Bexhet Rrapaj: 102 dëshmorët e Tërbaçit kanë lënë amanet: Ta duam Shqipërinë!

658
Sigal

Në njësitë partizane morën pjesë 290 veta, nga të cilët 24 ishin gra e vajza

 

 Fshati që nxori 4 “Hero i Popullit”  dhe që historikisht nuk ka asnjë tradhëtar

 Bexhet Rrapaj

-Kryetar i Shoqatës Artistike Kulturore “Tërbaçi”

 

Ky 5 maj, sivjet u festua në kushtet  të një pandemie Botërore. Kjo diktoi që në këtë 5 maj, nga drejtuesit lokalë të bëhej dhe një distancim me popullin dhe familjet e dëshmorëve, e cila ishte paksa diskriminuese. Fronti antifashist Nacional –Çlirimtar  ishte ai që e çliroi Shqipërinë dhe u rradhit, aleat me koalicionin ndërkombëtar, kundra Nazizmit hitlerian. Në këtë fitore, kundra pushtuesve dhe bashkëpunëtorëve të tyre dhanë jetën 28.000 dëshmorë. Tërbaçi është fshati me kontribute të mëdha për liri e pavarësi . Nga Tërbaçi, në të gjitha kohërat kanë dhënë jetën për liri e pavarësi, 102 veta.

Lufta më e përgjakëshme e më e gjatë dhe e rëndësishëme për fatet e kombit Shqiptar, mbas shpalljes pavarasisë nga Ismail Qemali, ka qënë ajo Nacional -Çlirimtare. Në këtë luftë morën pjesë mbi 70.000 partizanë e partizane. Tërbaçi e mbështeti plotësisht frontin Antifashist Nacionalçlirimtar. Morën pjesë në njësitë partizane 290 veta, nga të cilet 24 ishin gra e vajza. Dhanë jetën 60 dëshmorë.

Tërbaçi është fshati me 4 “Hero i Popullit”:

Hysni Kapo  -Udhëheqës e organizator i shquar i luftës, komisar i parë i Brigadës së 5-të Heroike , Zv.komisar i Zonës së parë Operative Vlorë –Gjirokastër, komisar divizioni dhe korparmate, njësitë më të mëdha të kësaj ushtrie. Mbas çlirimit ai kreu shumë detyra të larta si në ushtri dhe në organet e pushtetit e strukturat e larta partiake të kohës. Ka qenë i zgjedhur deputet i Kuvendit Popullor nga 1946 deri 1979, si përfaqësues i Vlorës. Hysni Kapo ka shumë kontribute dhe në ruajtjen e forcimin e unitetit në Tërbaç. Është merita e vetme e atij që në Tërbaç, nuk u cilësua asnjë kundërshtar politik i kohës, e cila i ka shërbyer forcimit të unitetit. Le ta ruajmë këtë unitet të vyer si trashëgim të të parëve tanë.

Halim Xhelo  -Ky demokrat revolucionar kundërshtar i hapur i Ahmet Zogut. Gjatë gjithë jetës së tij luftoi për mbrojtjen e të drejtave e lirive të të varfërve , për të cilat shprehej dhe në shtypin e kohës:  “Do vijë koha e këmbëzbathurve (e fshatarëve e punëtorëve) , ajo erdhi 29.11.1944.

Haredin Bylyshi  -Ky djalosh 21 –vjeçar, ra heroikisht i rrethuar nga pushtuesit dhe bashkëpunëtorët e tyre me 18 tetor 1942. Haredini u aktivizua nga të parët në rininë komuniste, për kontributin e tij ishte zgjedhur anëtar i Komitetit Qarkor të rinisë antifashiste në Vlorë.

Vebi Hoxha  -Partizan i orëve të para, pjestar i Brigadës Parë sulmuese Heroike. Gjeneral i talentuar i ushtrisë, drejtues në divizione e korparmata të ushtrisë dhe zv/shef i Shtabit të Përgjithshëm,  mbas çlirimit.

Në këtë 5 maj populli nderoi këta heronj të Lirisë. Në këtë 5 maj, ne tërbeçiotët nderojmë komandantët e zv/komandantët e batalioneve, Haki Bylyshi, “Blloku”, Resul Veli Çelaj, pjestar që i Luftës Vlorës, që me trimërinë e tij u bë Heroi betejës në Qafën e Kiçokut. Trimin Veledin Haskaj, i cili marshoi me plumbin në trup, deri në çlirimin e Shqipërisë, dhe komandantin e çetës së Tërbaçit, Beqir Selimi. Ne kujtojmë mësuesin Ibrahim Ali Skëndaj, një mbështetës aktiv i luftës, arrestohet dhe merret egërsisht në sy të dy çupave të vogla, dërgohet për internim në kampin famëkeq  të Mathausenit, vdiq atje në moshën 58- vjeçare. Apo trimin, një nga komandantët e njësiteve guerile të Vlorës, Mico Emin Skëndaj.

-Kujtojmë të rinjtë adoleshentë 15 vjeçarë  Memo Zyka, Shyqyri Salati, Delo Beqiri me të vëllain Sihatin, si dhe përgjegjësin e rinisë birin e Halim Xhelos, Nysretin. Ne kujtojmë dy vazjat e reja Anife Kiçaj dhe Taze Çelaj këto vazhduese të lejgendares Miro Tërbaçi, si dhe gruan e nënën, Farie Bufaj.

Ne kujtojmë sot trimat Dino Muho, zv/ komandant  kompanie, e Myrte Sadikaj z/ komandant i çetës në sulmin në batalionin “P.Rexhepi”  dhe mitralierin Çize Resuli. Ne kujtojmë katër dëshmorët e një dite, rënë më 21.09.1944: Nexhip Metaj, i cili la kopenë në malin e Tartarit, mori pushkën e babait e doli partizan, Osmen Rrapon, Dervish Xhyvelin e Memo Zyken, rënë në malin e Kolesianit të Kukësit. Ne kujtojmë tre dëshmorë të tjerë të një dite, ata të Qafës së Gjarpërit, rënë më 7.6.1944: Nysret Halim Xhelo, djalin e vetëm Hodo Gaçaj dhe Laçe Shaban Malaj. Ne kemi familje me më shumë se 1 dëshmorë: Nuro Bylyshi i dha luftës dy djem: një Hero –Haredini, dhe një Dëshmor- Hakiun. Meto Delo Beqiraj i dha luftës po dy djem, Sihatin dhe Delon 16 -vjeçar.  Gjikajt një fis me tradita luftarake, në këtë luftë kanë 6 dëshmorë: Cano, Alushi, Asllani, Sheme, Selmani e Sali Gjika i luftës 1920. Në këtë 5 maji ne kujtojmë Shuaip Parosën, infermieri i kompanisë, ai mjekonte plagët e partizanëve dhe i bënte gati për në luftë; Riza Salatin, babai që nuk arriti të shihte djalin Tekiun; Rait Zykën, ky baba 47- vjeçar që la bonjakë  5 fëmijë; Hodo Barjamin komandantin e skuadrës ; Tafil Habilin, Jaho Nikën, Muço Ganën, Remzi Skëndaj, Mejdi Beqiraj, Murat Meta, Zeqir Gjokën, Tahir Habazin, Dervish Merko,  Zeno Haxhiaj e Ali Berdaj. Ne sot kujtojmë trimin Pilo Begaj, shoqërues i “Besnikut” partizan i orëve të para, i rritur pa prindër, rënë në Luftën e Drashovicës. Me gjithë tentativën e “Besnikut”  për ta shpëtuar, nuk u arrit, prej breshërisë së madhe të plumbave, ku u plagos dhe vetë Komisari. Ne kujtojmë sot dhe dëshmorin Qemal Çize Shabani,  i lindur në Velçë. Ai nuk njohu dot prindërit. Në moshën 1 vjeç merret dhe rritet nga tezja Bele Hoxhaj, bashkëshorte e Abas Hoxhës. Në moshën 18 vjeç, ai doli partizan nga Tërbaçi, për të rënë dëshmor në Sanxhak të Kosovës. Siç dihet Brigata e V-të Heroike gjatë Luftës kaloi dhe matanë kufijve shqiptarë në trojet shqiptare jashtë këtyre kufijve, në Kosovë. Gjatë luftimeve me pushtuesit gjermanë dhe bashkëpunëtorët e tyre në territorin e Kosovës, dhanë jetën 6 veta.

Sot ne i përkujtojmë këta heronj e dëshmorë  të lirisë. Do vazhdojmë  t’i ruajmë në zemrat tona dhe t’i mbrojmë  nga mohimi dhe baltosja që mundohen t’u bëjnë tradhëtarët.

Pak histori

Fshati i Tërbaçit njihet nga më të hershmit në krahinën e Labërisë e Luginën e Mesaplikut të Vlorës. Ai ndodhet midis kurorës së maleve të Stogoit, Qores, Çikës, Bogonicës, Kunjovës, Çipinit e Tartarit, në pjerrësinë jugore të vargmalit të Lungares, rrëzë malit, në lartësinë 552 m mbi nivelin e detit. Mali i Çikës me lartësi 2050 m e kufizon atë me fshatrat e Bregut. Terreni i tij dhe përreth fshatit është fushor, kodrinor dhe malor i thyer me pyje e shkurre, vende – vende i zhveshur. Nga perëndimi ai kufizohet me malet e fshatit Brataj deri në qafën e Shëngjergjit, ku kufizohet me fshatin Dukat. Nga veriu kufizohet me fshatin Brataj dhe nga jugu me fshatin Vranisht e malin e Çikës, pas të cilit ndodhen fshatrat e Bregut. Fshati shtrihet në lartësi, nga 200 m e deri në 2000 m mbi nivelin e detit. Si pasuri kryesore, zona ka bagëtinë e imët dhen e dhi. Fshati ka plot kullota verore dhe dimërore, në kodrat me shkurre e pyje dhe malet e larta. Banorët e fshatit Tërbaç, shquhen për tradita të mira në mbarështimin e blegtorisë. Malet e Tërbaçit janë shumë të mira si kullota, për të veruar e vjeshtuar me mijëra krerë dhen e dhi. Pra, blegtoria e saj nuk e ka të domosdoshme për të shtegëtuar në zona të tjera të largëta. Tërbaçi në kuptimin e përgjithshëm, është me një terren tërësisht të thyer malor. Në aspektin fizik, territori ka mundësi tepër të kufizuar komunikimi. Si i tillë ai përbën një ekosistem tërësisht të veçantë dhe i ndryshëm nga të tjerët, çka i jep karakteristika të tipizuara fshatit dhe e bën atë me emër në të gjithë krahinën e Labërisë. Emri i Tërbaçit shfaqet për herë të parë në vitet 350 të erës së re dhe i përket fisit ilir, dega e Labjonëve. Paraardhësi i tyre është Gjin Kriqi, i cili përbën edhe familjen fshat-formuese. Në këto troje, ndoshta edhe nga karakteristikat natyrore, janë rritur burra e gra me karakter  të fortë e të besës. Ata vazhdimisht  kanë luftuar në mbrojtje të territoreve të tyre, si dhe atyre kombëtare. Në vitet 1700-1900,  janë dalluar si prijësa e luftëtarë, Lulo Abazi, Labe Aliu, Shako Xhaka, Zenel Hodo, Dulo Koka, Miro Tërbaçe, Gego Bobja, etj. Këta luftëtarë me çetat e tyre kanë bashkëpunuar me çetat e tjera të Labërisë, Mallakastrës, Himarës, etj.