuar në mbështetje të studentëve grevistë duke e spostuar protestën e saj në qytetin Studenti, ku ishin të ngujuar studentët dhe, më pas dihet se si rrjedha e ngjarjeve shënoi edhe rrëzimin e monumentit të Enver Hoxhës dhe plotësimin e kërkesave të studentëve. Sindikata e Tipografëve ka qenë një faktor i rëndësishëm i lëvizjes sindikaliste shqiptare dhe sindikata e parë e pavarur në Shqipëri. Tipografët, për vetë profesionin e tyre informoheshin dhe kishin kulturë, sepse botonin libra e gazeta. Ata kanë ndihmuar deri në hartimin e statuteve të sindikatave të tjera të Bashkimit të Sindikatave të pavarura Shqiptare. Një moment historik i asaj periudhe ishte greva e punëtorëve të shtypshkronjës së Gazetave që nuk shtypën gazetën “Zëri i Popullit”, që ishte jo vetëm solidaritet për shembjen e diktaturës, por edhe presion për pushtetin e atëhershëm. Sot teknologjia moderne ka ulur ndjeshëm numrin e tipografëve. Një shtypshkronjë sot punon edhe me tre punëtorë, nga tridhjetë që mund të duheshin më parë dhe kjo ka sjellë që edhe sindikata jonë të ketë një anëtarësi të vogël, sepse nuk mund të nënshkruash një kontratë kolektive me një pronar që nuk ka njëzet punëtorë.

Megjithatë, ne kemi kohë që punojmë edhe në këtë drejtim dhe po ndërtojmë sindikatat rajonale që përfshijnë të gjitha shtypshkronjat në një rajon. Janë afruar dizajnerat dhe jemi drejt një risrukturimi që po e rrit çdo ditë numrin e anëtarëve tanë. Në statutin tonë i kemi lënë hapësirë rekrutimit të çdo tipografi në sindikatë dhe afrimi i tyre me sindikatën do të ndihmojë për zgjidhjen e shumë problemeve të tyre në vendin e punës.

Çfarë nuk shkon me lëvizjen sindikaliste shqiptare sot? Cilat janë problemet e saj më të mprehta?

Për fat të keq, për mua, krahasuar me fillimet, lëvizja sindikaliste sot në Shqipëri është e mefshët, është e kapur nga njerëz që kanë parë e shohin interesat e tyre. Dekreti i Berishës për pronat e sindikatave, sipas mendimit tim, ishte si një punë e djallit, pasi në vend që të forconte lëvizjen sindikaliste dhe t’i shërbente punëtorëve, i shërbeu vetëm krerëve të sindikatave. Kështu u hapën “Zyra të Administrimit të Pronave”, që shihnin si të majmeshin presidentët e sindikatave, duke lënë mënjanë hallet e mëdha të punëtorëve, të cilat në atë periudhë, por edhe sot ishin dhe janë tejet të mprehta. Të mos harrojmë se reforma nxori nga tregu i punës mijëra punëtorë dhe sindikata nuk kishte as përgatitjen, por as impenjimin për t’iu dalë për zot. Valer Xheka, presidenti i parë, pasi zhvati sa mundi, u largua nga Shqipëria dhe “pronat e tij” ua la njerëzve të vet që t’i administronin. Me ato para, ai jeton edhe sot e kësaj dite i qetë në mes të Francës, pa i hyrë gjemb në këmbë. Ka qenë një katastrofë e vërtetë, kur tipografët ishin në grevë kundër Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, pra kundër sindikatës së tyre ombrellë, pasi ai rrëmbeu edhe shtypshkronjën e sindikatave, duke manovruar me Kastriot Muçën që drejtonte Konfederatën e Sindikatave Shqiptare (strukturë e trashëguar nga ish-Bashkimet Profesionale), dhe nxori në rrugë 48 punëtorë të shtypshkronjës së sindikatave. Kjo shënoi edhe largimin e tipografëve nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë në vitin 1994 dhe ushtrimin e veprimtarisë së tyre larg konfederatës, për të cilën kishin kontribuar si materialisht ashtu edhe me veprimtarinë e tyre sindikaliste. Para nesh ishin larguar minatorët dhe më pas u larguan edhe shtatë federata të tjera të profesioneve (sindikata e ndërtimit, e konfeksioneve, e transportit, e shërbimeve, e arsimit(pjesërisht), e telekomit dhe e bujqësisë.

Dekreti i famshëm i Presidentit Berisha, në vend që të forconte sindikatat, i largoi ato nga misioni i tyre dhe pasuroi krerët. Pas largimit të Valer Xhekës, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë (BSPSH) ra në duar të disa injorantëve që donin të merrnin edhe kockat dhe deri në vitin 2002, thuajse ky institucion ishte inekzistent. Në vitin 2002 u rikthyen minatorët dhe më pas ata i bënë thirrje të gjitha sindikatave të larguara të riktheheshin në BSPSH dhe të ndihmonin në rimëkëmbjen e BSPSH. Dëshira ishte e madhe që BSPSH të ishte jo vetëm sindikata historike që rrëzoi diktaturën, por edhe streha e punëtorëve për të gjetur drejtësi e për të mbrojtur interesat e tyre. Natyrisht nuk ishte e lehtë për lidershipin e ri të BSPSH të riorganizonte një institucion të mbaruar, të vinte në efiçiencë struktura e organizma që nuk funksiononin. Realiteti është se u punua shumë që të arrihej fizionomia e një institucioni në shërbim të punëtorëve. Më vjen shumë keq, por sot sindikata përsëri nuk është shpresa e punëtorëve dhe popullit. Për pronat nuk di ç’të them saktësisht. Në internet kam parë ish-shtëpitë e pushimit të punëtorëve që janë kthyer në hotele dhe pronare nuk figuron sindikata, ose në një shumë aksionesh që shkon deri në 20 %. Sot rëndësi kanë udhëtimet jashtë shtetit që janë çdo muaj. Dhe kjo sepse brenda vendit nuk kemi më probleme dhe duhet të rregullojmë botën! Ironi e hidhur deri në sarkazëm kur problemet e punëtorëve shqiptarë janë më të mëdha se kurrë, kur njerëzit, po të hapin dyert shtetet e Evropës, do të ikin me turravrap, duke lënë laçkë e plaçkë, rrezik të harrojnë dyert hapur e të kërkojnë strehë në Evropë. Ndërkohë sindikatat heshtin. Mbase edhe flasin me vete, por me Qeverinë jo dhe nuk folën as atëherë kur Kryeministri i injoroi dhe tha që në Shqipëri nuk ka sindikata dhe askush nuk u bë i gjallë, pasi askush nuk i tundi dhëmbët për t’i treguar të kundërtën, ndaj edhe atij nuk ia ndjen për sindikatat në Shqipëri. Këta që kanë marrë frenat e sindikalizmit sot, në mëngjes shajnë qeverinë ndërsa në darkë vrapojnë për të dalë në fotografi me Kryeministrin e zonjën e tij apo me ministra të ndryshëm që t’i nxjerrin në Facebook. Unë i shoh të tradhtuar punëtorët shqiptarë, ndaj ata e kanë humbur besimin te sindikata.

Si ndihen të pozicionuara sindikatat me protestën e studentëve? Çfarë po bëni ju për t’i zgjidhur problemet e sindikatave?

Lëvizja studentore e kohëve të fundit, që nuk pranoi politikën, do t’i priste krahëhapur sindikatat. Sot sindikalistët duhet të ishin në rrugë, me studentët. Studentët mbase dhe i kanë kërkuar, po ku t’i gjejnë? Në Rinas, apo për turizëm sindikalist nëpër Evropë? Më kujtohet libri “Epopeja e Ballit Kombëtar”: “Do bëjmë Shtet, de ore de, si lum ti popull që ne na ke!;

Për t’i përmbledhur, problemet e mprehta me të cilat duhet të përballen sindikatat sot janë: Varfëria, papunësia, pagat e ulëta, emigracioni, pensionet që i kanë katandisur të moshuarit pa personalitet e në varfëri ekstreme, kontratat kolektive informale që nuk u sjellin asnjë dobi punëtorëve, por u duhen konfederatave për evidenca, shkeljet e Kodit të Punës dhe më evidentja, mungesa e dialogut social me qeverinë që është reduktuar me të ashtuquajturin Këshill Kombëtar Pune që as merr vendime, as zgjidh probleme, ku prezenca e ministrave reduktohet me ndonjë zv/ministër apo drejtor drejtorie. Këtë vit nuk u dhanë shpërblime për punonjësit për festat e fundvitit dhe ka pasur ministri që anuluan edhe ndonjë drekë që bëhej tradicionalisht për punonjësit për Vitin e Ri. Sindikatat kërcënojnë, e më pas heshtin si pulat që kakarisin kot e nuk bëjnë asnjë kokërr vezë në furrik.

Ç’mendim keni për sindikatat e tjera? Cilat janë më aktivet? Si bashkëpunoni ju me to?

Sindikata e Tipografisë është e ndërtuar në sistemin privat, ku të thuash të vërtetën ekziston vështirësia për të rekrutuar punëtorë në sindikatë, nga frika e humbjes së vendit të punës. Ndërsa përsa i përket dialogut social, në ato shtypshkronja ku sindikata është prezent nuk ka vështirësi për t’u realizuar, madje në sajë të këtij dialogu janë zgjidhur shumë probleme dhe ankesa të punëtorëve. Kemi kërkuar me rigorozitet zbatimin e neneve të kontratës kolektive, por mbetet problem shtimi i numrit të anëtarësisë, drejtim në të cilin këshilli ynë sindikal po punon fort. Natyrisht edhe ne kemi plot të meta dhe mbase duhet të kërkojmë zgjidhje, objektiva e strategji të reja më efikase, por ne nuk pretendojmë të kemi fuqinë e një konfederate për t’i bërë presion qeverisë për problemet madhore të punëtorëve shqiptarë. Ndonëse asnjëherë nuk i kemi lënë në baltë kur na është kërkuar ndihmë, ndonëse shtypshkronja private, ne i kemi vënë çelësin tre- katër shtypshkronjave dhe kemi dalë edhe në protestat për energjinë, për fabrikat e çimentos, si dhe sa herë na është bërë thirrje, sepse sindikata jonë solidaritetin sindikalist e çmon shumë dhe e njeh rëndësinë e tij. Për fat të keq, ne nga sindikata jonë nuk kemi përfaqësues në Këshillin Kombëtar të Punës apo në borde dhe nuk shohim të na kenë dalë ndonjëherë për zot ata që duhej të kishin misionin për të na përfaqësuar. Kjo shpjegon edhe faktin që ne luftojmë si për statusin e Tipografit, ashtu edhe për pensionet e punëtorëve që kanë punuar në plumb e me helme kimike, ndonëse kemi kërkuar mbështetje nga sindikata të tjera me profesione të vështira. Ato, për të mos u rënë në qafë, nuk është se po zgjidhin edhe ndonjë gjë për veten e tyre. Sidoqoftë, ne do të luftojmë duke pasur përkrahjen e tipografëve. Sindikata jonë i kushton një vëmendje të veçantë formimit profesional. Kemi qenë nismëtarë për kualifikimin profesional, duke synuar edhe punësimin e të rinjve në sektorin tonë dhe duke ofruar mjedise pune e reparte për praktikë, inxhinierë poligrafë e tipografë zanatçinj, por kërkesat tona kanë rënë në vesh të shurdhër. Probleme ka dhe do të ketë, por mirë është t’i evidentosh e të luftosh për t’i zgjidhur, ndaj punëtorët duhet të bëhen bashkë, të vrasin frikën dhe t’i drejtohen sindikatës e ta mbështesin atë.

Si sindikaliste që e ndjek nga shumë afër lëvizjen punëtore në Shqipëri, por edhe jashtë saj, me keqardhje them se lëvizja sindikaliste në Shqipëri është si ajo shprehja popullore: “Me fjalë e lumja unë, me punë e mjera unë”.

Ç’mendim keni për të ardhmen e lëvizjes sindikaliste të vendit?

Do të dëshiroja shumë të isha optimiste për të ardhmen e sindikalizmit në Shqipëri dhe të shpresoja që sindikatat shqiptare të ishin faktor në jetën sociale të Shqipërisë, së paku sa shoqëria civile që shpesh herë i imponohet qeverisë. Mirëpo për këtë duhet të harrohen interesat vetjake e të pastrohet sindikalizmi nga ata që e zhvatin dhe e shfrytëzojnë, si dhe të afrohen të rinj e të reja që e duan lëvizjen punëtore, jetojnë me hallet e punëtorëve, i kanë këmbët në tokë, jo në qiell dhe ne të vjetrit t’ua kalojmë të rinjve përvojën tonë të mirë pa arrogancë, pa tutelë, pa iu imponuar, por t’i lëmë të bëjnë atë që ne nuk e bëmë mirë.

Intervistoi: Gazeta “Telegraf”