Bujar Ferra: E vërteta e ndërtimit të Pallatit Mbretëror

1024
Sigal

Shkas i shkrimit të kësaj letre u bë dokumentari me titull “Historia e ndërtimit të objektit simbol, Pallati Mbretëror, sot Pallati i Brigadave” i ritransmetuar nga televizioni Klan, në emisionin “Opinion. Nuk dëshirojmë as të ulim dhe as të ngremë vlerat e ideatorëve dhe atyre që e realizuan këtë dokumentar. Si fëmije të Z. Xhemal Ferra e ndjejmë për detyrë të mbrojmë dhe ta vëmë në vend djersën e derdhur nga babai ynë për atë objekt që e kreu në sipërmarrje. Mbasi e pashë me vëmendje dokumentarin e sipërpërmendur dhe dëgjova me vëmendje folësin më lindi e drejta të bëj sugjerimet e mia për të informuar mbi të vërtetën e kësaj sipërmarrje, mbështetur në dokumentet që kemi marrë me shumë mundime nga arkiva e shtetit dhe ajo e ndërtimit në Shqipëri. Në atë dokumentar nuk tregohet e plotë historia e këtij e objekti, si filloi për tu ndërtuar aty në kodrën e Mulletit, kush e mori në sipërmarrje, kush u caktua të udhëheq punimet dhe a përfundoi objekti! Folësi në dokumentar thotë se ndërtimi filloi në vitin 1938, mbas vendimit që mori parlamenti dhe qeveria e kohës. Ne sqarojmë se shumë përpara vitit 1938 ishte marrë vendimi që të ndërtoheshin dy vila, një për ish mbretin dhe tjetra për familjen e tij. Për këtë ishte caktuar një fond prej 180 000 Fr.ar (monedhë e asaj kohe) dhe në sipërmarrje iu dha babait tonë Xhemal Ferra, sipas vendimit të qeverisë së asaj kohe. Për nevoja të mbretit dhe të qeverisë të kohës u mendua që njëra nga vilat (ajo e ish mbretit) të kthehej në pallat, ku përveç banimi të kishte dhe ambiente të tjera për shërbime qeveritare të pritjes, etj. Për këtë arsye qeveria e asaj kohe merr vendimin të ngarkojë Ministrinë e Punëve Botore (Ministria e Ndermit e asaj kohe) të lidhë kontratë private me shoqërinë XH. FERRA – H. SHEHU dhe caktohet vlera e re për ndërtimin e objektit në 220 000 Fr.ar. Përveç sa u tha më sipër, qeveria e kohës caktoi dhe dy inxhinierë, Vasil Noçkën dhe Giulio Berte (italian) që kishin kompetenca të plota për kontrollin cilësor të materialeve, zbatimin e projektit dhe shpenzimet që shoqëria do të bënte për ndërtimin e këtij objekti.

Folësi nuk pushoi së përmenduri Inxh. Berte, ndërsa inxhinierin shqiptar Vasil Noçka nuk u përmend në asnjë moment, ndonëse kompetenca dhe kontributi i tij ishin shumë më me vlerë. Për rëndësinë që kishte objekti shoqëria Ferra-Shehu derdhi në bankën e shtetit, sipas rregullave, shumën prej 10 000 Fr.ar. Për rëndësinë që kishte ky objekt kemi vënë re, duke u mbështetur në dokumentet, se rruga për realizimin e tij ishte e vështirë sepse çdo gjë kalonte në sitën e imtë të këtyre dy specialistëve dhe dikastereve që ishin ngarkuar ta kontrollonin. Për sa i përket mbarimit të këtij objekti, mjafton të përmend vetëm një fakt, shoqëria Ferra-Shehu në pranverën e vitit 1939, pak para pushtimit të Shqipërisë, i paraqiti inxhinierëve situacionin përfundimtar të punimeve me vlerë 246 000 Fr.ar, dokument të cilin e disponojmë. Dy inxhinierët kontrollues, këtij situacioni e korrigjuan me shkrim dore dhe situacioni në fjalë arriti vlerën reale 267 000 Fr.ar. Në dokumentar përmendet që objekti u la i pambaruar,por tejkalimi i vlerës prej 47 000 Frar tregon që objekti ishte mbaruar dhe i ishte dorëzuar administratës së kohës. Pra në kundërshtim me atë që thuhet dhe sipas provave që zotërojmë, objektin nuk e mbaroi Iacomoni, të cilit i bëhen elozhe më shumë se ç’duhet në dokumentar, ai objektin e gjeti gati të mbaruar nga babai ynë. Ai nuk pati kohë aspak të merrej me këtë objekt, sepse po merrej me përgatitjen e listave për burgosjen dhe internimet të njerëzve patriotë e të ndershëm , që në fillim të muajit Qershor i dërgoi në kampet e internimit në Itali. Në këto lista bënte pjesë babai dhe xhaxhai ynë, babain e dërguan në Colfiorito dhe xhaxhain e dërguan në Abruzzo. Iacomoni dhe shërbëtorët e tij vendosën vetëm emblemat dhe stemat e fashizmit dhe bënë ndonjë ndryshim tepër të vogël, sepse inxhinieri Berte ishte i tyre. Atij objekti nuk i munguan as instalimet elektrike dhe as ato hidraulike, që ishin impiante të veçanta dhe të vendosura në objekt. Po ashtu sipas kontratës babai ynë realizoi rrugën lidhëse të objektit me rrugën nacionale (Rr. e Elbasanit), 570 m e gjatë dhe murin mbajtës, sepse kodra e Mulletit pati një rrëshqitje në atë kohë. Në këtë dokumentar nuk përmendet në asnjë moment puna që është bërë nga Z.Xhemal Ferra, na takon neve dhe vetëm ne që punën e atij 76-vejçare ta mbrojmë aty ku duhet, mundësisht mos të hidhet mjegull mbi të. Punën e tij e vlerësuan presidenti Gronki dhe kryeministri Fanfani i Italisë për kontributin në zhvillimin e industrisë tekstile. Po ashtu puna e tij u vlerësua dhe nga SHBA, nga presidenti Xhonson dhe më vonë ai Nixon, në lidhje me kompaninë e madhe të pambukut Anderson Clayton, i ftuar dhe zyrtarisht në ceremoninë e emërimit të Nixon, si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Besoj dhe shpresoj se këto mjaftojnë për t’i dhënë vendin që i takon në vendin e tij të lindjes, që ai e deshi, e mbrojti dhe punoi pareshtur deri në frymëmarrjen e fundit.