Biora Vojka: Turizmi “fushë me lule” i Kumbaros!

449
Sigal

Qeveria shpesh mburret për sektorin e turizmit dhe shprehet se Shqipëria po vizitohet çdo vit nga turistë të huaj, por duket se nuk i ka kushtuar as këtë vit vëmendjen e duhur cilësisë dhe standardeve të plazheve. Vëzhgime dhe ngjarje tragjike tregojnë të kundërtën e turizmit “fushë me lule” që kërkojnë  të na imponojnë, krahas plazheve të ndotura dhe mungesës të sigurisë për pushuesit. Ministrja Mirela Kumbaro madje u mburr publikisht, duke deklaruar se turistët e huaj që më parë zgjidhnin Greqinë, tashmë po zgjedhin Shqipërinë për të pushuar. Ajo e përmbylli fjalën e saj duke nënkuptuar se Shqipëria i ka vjedhur Greqisë turizmin… ‘Është shumë interesant fakti që shumë fluks turistësh, që shkonin drejt Greqisë, tashmë janë kthyer në Shqipëri’,-deklaroi ndër të tjera Kumbaro. Ndërkohë turizmi në Shqipëri lëngon nga ujëra të pista, që hidhen në det, mbeturina në plazhet publike dhe mungesën e banjove. 11 persona janë mbytur këtë sezon turistik. Mes 11 viktimave, janë dhe 4 fëmijë të mitur.

Ngjarja me e afërt tragjike shënoi me mbytjen në plazhin e Durrësit të 18-vjeçarit, Anri Kashiku. Ai hyri të shpëtonte vëllain e tij dhe shokun 15-vjeçar, por më pas nuk ia doli dot vetë. Pyetja është se “ku ishte roja bregdetare dhe a ka ky plazh një të tillë?”. Përgjigjia është jo dhe përgjegjësia për këtë duhet bie mbi ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, e cila përveçse të shqetësohet që të ftojë djemtë grekë të martohen në Shqipëri, mbase duhet të vendos dorë në turizmin shqiptarë, që të mos përballemi me të tilla situata tragjike, si pasojë e papërgjegjshmërisë së shtetit.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit të kërkojë heqjen e licensave për subjektet që nuk kanë roje detare sipas Nenit 7 të V.K.M-së ose largohet duke dhënë dorëheqjen. Sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, çdo subjekt që merr lejen për të përdorur , zonën e plazhit duket të pajiset me rojën bregdetare të kullave të vrojtimit. Teksa plazhet publike numërohen me gishtat e dorës dhe  vija bredetare është zaptuar nga oligarkë e investitorë strategjik, përse Ministrja Kumbaro bën një sy qorr, teksa merren jetë njerëzish?