Babzëzia me taksat/ KESH kontratë pa datë dorëzimi 68 mln USD për dy anijet e energjisë edhe nëse mbeten në pronësi të shtetit

430
Sigal

Firmoset kontratë “e bardhë” për dy anijet e energjisë në Vlorë

KESH  i ngel ‘dopjegjashta’ në dorë, sigurim 20 mln USD për anijet dhe 45 mln të tjera për qiranë 2 vjeçare të tyre

“Tigri 1” dhe “Tigri 3” nuk janë vënë ende në punë, kontrata është pa datë dorëzimi. Emisioni Kronos ka arritur të sigurojë kontratën e marrjes me qira për dy anijet që do të prodhojnë energji në zonën e Triportit në Vlorë. Dy anijet me emrin “Tigri 1” dhe “Tigri 3” do t’i kushtojnë 68 milion dollarë Korporatës Elektroenergjitike edhe nëse nuk vihen asnjëherë në punë, kjo është kosto e qirasë dhe operimit.

45 milion dollarë do t’i marrë kompania amerikane Excelerate Energy për qiranë dy vjeçare (63 mijë dollarë/ditë) dhe 22.5 milion dollar firma Renco për ofrimin e shërbimit të operimit (31.5 mijë dollarë/ditë).

Anijet u kontraktuan me një procedurë emergjente e me këtë justifikim, KESH hapi një tender emergjent ku u la vetëm 3 ditë afat për dorëzimin e ofertave. Ligji për prokurimin publik kërkon që edhe në tendera emergjentë, afati për dhënien e ofertave të jetë të paktën 10 ditë. KESH e publikoi thirrjen në buletinin e Agjencisë së Prokurimit Publik më datën 24 janar dhe e mbylli më 27 janar.

Pavarësisht emergjencës, një vit pas tenderit anijet nuk janë vënë akoma në punë. Madje edhe nëse do të jenë gati për të prodhuar energji, sot kostoja e prodhimit të energjisë së tyre është më e ulët se energjia që shitet në bursa. Çmimi mesatar për 1 megavat orë energji elektrike në bursën Hupex për muajin janar është 130 euro/Mëh, ndërsa kosto e prodhimit të energjisë nga dy Tec-et e anijeve është 190 euro/MËh, duke i bërë jo efiçente dhe të panevojshme. Pavarësisht kësaj, qiraja dhe operimi do të paguhen. “Anijet mund të përdoreshin vetëm për një periudhë 2 ose 3 muaj një vit më parë kur çmimet ishin shumë të larta, këtë vit nuk ka logjikë ekonomike për t’i përdorur dhe t’i marrësh me qira 2 vjet është një periudhë shumë e gjatë”. thotë pedagogia e ekonomisë Suzana Guxholli.

Por edhe pse pala e shtetit do të dalë me humbje nga kjo kontratë, kompania nuk do të ketë asnjë penalitet. Kjo pasi për herë të parë një kompani shtetërore shqiptare në një procedurë emergjente firmos një kontratë “të bardhë”, pa datë dorëzimi dhe pa penalitet, duke shkelur kështu edhe kriteret që ka vendosur vetë në garë. Një nga kushtet e vlerësimit të ofertave, e cila kishte 20 pikë të garës është periudha kohore e instalimit dhe vënies në funksion të impianteve që prodhojnë energji. “Papritur doli kjo skema e kontaktimit të dy anijeve të cilat do të sillnin energji. Natyrisht kjo u shit se u përdor një moment piku në bursën e energjisë me një shifër, e cila qëndroi aty në bursë për gati një ose dy ditë maksimumi që shkonte diku tek 600 euro për megavat orë dhe u përdor e gjitha si një justifikim për të lidhur këtë kontratë.” thotë Pano Soko, ekspert ekonomie. Kontrata zbulon se ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku nuk ka thënë të vërtetën kur premtoi se anijet pas dy vitesh do të mbeten në pronësi të shtetit. Madje kontrata e ngarkon KESH që të presë një siguracion për të mbuluar vlerën 20 milion dollarë për pjesët e anijeve, në mënyrë që ato të dorëzohen në gjendje të padëmtuar pas përfundimit të periudhës së qiramarrjes.

“KESH duhet të presë një policë sigurimi dhe një kopje të saj t’ia dorëzojë pronarit të anijeve si një kusht për kthimin në gjendje të padëmtuar të tyre.” thuhet në kontratë. Por vetë vlera 20 milion euro që Excelerate Energy i ka vendosur anijeve, bie ndesh me atë të qirasë që do të paguajë KESH. Nëse anijet vlejnë 20 milion euro, atëherë përse KESH nuk i bleu vetë por i merr me qira 45 milion euro? “Mospërcaktimi i afateve dhe mostransparenca i asaj që do harxhohet, sepse në fund të fundit janë paratë e taksapaguesve shqiptarë kuptohet që është e papranueshme dhe shumë e debatueshme.”- shprehet Suzana Guxholli. Kontrata nga ana tjetër mbron më së miri interesat e palëve private. Edhe pse dorëzimi i anijeve lihet në dorën e kompanive, kur vjen puna te pagesat, të dyja firmat Excelerate Energy dhe Renco kërkojnë 3 muaj qira avancë, e cila do t’i kushtojë KESH 5.7 milion dollarë për amerikanët dhe 2.35 milion për firmën italiane. Pagesat e tjera mujore duhet të jenë të përpikta, në të kundërt, kompanitë do t’i ngarkojnë KESH-it një interes euribor plus 8%.

Përveç vendosjes së një interesi të lartë nëse vonohet pagesa, kontrata e mbron kompaninë edhe nëse brenda saj ka paligjshmëri apo zbulohen shkelje. “Nëse një dispozitë e kësaj Marrëveshje është apo bëhet e paligjshme, e pavlefshme apo e pazbatueshme në çdo juridiksion, kjo nuk duhet të prekë ligjshmërinë, vlefshmërinë dhe zbatimin e dispozitave të kësaj Marrëveshje.”- thuhet në marrëveshje. Kontrata mes KESH dhe Excelerate Energy u negociua në muajt shkurt dhe mars, për t’u firmosur më datën 4 prill 2022. Ajo shërbeu si një garanci për kompaninë Excelerate Energy për të marrë një kredi për kapital qarkullues te banka JP Morgan Chase në New York duke lënë dhe si barrë siguruese aksionet e firmës Excelerate në Shqipëri. Banka akordoi linjën e financimit më datën 18 prill, 12 ditë pasi u firmos kontrata me KESH-in. Excelerate dhe Renco jo vetëm që do të fitojnë para nga kontrata e anijeve, por dhe angazhimi financiar i tyre mbështetet te priviligjet që i ka dhënë kontrata me Shqipërinë dhe jo nga asetet financiare që kanë.MCN

Som

– Tec-et, ndryshe nga sa u tha, nuk do te mbeten në pronësi të shtetit, madje KESH do te duhet të presë një police sigurimi për një vlerë 20 milion usd që kushtojnë anijet. Nese anijet kushtojnë 20 milion usd, atëherë pse duhet të paguajme 45 milion usd për qiranë 2 vjecare të tyre? A do të na dilte më lirë t’i blinim?

Som

– Kompania Excelerate Energy nuk dha asnje qindarkë të vetën për të blerë anijet. Në 4 prill 2022 firmosi kontraten me KESH dhe shkon në bankë për të marrë kredi pas dy javesh. Me ato para siguron anijet. Prapë, a do na dilte më lirë të merrnim kredi vetë së të paguajmë interesat e kredive të firmës private? Pra, interesa mbi interesa?

Som

– Tec-i i Vlores nuk punon prej 9 vitesh sepse nuk i punon sistemi i ftohjes. Teknologjia e tij është me naftë dhe ka kapacitet të njëjtë prodhimi me dy anijet. A do na leverdiste më shumë të rregullonim sistemin e ftohjes që ka një faturë financiare më të ulët dhe kohë rregullimi më të shpejtë se të prisnim 1 vit të vinin anijet? Po ashtu një vepër që kemi shpenzuar 110 milion euro për ta ndertuar do ta vinim më në fund në operim?