Emigracioni dhe rënia e lindshmërisë ndër vite janë faktorë kyç që po ndikojnë te mplakja e fuqisë punëtore në vend dhe thellimi i hendekut te bizneset për mosplotësim stafesh. Fenomeni është global. Revista “The Economist”, së fundmi në një shkrim, analizonte shkaqet e rritjes së plakjes së popullsisë nga rënia e lindshmërisë.Deri në vitin 2050 parashikohet një rënie prej 340 milionë banorësh të popullsisë në moshë pune që përbën grupmoshat nga 15 deri në 64 vjeç. Rënia do të shtrihet në shtetet e kontinenteve Amerikës, Europës, përfshirë edhe shtetet e mëdha aziatike, si Kina, Japonia dhe Koreja e Jugut. Përjashtim nga fenomeni i plakjes së forcës punëtore do të bënin vetëm shtetet e Afrikës Nënsaharine, ku ritmet e rënies së lindjeve ishin shumë të ulëta dhe ardhja e tranzicionit demografik është ende disa dekada larg. Po si ka ndryshuar numri i popullsisë në moshë pune në dekadën e fundit në Shqipëri? Nga rezultatet e Censit të Popullsisë 2023, rezultoi se popullsia në moshë pune në vend kishte pësuar tkurrje të thellë krahasuar me vitin 2011.Numri total i popullsisë në moshë pune nga 1,903,987 persona në vitin 2011 arriti në 1,555,080 persona në vitin 2023, që përbën një ulje prej rreth 349 mijë vetash ose 18,3%. Rënia e numrit të popullsisë në moshë pune është më e lartë se tkurrja e totalit të popullsisë prej gati 14% që rezultoi në Censin 2023 krahasuar me rezultatet e Censit 2011. Referuar të dhënave konstatohet se ulja e numrit të popullsisë në moshë pune është më e theksuar te grupmoshat e reja nga 15 deri në 29 vjeç. Për grupmoshën e parë, nga 15 deri në 19 vjeç, rezulton se rënia është 46,8% krahasuar me rezultatet e Censit 2011.Për grupmoshën 20 deri në 24 vjeç, rënia është 41,2%. Ndërsa për grupmoshën nga 25 deri në 29 vjeç, tkurrja është me 24,9%. Rënia e numrit të popullsisë në moshë pune te grupmoshat e reja, sipas ekspertëve, u vlerësua se erdhi nga emigracioni masiv i të rinjve dhe rënia e lindshmërisë në dekadën e fundit. Ndërsa te grupmoshat më të vjetra nga 55 deri në 64 vjeç ka rritje të popullsisë në moshë pune. Rritja më e lartë është për grupmoshën nga 60 deri në 64 vjeç. Rritja është 48,8%. Për grupmoshën nga 55 deri në 64 vjeç (grupmosha afër moshës së daljes në pension) numri i popullsisë në moshë pune është rritur me 9,6%. Sipas ekspertëve kjo rritje tregon plakje të popullsisë aktive, jo sepse ka më shumë lindje, por sepse ata që kanë qenë të rinj në 2011 tani kanë kaluar në këto grupmosha. Të dhënat e INSTAT për shkallën e pjesëmarrjes në forcat e punës në Shqipëri në periudhën 2019–2024 tregojnë një tendencë të plakjes së fuqisë punëtore. Grupi më aktiv në tregun e punës mbetet ai i moshës 25-54 vjeç, me shkallë pjesëmarrjeje të lartë dhe në rritje, nga 83,2% në 3-mujorin e parë të 2019-s, arriti në 87,6% në fund të vitit 2024.Në të njëjtën kohë, pjesëmarrja e grupmoshës 55-64 vjeç është rritur ndjeshëm – nga 62,9% në 2019 në mbi 75% në vitin 2024, duke dëshmuar një prani gjithnjë e më të madhe të punonjësve më të moshuar në tregun e punës.




















