Banorët e Kolonjës, të rrezikuar nga lumi dhe mungesa e urës

843
Sigal

Banorët e Prodanit në Kolonjë: Lumi dhe mungesa e një ure po rrezikojnë jetën tonë, banesat dhe bagëtinë

 

Ashtu si Bashkia e Pustecit në rrethin e Korçës, edhe Bashkia e Kolonjës renditet ndër bashkitë me buxhet të vogël, të cilat e kanë të pamundur kryerjen e investimeve me fondet e veta. Në rastin konkret,  Bashkia e Kolonjës ndihet e paaftë si për ndërtimin e një ure të thjeshtë, ashtu dhe për sistemin e një lumi që të mos dalë nga shtrati. Për pasojë, banorët e fshatit Prodan të kësaj Bashkie dhe fëmijët e tyre e kanë jetën të pasigurtë; po kaq të rrezikuara mbeten bagëtia dhe banesat e tyre. Prej 5 vitesh, lumit që kalon pranë fshatit Prodan, i mungon ura, ndërsa përmbytjet janë të herëpashershme. Kërkesat drejtuar bashkisë për ndërhyrje kanë vetëm një përgjigje: “Bashkia nuk ka fonde për investime të tilla”.

Banorët: Jemi të rrezikuar!

“Në pamje të parë, lumi i Prodanit të jep përshtypjen e një përroi me pak ujë nga i cili nuk mund të vijë asnjë e keqe, madje në verë duket sikur nuk ekziston sepse thahet krejt, – na thonë banorët e fshatit Prodan, – por e vërteta është krejt ndryshe: ai është një lumë me të papritura të shumta dhe të frikshme, si në dimër dhe në verë. Shtrati i tij mbushet me ujë sa herë ka rreshje të dendura, pasi mbledh rrëketë që zbresin nga mali i Gramozit. Kur mbërrin në fshat është një tmerr i vërtetë, gjithçka e përjetojmë me dorë në zemër, sepse shtëpitë, (20 familje), i kemi të ndërtuara buzë lumit, ku secila prej tyre mund të shembet për shkak të gërryerjeve. Një vit më parë na mori stallat e bagëtive. Jo rrallëherë del nga shtrati (të tillë janë përrenjtë që zbresin nga Gramozi), ata dalin nga shtrati dhe rrëmbejnë gjithçka gjejnë përpara, gërryejnë kopshte dhe ara, rrezikojnë jetë njerëzish dhe bagëti. Kjo ndodh sepse  lumi as pastrohet as sistemohet. Gjatë rreshjeve, ai sjell gurë të mëdhenj, të cilët e mbushin shtratin dhe bëhen pengesë për rrjedhjen e lirshme të lumit. Në muajin gusht lumi shndërrohet në përbindësh, megjithatë po bëhen vite që jetojmë me të njëjtin rrezik, pa na ofruar ndihmë askush”.  

Mungesa e urës, tmerri ynë

“Mungesa e urës është një tjetër tmerr më vetë, – na shpjegojnë banorët e fshatit Prodan, – pasi, përveçse nuk lidhemi dot me fshatin Gjonç me të cilin na lidh puna dhe kullotat, nuk lidhemi dot as më fshatrat e tjerë. Ardhja e lumit shpesh është e papritur, na gjen të gjithve si në grackë. Ndodh që pjestarë të familje të jenë në anën tjetër të lumit dhe pjesa tjetër në këtë anë; as ne nuk shkojmë dot andej për të parë çfarë bëhet, dhe as ata nuk vijnë dot në shtëpi. Në raste të tilla nuk kemi mundësi të ndihmojmë njëri-tjetrin dhe e gjitha kjo ndodh për shkak të mungesës së urës, e cila u shemb 5-6 vjet më parë.  E njëjta gjë na ndodh edhe me bagëtitë, nuk shkojmë dot t’i marrim nga kullota. Mungesa e urës nuk na lejon të shkojmë as në kishë, sepse ajo gjendet në anën tjetër të lumit; kur mbetemi pa shkuar atje për një kohë të gjatë, na duket sikur jemi braktisur edhe nga Zoti. Lumi dhe mungesa e urës mbajnë peng jetën tonë, stresohemi vërtetë shumë, sepse jemi të lodhur; këtë avaz kemi edhe në dimër edhe në verë, mbetëm me sytë nga qielli, nëse dalin re të dendura,  katastrofa është duke mbërritur”.

Edhe fëmijët na mbetën matanë lumit!

“Siç e shikoni vetë, fshati ynë ngrihet buzë lumit, na thonë banorët, kështu ka qenë që në krye të herës, por atëherë paraardhësit tanë kishin urë dhe lumë të sitemuar, rrallë ndodhte të dilte lumi prej shtratit, kurse tani, siç e shihni, shtrati i lumit është i mbushur me gurë masivë. Na ndodh gjithashtu që në raste reshjesh, fëmijët tanë të mbeten në anën tjetër të lumit pasi nuk arrijnë ta kalojnë lumin në kohë. Si mund ta ndihmosh fëmijën tënd në një rast të tillë, që të kthehet në shtëpi?!  Duhet të matesh me lumin, shpeshherë të rrezikosh dhe  t’i hysh më këmbë. Dhe të gjitha këto, na ndodhin për shkak të mungesës së urës, qoftë edhe një urë e thjeshtë, mjafton te kemi mundësinë të kalojmë në të dy anët e lumit, sepse kanë për të ndodhur fatkeqësi që nuk do t’i dëshironim kurrë”.

Por kur do të marrin fund tmerret dhe ankthet tona?!”