Babëzia e Postës Shqiptare Hedhin para për mijëra litra karburant për makinat që s’lëvizim nga vendi dhe 100 mijë USD për zyrat që s’u rregulluan

180
Sigal

 

Automjetet në pronësi të Filialit të Postës Shqiptare në Korçë qëndrojnë të parkuara në afërsi të godinës teksa për lëvizjen e tyre shpenzohen paratë e taksapaguesve

Të martën u denoncuan abuzimet me fondet publike të Filialit të Postës Shqiptare në Korçë, e cila ka shpenzuar mijëra litra karburant për dy automjete që nuk kanë lëvizur.

Madje, në vitin 2020 u bë një tender me vlerë 100 mijë USD për rikonstruksionin e disa zyrave, por që s’kanë përfunduar ende, megjithëse afati ka 1 vit që ka mbaruar. Sipas dokumenteve që disponon, Filiali i Postës Shqiptare në Korçë hapi në nëntor 2020 një tender me vlerë 100 mijë USD për rikonstruksionin e zyrave në Korçë, në Devoll dhe në Ersekë. Në datën 12 janar 2021 u shpall edhe fituesi, i cili brenda 5 ditëve duhet të fillonte punën për rikonstruksion. Afati për përfundimin e punimeve ishte vetëm 2 muaj. Por, kur kanë kaluar më shumë se 1 vit nga përfundimi i afateve, ende s’ka përfunduar rikonstruksioni i plotë i zyrave. Zyra lokale në Ersekë ishte “harruar”, teksa ishin bërë disa punime sporadike në disa zyra, të cilat ende s’kishin përfunduar. Ndërkohë, sporteli i shërbimeve, nuk ishte prekur me dorë.

100 mijë USD për zyrat që s’u rregulluan

Tenderi u zhvillua në datë 14 dhjetor 2020, ku kanë marrë pjesë kompania Avduli me ofertë 7.7 milionë lekë, kompania Boshnjaku me ofertë 8.2 milionë lekë, Elda Vl nuk ka paraqitur ofertë. Ndërkohë, ka marrë pjesë edhe bashkimi i operatorëve ekonomikë NEAL 86 dhe KUPA, të cilat ofruan 9 milionë lekë. Sipas një dokumenti që disponon Fiks Fare, janë s’kualifikuar 3 kompanitë e para që kanë ofruar më pak dhe është shpallur fitues oferta më e lartë. Përkatësisht bashkimi i operatorëve ekonomikë NEAL 86 dhe KUPA, që ofruar 9 milionë lekë!

Në dokumente thuhej se afati për ekzekutimin ishte 2 muaj. Por, sipas pamjeve që mbërritën në në  Fiks, rezultoi se punimet në Filialin Qendror të Postës së Korçës, ambientet e brendshme vetëm sa ishin lyer. Por, edhe boja ka filluar që të dalë. Madje, kabllot nuk janë sistemuar. Punimet e tjera janë bërë sipërfaqësore. Gazetarët shkuan në ambientet e këtij filiali, ku punonjësit thanë se “punimet janë bërë të dobëta”. Sipas tyre, nuk janë bërë punime cilësore, madje firmën që ka kryer këto punime nuk ua sugjeruan gazetarëve.

Ndërkohë, në redaksi mbërritën disa foto dhe video nga filiali i Postës në Ersekë. Fasada dhe sportelet e postës nuk janë prekur me dorë, megjithëse ishin në inventarin e dokumenteve të tenderit. Ndërkohë, ka pasur disa punime sporadike në zyrat e administratës, por janë lënë në mes, megjithëse afatet kanë përfunduar 1 vit më parë.

Në momentin që gazetarët u interesuan te Filiali i Postës për tenderin, marrin informacion se punonjësit në Ersekë janë urdhëruar që të lirojnë zyrat për fillimin e punimeve. Në Ersekë, ku nga vëzhgimi i rezultoi se punimet në zyrat e Ersekës ishin lënë në mes. Në ambientet e administratës ishin bërë disa punime që s’kishin përfunduar, ndërsa te sporteli s’kishte filluar ende puna. Gazetarët biseduan edhe me shefin dhe përgjegjësin e këtij filiali, të cilët pranojnë se ishin marrë në telefon për punimet sipas fiks fare. Sipas tyre, punonjësit e firmës njëherë vinin dhe njëherë iknin, pasi urdhëroheshin për punë në qytete të tjera.

Pas më shumë se 1 vit nga përfundimi i afateve, ende s’ka përfunduar rikonstruksioni i plotë i zyrave për të cilën u tenderuan 100 mijë USD

Mijëra litra karburant për makinat që nuk lëvizin

Nga vëzhgimi disa ditor, në muaj të ndryshëm nga rezultoi se dy automjete në pronësi të Filialit të Postës Shqiptare në Korçë qëndrojnë të parkuara në afërsi të godinës. Automjetet me targa AA 937 LT dhe TR 0736 P, rezultojnë se harxhojnë mesatarisht rreth 350 litra karburant në muaj. Ndërkohë, për muaj me radhë, këto automjete s’kanë pasur as shofer.

Mjeti Volsëagen me targa AA 937 LT, nuk është në gjendje pune nga muaji janar 2020. Xhami i këtij mjeti është i thyer, madje për një kohë të gjatë nuk ka pasur as shofer! Por, këtij mjeti i ngarkohen qindra litra karburant çdo muaj! Fiks Fare siguroi dokumentet e dala nga zyrat e Filialit të Postës Shqiptare, ku rezultojnë shpenzimet e karburantit në muajin tetor 2021 të këtij mjeti.

Në total, nga data 6 tetor deri në datën 25 tetor, për vetëm 19 ditë, mjeti ka rezultuar se ka harxhuar plot 380 litra karburant! Është nëse do të vinte përditë në Tiranë, nuk do e shpenzonte këtë sasi! Ndërkohë, Fiks Fare siguroi shënimet e magazinierit të postës së Korçës për muajin mars 2021. I njëjti mjet, në këtë muaj, ka shpenzuar plot 344 litra!

Sipas denoncimit, mjeti me targa TR 0736 P është jashtë përdorimit që nga muaji qershor 2019. Por, këtij mjeti i ngarkohen qindra litra karburant çdo muaj! Sipas një dokumenti të Postës së Korçës, nga data 5 tetor deri në datën 28 tetor 2021, përkatësisht për 23 ditë, ky mjet ka shpenzuar 340 litra karburant. Ndërkohë, në mars të po atij viti, mjeti ka shpenzuar plot 280 litra.

Ndërkohë, këto harxhime, për të dy mjetet, kanë vijuar edhe në janar dhe shkurt të këtij viti. Mjeti me targa TR 0736 P në janar 2022 ka shpenzuar 410 litra. Ndërkohë, në shkurt 345 litra karburant. Mjeti me targa AA 937 LT ka shpenzuar në janar 407 litra dhe në muajin shkurt 392 litra.

Drejtori “fshihet”, s’pranon ballafaqimin e dokumenteve

Shkuam te Filiali i Postës në Korçë dhe kërkojnë drejtorin Hansi Kodra. Punonjësi i postës i thotë gazetarëve se nuk është drejtori, pasi është në inspektim. “Është në inspektim, vonohet” thotë punonjësi, teksa gazetarët i përgjigjen se “e presin, ose i shkojnë ku është drejtori”. Pasi i bëjnë me dije arsyen e shkuarjes në atë filial, punonjësi merr në telefon drejtorin, i cili sërish nuk pranon që të ballafaqojë dokumentet. Madje, redaksia e Fiks Fare i dërgoi edhe një kërkesë për informacion Filialit të Postës Shqiptare në Korçë, por sërish drejtori Hansi Kodra, deri në momentin e transmetimit të këtij investigimi, nuk na ktheu asnjë përgjigje zyrtare. Por, ai na vuri në dispozicion një vendim të prokurorisë së Korçës, e cila ka mbyllur hetimet për një kallëzim të dërguar në mënyrë anonime. Duke qenë se kallëzuesi ishte anonim, vendimi i prokurorisë nuk është ankimuar.

Prokuroria gjatë arsyetimit te vendimit të pushimit për problemin e tenderit të rikonstruksionit të ndërtesave të filialeve të postës në Korçë, Ersekë dhe Devoll është fokusuar vetëm në procedurën e tenderimit. Sipas prokurorisë, postës i jepet e drejta të zgjedhë kompaninë që dëshiron, pasi fondi limit kategorizohet si fond i ulët.

Ndërsa përsa i përket abuzimit me karburantin e automjeteve prokuroria ka kontrolluar vetëm dokumentacionin teknik dhe jo atë të shpenzimeve mujore të karburantit. Në këtë arsyetim edhe prokuroria ka vërejtur se mjeti me targa TR 0736 P dhe AA 937 LT nuk ishin mjete që dilnin çdo ditë në qarkullim, por me raste. Ndërkohë që sipas dokumenteve këto mjete kanë pasur një konsum mujor mbi 300 litra karburant.