Anastas Gurma: Dimri dhe situatën e vështirë pas tërmetit në fshatra

608
Sigal

Situata duket e vështirë, ku duhet vetëveprim, koordinim dhe durim për ta përballuar

T Ë R M E T I, FSHATI  DHE  DIMRI

A N A S T A S   G U R M A       

Si gjithë Shqiptarët po ndjek me vëmendje, shqetësim e dhimbje situatën e rëndë të krijuar nga tërmeti i 26 Nëntorit në gjithë Shqipërinë e mesme e në mënyrë të veçantë në trekëndëshin  Laç-Kavajë – Ishëm. Në fshatrat e kësaj zone e më gjerë, mijëra shtëpi janë bërë të pabanueshme e shumë të tjera janë rrafshuar. Gjendja është e rëndë, sa dëshpëruese dhe tronditëse.    Shumë familje me fëmijë e pleq, kanë mbetur pa strehë. Dimri sa ka filluar, temperaturat do të ulen dhe shirat do të shtohen, rrjedhimisht kushtet për jetesë do të vështirësohen më shume. Fshatarët e dëmtuar nga tërmeti me gjithë vështirësitë e mëdha, nuk largohen nga fshati. Janë të mirëkuptuar dhe të mbështetur, kanë pronën, kanë tokën e të mbjellat, kanë gjënë e gjallë qe i mban gjallë. Janë të detyruar që me çdo sakrificë të qëndrojnë pranë tyre.                    Me aq sa ndjekim nëpërmjet televizorit, shikojmë fshatarë që kanë bërë ngrehina të thjeshta me plastmasë dhe janë strehuar në to. Të tjerë janë në serat e perimeve, apo në dengjet me kashtë të mbuluar me plastmasë. Të tjerë flenë nëpër makina. Këto të papranueshme për një fshatar, sado i paaftë të jetë ai.Të gjithë sytë i kanë nga qeveria dhe kërkojnë çadra. Por edhe çadrat janë një mundësi provizore e përkohshme, por jo për të kaluar dimrin e gjatë, e në mënyrë të veçantë për fëmijët, pleqtë e të sëmurët. Pajisja me kontejner banimi do të jetë shumë e vështirë, për numrin e madh të shtëpive të pabanueshme. Në këto kushte, e në pritje të dimrit, duhen kërkuar mundësi e alternative të tjera dhe të tilla ka disa. Ekziston mundësia, që me mjete të thjeshta rrethanore pa shpenzime, apo me pak shpenzime të krijohen ambiente më të ngrohta, më të mëdha e më komode se çadrat, por edhe të sigurta. Këto ambiente mund të krijohen  vetë nga çdo kryefamiljar, brenda 1-3 ditëve.

CILAT JANE KETO MUNDESI DHE SI MUND TE REALIZOHEN?                                      Në rrethinat e shtëpisë së dëmtuar të gjendet vendi më i përshtatshëm, i mbrojtur nga erërat dhe i orientuar mundësisht nga jug-perëndimi dhe në pjerrësi. Në një sipërfaqe 4m me 4m sipas mundësive dhe përbërjes familjare, mund të jetë me përmasa më të mëdha ose më të vogla, hapet një gropë me thellësi sipas kushteve 0.5m deri 1m. Në të dy anët e saj ngulen dy shtylla të thjeshta dhe një kulm, vendosen dhe drurët anësorë. Kjo sipas mundësisë, mund të mbulohet me kashtë, (zhukë) belizmë, kashtë misri të ngjeshur mirë që të mos lejohet futja e shiut. Rreth e rreth vishet me gardh, të cilit i vendoset kashtë ose bar për tu mbrojtur nga era. Dyshemeja shtrohet me gurë, tulla ose me shkarpa. Në njërën nga anët bëhen 2-3 shkallë për tu futur brenda. Kjo ngrehinë e thjeshtë mund të mbulohet edhe mjete industriale si me katërma, fleta llamarine të valëzuara, dërrasa etj. Më ekonomike, më e ngrohtë dhe më e thjeshtë është me mjete rrethanore, ku në periferitë e fshatrave të zonës së goditur nga tërmeti ka mjaftueshëm. Në këto ngrehina të thjeshta mund të vendosësh një sobë të vogël, e cila mund të shërbejë për ngrohje e për gatim, mund të vendosësh një deri në dy divanë apo krevate dhe një tavolinë të vogël, për të krijuar kushtet minimale për jetesë.                                                                             Një ngrehinë e tillë e thjeshtë është shumë e sigurt, më e ngrohtë se çadra, me shumë pak kosto, ndërtohet shpejt dhe me mundësi të mëdha për tu ngritur vetë nga çdo familje.  Kështu sigurohet strehimi në kushtet e emergjencës, për një kohë të shkurtër, për çdo familje që ka shtëpinë të pabanueshme. Fshatarëve të zonës së dëmtuar nga tërmeti do t’ju sugjeroja me dashamirësi, të mos i mbajnë sytë nga shteti. Shteti është në luftë me pasojat e natyrës. Shteti e ka të vështirë, nuk ka ç’tu bëjë në këtë situatë të rëndë. Edhe çadrat siç e theksuam nuk e zgjidhin problemin. Shteti do të dojë shumë kohë për tu ndërtuar shtëpi të reja. Prandaj alternativa më e mirë, e sigurt, e shpejtë dhe me më pak shpenzime për të përballuar dimrin, është ngritja e ngrehinave të thjeshta dhe me mjete rrethanore.                                                                                               Ministria e Mbrojtjes dhe Drejtoria e Emergjencave Civile, me siguri kanë burime njerëzore, kanë përvojën e duhur dhe i njohin mundësitë e ngritjes së ngrehinave të thjeshta, për të jetuar ne kushtet e emergjencave. Mendoj se është koha për të vepruar, për të lehtësuar sadopak vështirësitë në këto zona të dëmtuara nga tërmeti i 26 Nëntorit.

Strukturat përgjegjëse dhe shtabet e emergjencave në Bashkitë, të cilat ndeshen me këto vështirësi, do të ishte me vlerë të organizonin e të tregonin në praktikë, ngritjen e strehimeve me mjete rrethanore, për të shërbyer si model për të gjithë të dëmtuarit në fshat.