Emigrantët/ Si merren dy pensione njëkohësisht, sigurimet vullnetare dhe dokumentet që duhen dorëzuar

960
Sigal

Baza ligjore e trajtimit me pension për personat që jetojnë jashtë vendit, procedura e sigurimeve vullnetare dhe dokumentet që duhen dorëzuar

 

Ja si mund të marrin dy pensione njëkohësisht emigrantët shqiptarë

Baza ligjore e marrjes së pensionit për emigrantët

Pyetje

Dy pensionistë me banim në Greqi shkruajnë: Kemi dalë në pension para 8 vjetëve, unë në pension të plotë sepse kisha 35 vjet punë të siguruara dhe bashkëshortja pension të pjesshëm mbasi kishte 26 vjet punë të siguruara. Sa herë kemi ardhur në Shqipëri kemi marrë pensionet dhe shtesat që u janë bërë. Së shpejti kemi dëshirë të kthehemi në Atdhe përfundimisht. Pyesim, a kemi të drejtë të kërkojmë sqarime më të hollësishme, për shtesat e pensioneve gjatë viteve, shpërblimet e fundvitit, dhe nga data e kthimit meqenëse jemi dy pensionistë a do përfitojmë kompensim të energjisë elektrike dhe cilat janë procedurat që duhet të ndjekim?

Përgjigje

E drejta për të kërkuar pensionin dhe sqarime për shtesat e bëra për çdo vit përfshirë dhe shpërblimet nuk parashkruhen, sqaron specialisti Fadil Kepi. Sipas nenit 62 të ligjit të sigurimeve shoqërore nr.7703, datë 11.5.1993, pensionet e caktuara por të paguara më pak jepen në çdo kohë por jo më shumë se 3 vjet. Kur janë dy pensionistë, sipas certifikatës së gjendjes civile, përfitojnë edhe kompensim të energjisë elektrike që është 648 lekë në muaj dhe e merr vetëm pensionisti në emër të të cilit është kontrata me OSHEE. Për këtë duhet të paraqiteni në agjencinë e sigurimeve shoqërore të bëni deklaratën përkatëse e cila është e gatshme dhe t’i bashkëngjitni, certifikatën e gjendjes familjare, fotokopjen e nënshkruar të kartës së identitetit, fotokopjen e librezës së energjisë elektrike që vërteton se nuk ka detyrime të papaguara. Personat që banojnë në shtëpi me qira qofshin dhe pensionistë nuk përfitojnë kompensim të energjisë elektrike. Sqarime më të hollësishme mund të merrni në ASSH Tiranë.

Si bëhen sigurimet vullnetare

Pyetje

  1. Naim Kërçiku nga Tirana në letrën e tij që na ka dërguar nga Roma shkruan: Jam i datëlindjes 13.3.1962 dhe në Shqipëri kam punuar i siguruar 12 vjet. Pyes, kur i plotësoj kushtet për të përfituar pension në Shqipëri dhe a mund të bëj sigurime vullnetare për të shtuar vitet e punës dhe cilat janë procedurat?

Përgjigje

Ju do të përfitoni pension në moshën 65 vjeç, duke filluar nga data 3 mars të 2027-s, nëse do të keni 15 deri 39 vjet e 4 muaj punë të siguruara nga mosha 16 vjeç, përfshirë dhe periudhën që keni kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Personat që kur plotësojnë moshën e pensionit, por kanë më pak se 15 vjet punë të siguruara nuk përfitojnë pension pleqërie, por në moshën 70 vjeçare marrin pension social, nëse banojnë 5 vitet e fundit në Shqipëri. Që të mos ndodhë kjo, nëse keni nënshtetësi shqiptare ose dynënshtetësi, para se të plotësoni moshën e pensionit keni të drejtë të bëni sigurime vullnetare duke paguar aktualisht 67.392 lekë në vit, baras me 5.616 lekë në muaj. Nëse kontributet e mësipërme i paguani paradhënie: këtë vit për vitin 2020, vitin e ardhshëm për vitin 2021 e kështu me radhë, në vitin 2026 për vitin 2027 kur ju dilni në pension, shumës vjetore i bëhet ulje 6%, baras me rreth 4.040 lekë më pak në vit. Po të bëni sigurime vullnetare për vitet e kaluara (2018, 2016, etj.) nuk bëhen ulje. Ju sugjeroj që ju vetë kur të vini në Shqipëri ose një i afërmi juaj mund të paraqitet në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore në Tiranë, të bëni aktmarrëveshje për vitin që do të paguani kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, e pastaj paguani lekët në një bankë të nivelit të dytë, e cila ju pajis me mandat pagesë, të cilin duhet ta ruani bashkë me librezën e punës. Aktualisht, për periudhën që punoni i siguruar në Itali, do të përfitoni pension sipas legjislacionit të atij vendi po të keni të paktën 20 vjet punë i siguruar. Sqarime më të hollësishme mund të merrni në “INAS ALBANIA”, e cila ka 700 zyra të Itali, të cilat japin sqarimet e nevojshme, ku shërbimi është falas, por dhe në Tiranë në afërsi të stadiumit “Selman Stërmasi” është një agjenci ku jepen sqarimet e duhura për emigrantët të cilët punojnë në Itali.

 

Përfitimi njëkohësisht i dy pensioneve për emigrantët shqiptarë

Pyetje

Zonja Pëllumbesha Aduti nga Greqia në letrën e saj trajton këtë problem: Jam e datëlindjes 30.1.1961 dhe kam 19 vjet e 8 muaj punë të siguruara, duke përfshirë edhe sigurimet vullnetare që kam bërë në sigurimet shoqërore Korçë. Pyes, kur do të dal në pension, sa vite pune duhen dhe a mund të bëj sigurime vullnetare për të shtuar periudhat e siguruara?

Përgjigje

Ju do të dilni në pension në moshën 61 vjeçe e 4 muaj më 30 maj 2022 dhe për pension duhen 15 deri 37 vjet e 8 muaj punë të siguruara në vendin tonë. Me rreth 20 vjet punë të siguruara që keni, ju do të merrni pension të pjesshëm rreth 54% të pensionit të plotë. Para moshës së pensionit, meqenëse keni nënshtetësi shqiptare, keni të drejtë të bëni sigurime vullnetare për të shtuar periudhat e siguruara që të merrni pension më të lartë. Shuma që duhet paguar për një vit është 67.392 lekë dhe pensioni shtohet rreth 2,6%. Sqarime më të hollësishme për procedurat që duhet të ndiqni për të bërë sigurime vullnetare do të merrni në drejtorinë rajonale të sigurimeve shoqërore Korçë. Për periudhat që keni punuar e siguruara në Greqi mund të përfitoni pension po të keni 4.500 “ensima”, pra janë krijuar mundësitë që të merrni njëkohësisht dy pensione.

 

Dokumentet e marrjes së pensionit

Pyetje

Në letrën që na ka dërguar z. Agron nga Shkodra me banim në Itali lexojmë: Jam i datëlindjes 31 maj 1954. Mbasi punova 33 vjet gazetar në median e shkruar dhe elektronike në Shqipëri, prej disa vitesh banoj familjarisht në Trieste. Pyes, kur dal në pension, sa vite pune duhen për pension të plotë, a mund të bëj sigurime vullnetare për të shtuar periudhat e punës të siguruara dhe sa lekë duhet të paguaj?

Përgjigje

Ju moshën e pensionit e keni plotësuar më 31 maj të këtij viti dhe për pension të plotë duhen 36 vjet e 8 muaj punë të siguruara në vendin tonë nga mosha 16 vjeç. Me vitet e punës që keni do të merrni pension të pjesshëm në masën rreth 93% të pensionit të plotë që llogaritet duke pjesëtuar periudhat që keni punuar i siguruar me ato që duhen për pension të plotë. Nga dita që keni plotësuar moshën e pensionit nuk keni të drejtë të bëni sigurime vullnetare. Ju rekomandoj që dokumentet e pensionit si libreza e punës, fotokopje e kartës së identitetit, vërtetimet e pagës bruto nga data 1.1.1994, deri ditën që keni punuar i siguruar në vendin tonë, t’i dërgoni në sigurimet shoqërore në Shkodër. Sa herë indeksohen pensionet shtohen edhe pensionet e emigrantëve pavarësisht se ku banojnë pa dërguar asnjë dokument tjetër shtesë. Pensionet në vendin tonë paguhen vetëm në lekë brenda 3 vjetëve. Ju keni të drejtë që të autorizoni sigurimet shoqërore që pensioni çdo muaj t’ju depozitohet në bankë.