Bashkia Pukë në Prokurori për tenderat, kryebashkiaku sjellje arrogante me gazetaren e BOOM

971
Sigal

Kualifikimi dhe shpallja fitues e Operatorëve apo Bashkimit të Operatorëve Ekonomikë të cilët nuk kanë plotësuar të gjitha kriteret për kualifikim në 6 procedura prokurimi të realizuara nga Bashkia Pukë, janë përcjellë si indice penale pranë Prokurorisë Pukë, nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Emisioni investigativ “BOOM” ka denoncuar kriteret e vendosura jo sipas natyrës dhe volumit të punimeve si dhe mosplotësimin e dokumentacionit nga ana e subjekteve fituese,  në tenderat: “Rehabilitim i Rrjetit Ujitës te Ujëmbledhësit Kukaj, Dega Luf” dhe “Rikonstruksion rruga Plet, Lagjja Uragji”, Pukë,  në shkelje të ligjit për prokurimin publik dhe vendimit të Këshillit të Ministrave në lidhje me miratimin e rregullave të prokurimit publik.

Në të dyja rastet, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave  pranë Bashkisë Pukë duhet t`i kishte propozuar titullarit të autoritetit kontraktor, kryetarit të bashkisë Pukë, anulimin e procedurave të prokurimit dhe përsëritjen e tyre.

Nëse kishte pasur një propozim të tillë apo jo, gazetarët e “BOOM”, udhëtuan drejt Pukës për të pyetur vetë kryetarin e kësaj Bashkie, ku përballja ishte aspak dinjitoze.

Sekretarja e kryetarit: Duhet të prisni jashtë.

Gazetarja: Jo nuk dal jashtë, nuk kam arsye pse të dal përsa kohë ju më gënjyet.

Gazetarja: Si jeni?

Kryetari i Bashkisë Pukë: Pse je e shqetësuar?

Gazetarja: Unë jam shumë e shqetësuar sepse vij deri këtu, bëj rrugën nga Tirana dy herë…

Kryetari i Bashkisë Pukë: Punë e madhe se vjen ti. Ti s`po vjen për mu.

Gazetarja: Si punë e madhe që vij unë, unë po vij për të marrë një informacion.  Punë e madhe nuk mund të thotë një kryetar bashkie, një titullar, punë e madhe. Është jashtë etike.

Kryetari i Bashkisë Pukë: Bëje shkresën do të jap përgjigje për 24 orë.

Gazetarja: Z.Gjoni a është normale të gënjehet një gazetar, kur kryetari është në zyrë?

Kryetari i Bashkisë Pukë: Se keni hyrë dhunshëm këtu.

Gazetarja: Jo, s`kam hyrë dhunshëm fare.

Kryetari i Bashkisë Pukë: Dhunshëm.

Gazetarja: Kur kryetari është në zyrë unë nuk mund të gënjehem.

Kryetari i Bashkisë Pukë: Si kanë hyrë?

Punonjësja e Bashkisë: Dhunshëm.

Gazetarja: Kjo zonja këtu është police?

Kryetari i Bashkisë Pukë: Po.

Gazetarja: S`është police, më fal, është e recepsionit dhe ajo zonjë gënjeu. Z.Gjonaj mund të na lejoni t`ju themi problemin për të cilin kemi ardhur?

Kryetari i Bashkisë Pukë: Jo, jo. Të lutem mos më privo mundësitë e mia për të lëvizur.

Pas refuzimit të kryetarit, “BOOM” i dërgoi një shkresë zyrtare bashkisë Pukë, e cila në përgjigje shprehet se asnjë nga anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave  ne këto procedura nuk është më në marrëdhënie pune me Bashkinë Pukë dhe se kjo problematikë është në procedurë shqyrtimi nga ana e Agjencisë së Prokurimit Publik.

Përgjigja zyrtare e Bashkisë Pukë

Përsa i përket pyetjeve tuaja në lidhje me 2 procedura prokurimi të zhvilluara në Bashkinë Pukë ju informojmë se aktualisht asnjë nga anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave  ne këto procedura nuk është në marrëdhënie pune me Bashkinë Pukë.

Gjithashtu ju kujtojme se problematikat e supozuara per keto objekte ne KLSH aktualisht janë në procedurë shqyrtimin nga ana e Agjencia e Prokurimit Publik si institucioni më i lartë vendimarrës në fushen e prokurimit i cili akoma nuk ka marrë një vendim,në momentin e marrjes së një vendimi nga APP ne do fillojmë procedurat përkatëse ligjore për zbatimin e atij vendimi.

1.Në lidhje me objektin e prokurimit “Rikonstruksion Rruga Plet, Lagjia Uragji, Bashkia Puke 2017” ju sqarojmë si më poshtë: Ne lidhje me piken per kualifikim e operatorit ekonomik “Delia Impex”i cili sipas akt-konstatimit KLSH nuk ploteson 1 kriter dhe konkretisht:  

Nuk ka paraqitur listpagesa per muajin Maj 2017 dhe vertetim per kontributet e sigurimeve shoqerore per muajin Maj 2017:

Se pari cilesojme se per kete objekt ne DST jane kerkuar një punësim mesatar i të paktën  10 (dhjete) personave ndersa op.ekonomik “Delia Impex ka paraqitur Vertetimin nr.4750 prot ,date 08.05.2017 dhe ne baze te mesateres se numrit te punonjesve per periudhen e kerkuar Janar 2016-Maj 2017 ka nje mesater prej 799 puntor % 17 muaj =47 mesataria e punëtorve.

Prandaj skualifikimi i ketij operatori ekonomik per nje divijim te vogel i cili nuk cenon ne tersi kriteret e e percaktuara ne DST por as ne vecanti kriterin per numrin e punonjesve do te perbente nje shkelje ligjore nga ana jone ne elimiminimin e ketij op.ekonomik dhe krahas kësaj do sillte zvarritje te procedures se prokurimit dhe mos ofrim sherbimi per qytetaret tane.

2.Në lidhje me objektin e prokurimit “Rehabilitim i rrjetit ujites te Ujembledhesit Kukaj, Bashkia Puke 2017.

Përsa i përket kritereve të vendosur nga ana e specialistetit përkatës në njësisnë e prokurimit duhet të theksojmë se në asnjë moment nuk janë vensosur kritere dsikriminuese apo penalizuarese.

Përsa i përket kriterit ku është kërkuar teknik ndërtimi shoqëruar me diplomë dhe licencë zbatimi për punimet  e ndërtimit , është kërkuar vetëm të jëtë I pajisur me licencë pasi kategorizimi i pikave të caktuara do përbënte një motiv për cënimin e konkurencës.

Në lidhje me pyetjen a ka pas një propozim tek titullari i Autoriteti Kontraktor, Kryetari i Bashkisë për anullimin e procedurës së prokurimit dhe hapjes së një procedure të re?

Ju informojme se s’ka pasur asnjë propozim të KVO për anulim të procedurave të lartpërmendura por raport përmbledhës me përfundimin se operatorët ekonomik që plotësonin kriteret duhet të shpalleshin fitues.