Edhe një herë për ushqimin dhe të ushqyerit…

1330

IZET S. ÇULLI

Kjo temë kaq e rëndësishme për jetën shqiptare është prekur herë mbas here nga ana ime si mjek. Një shqetësim madhor mbarëkombëtar tek ne, sikurse është edhe ajo e barnave mjekësorë. Po ndërsa këto të fundit nuk merren çdo herë me produktet ushqimore takohemi disa herë në ditë. Mediat e ndryshme i kanë mëshuar shpesh këtij problemi kaq jetësor. Dhe të shikosh tregtoret, që ato  i përgatisin me lloj lloj mbulesash shkëlqimtare dhe etiketash të bukura, të cilat kur i hap për t’i ngrënë, të marrin më qafë me vezullimin e beftë. Nuk duhet të harrojmë perimet (dhe frutat) e krijuara jashtë natyrës së tyre ,pra në mënyrë të rreme, artificialisht. Po drithërat dhe miellrat që  vijnë pa mbikëqyrjen e duhur nga ana e anës të magazinuara atje kushedi sa  vjet më parë; ndërsa fushat tona(për turpin dhe fatkeqësinë tonë) i lëmë lëndina djerrë. Dhe një ministër bujqësie disa vjet më parë, mbas një të dhëne të tillë nga mediat, mbas dy-tri ditësh doli në televizor, serioz dhe aspak zëdridhur e për faqen e zezë të tij dhe të shtetit, u shpreh se miellit nuk i mungojnë, as vitaminat e duhura dhe as hekurin nuk e ka në sasi të dëmshme për njerëzit… gabimisht u mëtua ashtu, se analizat e kryera në laboratorët tanë dolën me tregues të kënaqshëm. “Mjerë kafshët tona, -tha  me ironi të hidhur një blegtor nga Krutja e Lushnjës, se ne e kemi  marrë zhgalin (cenin) me kohë”! Po ashtu  edhe për mishin e peshkun që importohen tek ne që jemi një vend bujqësor e blegtoral dhe lagemi nga dy dete. I konsumon sot ushqimet tona dhe nuk ngopesh, nuk kanë shije, madje shpesh shkrijnë në gojë e s’ke nevojë p.sh që bukën ta përtypësh dhe mbi të gjitha do të dëmtohesh nga shëndeti. Le pastaj për llojet e larmishme  të qumështit, që është një temë  më vete. Dhe përfundimi: Më shumë të sëmurë me sëmundje tumorale e turbullime gjenetike të mëvonshme. Një rrezik i vërtetë, sidomos për ne, që bukën  e kemi përdorur  shumë  si më përpara ashtu edhe sot, për arsye të ndryshme, aq sa për vaktet  e ushqimit shpesh themi thjesht: “Do të ha-më bukë!” Kemi dëgjuar  nga disa spekulatorë të njohur poshtë e lart, se nuk i futin ushqime  e perime të këtilla  në familjet e tyre. Pale pastaj të mendosh  për kushtet tejet skandaloze të mjediseve ku shpesh tregtohen ato: Buzë rrugëve automobilistike apo nën diellin përvëlues të stinës. Nuk gjen aty as më të voglin kusht higjieno-shëndetësor, të cilat shtojnë përkeqësimin organoleptik dhe ndotjen e mëtejshme të këtyre produkteve. Nuk e di, po pse u dashka që vetëm mediat e shkruara dhe ato pamore të japin të parat kushtrimin, të cilat tekefundit nuk e kanë detyrë kryesore këtë problem. A nuk mund të kapen për së pari  nga organet e ngarkuara shtetërore dhe të çohen para drejtësisë ata që kryejnë dukuri  të tilla si edhe ata, të cilët i kanë lejuar veprime të këtij lloji?! A vepron  në kësi rastesh kodi penal për këto shkelje kaq të rënda, që dëmtojnë shëndetin e një populli të tërë? Thonë se ky sistem ekonomiko-shoqëror, paska kryesor fitimin sa më të madh me çdo mjet e mënyrë. Është pra fjala për ushqyerjen, me të cilën ndoshta duhet të fillojë kultura e përgjithshme e njerëzve. Dhe hamë e ç’nuk hamë  dhe s’dimë se ç’hamë!? Po deri kur kështu, deri kur?!