Ferit Shqefni: “Uji i pijshëm, luks sezonal në kryeqytetin shqiptar”! Banorët furnizohen me orare të kufizuara.

Qytetarët e Tiranës, apel Bashkisë dhe Ujësjellës – Kanalizimeve: -Shtoni Oraret e furnizimit me ujë! -Premtimet që avulluan !

Mungesa e ujit të pijshëm në Tiranë gjatë muajve të verës është kthyer në një makth për shumicën e qytetarëve. Ajo që dikur ishte një problem i pjesshëm, sot është bërë një krizë në përmasa të gjëra që përfshin thuajse të gjitha lagjet e kryeqytetit.

NOA

-Oraret e furnizimit, gjithnjë e më të kufizuara.

Dikur, qytetarët furnizoheshin tre herë në ditë me ujë të pijshëm, në orare të gjata dhe të qëndrueshme. Por fatkeqësisht, sot, ky ritëm është reduktuar ndjeshëm. Orari i mëngjesit është shkurtuar nga 4 në 2 orë. Ai i drekës dhe i mbrëmjes janë përgjysmuar. Por shpeshherë ndodh që rojet e depove të ujit, harrojnë të hapin saraqineskat, e për rrjedhojë, uji nuk shkon fare në çezmat e banorëve. Qytetarët ankohen se reduktimi i orareve është bërë pa asnjë paralajmërim dhe pa asnjë zgjidhje alternative për furnizim. -Lavazhet që “pinë” ujin e qytetarëve.

Në një situatë ku në shumë familje nuk del ujë as për të pirë, lavazhet në qytet vazhdojnë të funksionojnë 24 orë në ditë, duke përdorur ujë të pijshëm për qëllime pastrimi makinash, larje tapetesh e të tjera. Edhe banesat private dhe barë-kafet në anë të rrugës, përdorin ujin pa kriter, duke lagur e spërkatur trotuaret dhe oborrin para  ambienteve të tyre, apo duke vaditur edhe pemët dhe baçen. Ky shpërdorim i burimeve, padyshim i toleruar nga institucionet përgjegjëse, është një padrejtësi që e rëndon më tej situatën e krijuar, sidomos në kohë thatësire.

Premtimet e pambajtura dhe çezmat “fallco”.

Një tjetër element zhgënjimi për qytetarët e Tiranës është mungesa e përmbushjes së premtimeve elektorale. Kryebashkiaku në detyrë, Erion Veliaj, tashmë i paraburgosur, gjatë fushatës, për mandatin e tij të parë, por dhe të dytë, ndër shumë gjëra të tjera, premtoi edhe furnizim 24 orë me ujë të pijshëm për çdo shtëpi. Për t’u bërë i besueshëm me premtimet që kishte ofruar gjatë fushatës, Veliaj, si fillim e nisi me instalimin e disa çezmave, nëpër rrugët e Tiranës, gjoja si simbolikë ndryshimi. Në realitet, çezmat e vendosura funksionuan vetëm për pak kohë, e më pas, ata mbetën thjeshtë si . RELIKE! “Çezmat “fallco” janë edhe sot, tek pazari i ri, por janë bosh, pasi në to, uji mungon” – thotë një banor i lagjes së këtushëm, dhe shton me ironi: Lali Eri (Erjoni) premtoi aq shumë, saqë, as vetë ai nuk i mban mend”.

-Pagesa e faturës: uji i papijshëm, paguhet si uji i pijshëm!

Një tjetër paradoks është ky: Qytetarët e Tiranës paguajnë rregullisht faturën e ujit me tarifë të plotë për uji të pijshëm, me 65 lel/m3, ndërkohë që në çezmat e tyre, qytetarët marrin ujë të papërshtatshëm për konsum. Rezervuari i Bovillës, burimi kryesor i furnizimit për Tiranën, tashmë dihet publikisht se ai nuk garanton më standardet e ujit të pijshëm. Megjithatë, faturat e paguara nga qytetarët, nuk e reflektojnë këtë realitet, sepse ujin e papijshëm e paguajnë si ujë të pijshëm!

-Zgjidhja e furnizimit me anë  të boteve, që nuk u lejua të funksiononte…

Për një periudhë të shkurtër, një zgjidhje disi funksionale ishte vendosja e boteve me ujë të pijshëm, të liçencuara nga vetë bashkia. Sigurisht me një çmim më të lirë, kjo mënyrë furnizimi ndihmoi kryesisht familjet me të ardhura të ulëta. Por fatkeqësisht dhe krejt papritur, kjo praktikë u ndalua. Arsyet? Zëra të shumtë thonë se është bërë për t’i dhënë përparësi filtrave të ujit të instaluar në disa lagje, në katet e para të pallateve dhe fatkeqësisht me një tarifë për litër, shumë më të shtrenjtë se ai i boteve. Siç përflitet, filtrat e instaluara, janë në pronësi të njerëzve të afërt me zyrtarët e Bashkisë së Tiranës.

-Qytetarët kërkojnë zgjidhje, jo justifikime .

Askush nuk dëshiron të dëgjojë për mungesën e reshjeve, shpërdorimet apo keqmenaxhimet. Qytetarët, në çezmat e tyre, duan ujë të pijshëm, 24 orë në ditë, siç u është premtuar. Nëse kjo nuk mund të garantohet menjëherë, atëherë tarifa duhet të reflektojë realitetin, uji i përdorshëm, jo i pijshëm, duhet të paguhet me çmim tjetër e jo me çmimin aktual si dhe të lejohen botet e ujit për furnizimin e banorëve në nevojë. Sepse në fund të ditës, uji është jetik dhe mungesa e tij në një kryeqytet europian, nuk është thjesht një problem por është një turp institucional. Në këto kushte, qytetarët janë të detyruar të blejnë ujë të ambalazhuar me bidona, në dyqane dhe markete me një tarifë të shtrenjtë (një bidon me 5 litra uji që kushton 120 lek). Deri sa në çezmat e qytetarëve të ketë ujë të pijshëm, Bashkia dhe UKT-ja duhet të ulin çmimin e ujit si dhe të lejohen botet të dërgojnë ujë Selite ose Dajti tek banorët. Ndër aktet dhe veprimet e dënueshme të zotit Veliaj, ishte se: Burimi i vetëm i ujit të Selitës, që furnizonte kryeqytetin, në vend që të shkonte në çezmat e qytetarëve, shkoj tek një kompani biznesi, ku kjo e fundit, tashmë e ambalazhon dhe e tregton me lek tek qytetarët e Tiranës. Edhe diçka të fundit, që ndoshta, shumë të tjerë, shtrojnë pyetjen: A thua se Bashkia e Tiranës, ndoshta e bën qëllimisht, që në çezmat e qytetarëve të mos ketë ujë të pijshëm, që të shitet uji i ambalazhuar dhe filtrat e instaluara….?!