Dr. Alfred Moisiu: Për Aleksandër Moisiun,njeriun dhe artistin

998

Në kuadër të 140-vjetorit të lindjes (2 prill 2019) dhe në 85-vjetorin e vdekjes (23 mars 2020)

Shumë të njohura u bënë interpretimet e tij të Hamletit, të Edipit, të Jedermanit dhe Fedjas në veprën e Leon Tolstoit “Kufoma e gjallë”

Nga ALFRED MOISIU

(Presidenti i Republikës 2002 – 2007)

 

Në kuadër të 140-vjetorit të lindjes (2 prill 2019) dhe në 85-vjetorin e vdekjes (23 mars 2020),në nderim dhe për të përkujtuar aktorin shqiptar me famë botërore Aleksandër Mosiu, shtëpia botuese “Argeta-LMG” do të botojë në gjuhën origjinale gjermanisht dhe në shqip veprën e Hans Bohmit “Aleksandër Moisiu – njeriu dhe artisti” në vlerësimin e 40 personaliteteve botërore shoqëruar me 104 foto.

 

Aleksandër Moisiu ka lindur në Trieste, më 2 prill 1879 dhe vdiq në vitin 1935 në Vjenë, në moshën 56-vjeçare. E kishte lënë me gojë që të varrosej në Markote të Zvicrës, afër qytetit Lugano. Aty është varrosur më vonë edhe bashkëshortja e tij, Johana Tervin.

Babai i tij, Kostandin Moisiu është i biri i Themistokliut nga Kavaja. Themistokli Moisiu, përveç babait të Aleksandrit, kishte edhe një djalë tjetër, Grigorin, nga i cili rrjedh dega e pjesës tjetër të Moisive të Kavajës. Në moshën 19-vjeçare Moisiu shkon në Vjenë, ku me ndihmën e Jozef Kaincit iu përkushtua aktrimit. Më 1898 e nisi karrierën e tij si kompars (aktor që luan rol të vogël) në Burgtheatër. Pastaj vijuan angazhime në teatër në Pragë dhe Berlin. Në Berlin, Aleksandër Moisiu u pranua në seminarin e Maks Rainhardit, me të cilin shkoi në turne në Petersburg (1911). Atje u dallua për rolin e Edipit. Pas këtij suksesi, ai u angazhua në shumë vende të Evropës, Amerikës Veriore dhe deri në Argjentinë.

Fusha e veprimit të Moisiut përfshinte të gjithë spektrin e literaturës evropiane të teatrit, duke filluar që nga tragjeditë antike greke e deri te ato të kohëve moderne. Shumë të njohura u bënë interpretimet e tij të Hamletit, të Edipit, të Jedermanit dhe Fedjas në veprën e Leon Tolstoit “Kufoma e gjallë” etj.

Moisiu vlerësohej shumë nga publiku i tij, për shkak të zërit të tij të bukur si dhe për angazhimin e tij emocional. Ai vlerësohet si një nga aktorët më të mëdhenj në hapësirën gjermanishtfolëse. Në periudhën mes dy luftërave ishte shumë kohë në turne. Prej vitit 1910 e deri në 1935 mori pjesë në 11 produksione të filmave, 9 prej tyre ishin filma pa zë, ndërsa dy ishin me zë. Për të parë se si e ka vlerësuar kultura botërore kujtimin e Aleksandër Moisiut, po përmend fjalët e paharruara të shkrimtarit të madh Stefan Cvajg të thëna në ceremoninë funebre të Moisiut: “Le ta rikujtojmë pra, në këtë çast, me shpirt vëllazëror. Ta mbajmë fjalën që tek ai nuk mund të arrijë, për të dëgjuar akoma në qetësinë e zemrës, zërin e tij, për të riparë edhe njëherë secili prej nesh në shpirt me shikim të brendshëm, figurën e tij të dashur. Atëherë nuk do të jetë i braktisur në vdekjen e tij, nuk do të jetë i humbur, por midis nesh, mik i dashur, figurë e pavdekshme. Aleksandër Moisiu, ylli i rinisë sonë, simbol i bukurisë në pamje e mendim, mik dhe shok të cilin e humbëm por që nuk duam ta humbim, Aleksandër Moisiun, artistin e madh të botës.”

Gjithashtu ai njihej si një nga interpretuesit më të shkëlqyer të “Hamletit” të Shekspirit, pikërisht kjo na shtyu që në vitin 2016, vitin e shkrimtarit të madh anglez Uilliam Shekspir, ta kujtonim edhe veprimtarinë e Aleksandrit. Janë bërë edhe më parë aktivitete të ndryshme që kanë përkujtuar figurën dhe aktivitetin e këtij artisti të madh. Shumë rrugë dhe institucione janë emërtuar në emrin e tij në Shqipëri dhe në Evropë.

Për shembull, në Vjenë, një rrugë pranë Danubit i është vënë emri i Moisiut, dhe në një lulishte pranë saj, në vitin 2005, gjatë vizitës time zyrtare në Austri, është vendosur busti i Aleksandër Moisiut, vepër e skulptorit shqiptar Qazim Kërtusha.

 

Mbi jetën dhe veprimtarinë e tij janë botuar disa libra nga autorë dhe studiues shqiptarë si dhe botërorë. Vasfi Samini  ka qenë ndër të parët që ka shkruar dhe botuar mbi këtë figurë; Selman Vaqarri në vitin 1957, Bardhyl Kosova; më 1960 Vangjel Moisiu, i cili ka bërë një hulumtim shumë të gjerë mbi Aleksandrin, që përveç se librave në shqip, libri i fundit është botuar në gjuhën angleze dhe italiane, mbështetur nga UNESKO. Më 2005, botuesi Mehmet Gëzhilli mblodhi dhe botoi veprën letrare të Aleksandër Moisiut, ku pa dritën e botimit dhe drama “Robi”. Në Kosovë është botuar dhe një përmbledhje e shkrimeve për Moisiun nga Shaqir Foniqi.

Nga botues të huaj, libri i parë është shkruar nga Hans Bohm, botuar në Berlin, në vitin 1927 dhe nga Rudiger Shaper, në vitin 2000 në Berlin, që është përkthyer edhe në shqip.

 

Tashmë është bërë e njohur nga të gjithë se Aleksandrin janë përpjekur ta përvetësojnë shumë shtete evropiane. Italia i dha edhe nënshtetësi, në momentet e fundit të jetës. Nënshtetësinë shqiptare, Mbretëria Shqiptare ia kishte dhënë, sipas kërkesës së tij, që në vitin 1934. Por sikurse është zbuluar edhe nga dokumentet e mëhershme, rezulton që edhe Princ Vidi ia kishte dhënë dokumentin e nënshtetësisë shqiptare që në vitin 1914, po me kërkesën e tij, shoqëruar nga një deklaratë domethënëse ku ai thotë: “Gjaku im i përket origjinës shqiptare, dhe origjina është ajo, që thotë fjalën e fundit. T’i shikosh shqiptarët në jetë, duken si njerëz shumë të qetë, por gjithë ajo qetësi shndërrohet në fuqi luani, e s’ka Zot që i mban, nëse dikush i prek në sedër dhe në të drejtat e tyre.”

Emri i këtij artisti të shquar ndërkombëtarisht është i njohur për shqiptarët prej shumë kohësh. Për ta njohur këtë figurë të madhe në brendësi dhe në madhësi të saj, aq më shumë, për ta përjetësuar dhe pasqyruar aktivitetin e jetës së tij, Fondacioni “Moisiu” në vitin 2016, në bashkëpunim me bashkinë e qytetit të Kavajës dhe me shtëpinë botuese “Argeta-LMG”, arriti të organizojë një ekspozitë dedikuar kësaj figure. Ndërsa vitin e kaluar, në Shkodër, me mbështetjen e Ambasadës Austriake dhe bashkisë së qytetit, u hap ekspozita e hulumtuesit të apasionuar e të njohur të kësaj figure, Pjetër Logoreci. Kjo ekspozitë, në kuadrin e përkujtimit të 140-vjetorit të lindjes, u hap edhe në ambientet e COD pranë Kryeministrisë. Përveç këtyre, janë bërë përpjekje nga ana e Fondacionit dhe e bashkisë së qytetit për të ndërtuar një muze modern për Moisiun në Kavajë, por deri tani jemi ende në fazën fillestare dhe të fjalëve. Presim dhe shpresojmë që në të ardhmen të ketë dhe interesim dhe mbështetje nga qeveria shqiptare e, në veçanti, nga Ministria e Kulturës.

Në këtë kuadër, Fondacioni “Moisiu” në bashkëpunim me institucionet shqiptare dhe ato ndërkombëtare, ka planifikuar një seri veprimtarish si: ekspozita, konferenca shkencore, si dhe një sërë botimesh. Gjatë kësaj periudhe do të botohet e plotësuar vepra letrare e A. Moisiut, do të botohen gjithçka kanë shkruar dhe botuar autorët shqiptarë dhe ata nga bota. Objektivi kryesor i Fondacionit është ngritja e muzeut “Aleksandër Moisiu” në qendër të Kavajës për ta njohur këtë figurë të madhe, me origjinë shqiptare tek brezat e rinj dhe duke e kthyer atë në një shkolle edukimi, kulture dhe arti, të artit dhe kulturës shqiptare dhe evropiane.