Alarmi i Bankës Qendrore: Rënia drastike e treguesve financiarë të bizneseve ka varfëruar qytetarët dhe po çon drejt falimentit tregtarët e vegjël dhe të mesëm

746
Sigal

Banka e Shqipërisë: Rënie drastike të rezultatit financiar të bizneseve, në të gjithë sektorët, goditjen më të madhe e kanë marrë bizneset e vogla dhe mesme

Pandemia, qytetarët më të varfër, bizneset në vështirësi

Sektori i bizneseve dhe individëve  pësoi një goditje të rëndë nga kriza që shkaktoi pandemia Covid-19, teksa sektori financiar qëndroi i paprekur në 6-mujorin e dytë të vitit 2020, raportoi Banka e Shqipërisë në analizën e Stabilitetit Financiar për gjysmën e parë të vitit.

Aftësia paguese e familjeve është përkeqësuar  ndjeshëm me 37%, niveli më i lartë që nga viti 2011. Nga ana tjetër banka lajmëroi një rënie drastike të rezultatit financiar të bizneseve, në të gjithë sektorët, por goditjen më të madhe e kanë marrë bizneset e vogla dhe të mesme.

Banka e Shqipërisë vlerëson se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2020 (më tej, ‘periudha’), veprimtaria e sektorit bankar u zhvillua në mënyrë të qëndrueshme, pavarësisht  sfidave që paraqiti  situata e pandemisë në vend.

Masat operacionale të marra nga bankat për sigurimin e vijueshmërisë  së funksioneve kritike dhe marrëdhënieve me klientelën dhe masat e marra nga autoritetet publike për zbutjen e goditjes së pandemisë mbi veprimtarinë ekonomike dhe financiare të vendit, mundësuan që veprimtaria e ndërmjetësimit  financiar të vijojë në mënyrë të përshtatshme dhe treguesit financiarë  të sektorit bankar të mbeten në nivele të mira.

Pasiguria për zhvillimet ekonomike në kushtet e pranisë së pandemisë  mbetet e konsiderueshme, dhe të tilla mbeten edhe sfidat për veprimtarinë bankare e financiare. Megjithatë, vlerësimet e industrisë  bankare dhe ushtrimet e provës së rezistencës, sugjerojnë që kapacitetet e sektorit bankar për t’u pëballur me këto sfida janë aktualisht të mjaftueshme. Banka e Shqipërisë, mbetet e gatshme të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas ligjit, për të mbështetur veprimtarinë bankare dhe kontribuar në stabilitetin e sistemit financiar.

Ekonomia, pritjet pesimiste

Të dhënat për tremujorin e parë të vitit provuan tkurrjen e ekonomisë me 2.5%, të ndikuar kryesisht nga rënia e investimeve dhe e konsumit. Norma e papunësisë shfaqi një rritje të lehtë pas disa periudhave me përmirësim të vazhdueshëm. Me qëllim zbutjen e goditjes së pandemisë mbi ekonominë e vendit, Qeveria synoi që pavarësisht rënies së të ardhurave buxhetore të ruajë nivelin e shpenzimeve publike, duke vepruar me shpejtësi për të financuar rritjen e deficitit buxhetor dhe të borxhit publik.

Krahasimi me vende të tjera dhe pritjet për thellim të goditjes së pandemisë në tremujorin e dytë të vitit, tregojnë që ky veprim ishte i nevojshëm dhe i pashmangshëm. Përsa kohë që pasiguria prej pandemisë mbetet e pranishme, kontributi i politikës fiskale në përballimin e efekteve të saj mbetet i rëndësishëm. Ruajtja e një shkalle të përshtatshme fleksibiliteti në afatin e shkurtër duhet gjithsesi të konsiderojë objektivin më afatgjatë për konsolidimin fiskal. Në rang botëror, por edhe në rajon, shumica e vendeve provuan tkurrje ekonomike. Parashikimet për zhvillimet e ardhshme, ruajnë parashikimet pesimiste për vitin 2020 dhe tregojnë se ekonomia botërore gradualisht do t’i rikthehet normave pozitive të rritjes në vitin 2021.

Bie aftësia paguese e familjeve

Gjatë periudhës, sipas të dhënave nga bankat, pozicioni tradicional financiar i individëve si kreditorë neto dhe i bizneseve si debitorë neto ndaj sistemit financiar është zgjeruar. Rritja e depozitave dhe kredive ka qenë pozitive për të dy sektorët, por rritja e depozitave ka qenë shumë më e lartë për individët, ndërsa rritja e kredisë ka qenë e përqendruar tek bizneset. Rezultatet e vrojtimeve për gjendjen financiare dhe ngarkesën në borxh të familjeve, tregojnë se përdorimi i borxhit prej tyre mbetet i kufizuar. Për familjet huamarrëse, gjatë periudhës është vënë re një rënie e aftësisë paguese. Për të ardhmen e afërt, duket sikur kërkesa për borxh do të jetë më e lartë, nga familje që nuk kanë pasur borxh më parë.

Bizneset, pandemia ka dëmtuar rëndë biznesin e vogël dhe të mesëm

Tek ndërmarrjet, përgjigjet e vrojtimit përkatës raportojnë një ndikim të konsiderueshëm nga pandemia, e cila ka paraqitur sfidën kryesore të tyre gjatë periudhës. Ndonëse shumica e ndërmarrjeve kanë arritur të gjenerojnë një rezultat financiar pozitiv, niveli i shitjeve dhe ai i rezultatit financiar  kanë treguar një rënie të jashtëzakonshme për të gjitha grupet e ndërmarrjeve, por më shumë për ato të vogla e të mesme. Rënia e nivelit të shitjeve është shoqëruar me rritjen e mbështetjes nga burime të jashtme financimi (kredi), i cili është përdorur kryesisht për përballimin e shpenzimeve korrente dhe më pak për investime. Financimi i jashtëm ka qenë në rritje për ndërmarrjet e vogla e të mëdha.

Sipas monedhës, mbizotëron financimi në lekë, veçanërisht tek ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Rreth ¾ e ndërmarrjeve, sipas grupeve, e konsiderojnë të përshtatshëm nivelin e financimit. Për rreth 80% të ndërmarrjeve, vlera e borxhit është deri sa gjysma e vlerës së kapitalit. Pritshmëritë për 6-mujorin e dytë të vitit shfaqen më optimiste në drejtim të rritjes së financimit, rritjes së investimeve dhe përmirësimit të performancës financiare.

Bankat nuk ndiejnë krizën

Aktiviteti i sistemit financiar u zgjerua me gati 4.4 pikë përqindje (pp) gjatë periudhës, duke u ngjitur në 111.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Në këtë rritje, sektori bankar kontribuoi me 3.9 pikë përqindje. Treguesit e performancës së sistemit financiar duke përfshirë ata të kapitalizimit, të përfitueshmërisë, të likuiditetit dhe të cilësisë së aktiveve mbeten në nivele të mira. Shkalla e ndërlidhjes mes institucioneve financiare mbetet e qëndrueshme dhe reflekton rëndësinë e qëndrueshmërisë së sektorit bankar për të gjithë sistemin financiar.

Gjatë periudhës, veprimtaria e sektorit bankar u zgjerua me 4% dhe me 7% kundrejt një viti më parë. Kontributin kryesor në rritjen e aktiveve e ka dhënë zgjerimi i investimeve në tituj dhe i aktivitetit kreditues. Në krahun e detyrimeve, depozitat shënuan rritje dhe së bashku me fondet e veta, mbeten burimet kryesore të financimit të veprimtarisë së sektorit bankar. Efekti statistikor i kursit të këmbimit pati një efekt neto rritës në veprimtarinë e sektorit bankar në valutë. Sektori bankar e mbylli gjashtëmujorin e parë të vitit me fitim, por ai ishte rreth 32% më i ulët në krahasim me një vit më parë. Të ardhurat neto nga interesat dhe të ardhurat nga veprimtaritë e tjera ishin të krahasueshme me ato të vitit 2019, por rritja e shpenzimeve për provigjione për kredi dhe për mjete të tjera financiare, e përqendruar në tremujorin e parë të vitit, ka dhënë ndikim negativ në rezultatin financiar të bankave.

Sektori bankar paraqitet i mirëkapitalizuar dhe asnjë bankë e sektorit nuk rezulton me një normë mjaftueshmërie nën minimumin rregullator prej 12%. Në fund të gjysmës së parë të vitit 2020, norma e mjaftueshmërisë së kapitalit zbriti me 0.4 pikë përqindje, në nivelin 18.1%, e ndikuar kryesisht nga rritja e aktiveve të ponderuara me rrezik. Bankat me kapital të huaj dhe bankat sistemike, shfaqin nivelin më të lartë të normës së mjaftueshmërisë së kapitalit.

Bankat kanë perceptuar rritje të rreziqeve ekonomike dhe financiare gjatë periudhës, por besimi i bankave në qëndrueshmërinë e sistemit financiar është ruajtur i pandryshuar në vijim të treguesve të mirë financiarë dhe masave të marra për ruajtjen e tyre. Në fund të periudhës, stoku i kredive me probleme ishte rreth 48 miliardë lekë, pothuaj i pandryshuar gjatë saj. Ndikimin kryesor në këtë qëndrueshmëri të vlerës së kredive me probleme e ofruan përcaktimet në moratoriumin e shlyerjes së kredive, të cilat iu kanë dhënë mundësi bankave të pezullojnë përkohësisht evidentimin e kredive me probleme dhe ndryshimet brenda tyre.

Si rezultat, kredia me probleme është rreth 24% më e ulët se niveli i një viti më parë. Kjo rënie e kredive me probleme gjatë 12 muajve të fundit, e përqendruar në gjysmën e dytë të vitit 2019, është ndikuar nga fshirjet e kredive, shlyerjet dhe ristrukturimi i tyre. Në kushtet e vijimit të rritjes së kredisë, raporti i kredive me probleme zbriti në 8.1%. Gjendja e likuiditetit të sektorit bankar paraqitet mjaft e mirë, megjithë një rënie të lehtë të raporteve të likuiditetit gjatë periudhës. Tek rreziqet e tregut, sektori bankar mbetet i ndjeshëm ndaj rrezikut të kursit të këmbimit përmes segmentit të kredisë së pambrojtur në valutë.

Ekspozimi ndaj rrezikut të normës së interesit mbetet i pranishëm dhe është rritur gjatë periudhës, por vlerësohet i kufizuar. Rreziqet e veprimtarisë bankare reflektojnë dhe ndërthuren me zhvillime të natyrës strukturore. E tillë është ekzistenca për një kohë të gjatë e mjedisit me norma të ulëta të interesit, i cili ruan presionin mbi rezultatin financiar të bankave, nxit ndryshimin e strukturës së financimit të tij drejt burimeve më afatshkurtra dhe nevojës për aktive likuide të larta, si dhe ruan potencialin për rritje të stresit të veprimtarisë në rastin e një korrigjimi të fortë e të papritur. Përdorimi i lartë i valutës në sektorin bankar shoqërohet me rreziqe për administrimin e rrezikut të likuiditetit në valutë.