AKU mban sekret firmat që po helmojnë shqiptarët

266
Sigal

SPAK të nis hetimet për mafien e kontrollit ushqimor, që nuk publikon emrat e pronarëve, produktet ‘vrasëse’, adresat e fabrikave që zhvasin konsumatorin, duke u shitur në supermarkete ushqime me fekale, niseshte, qumësht pluhur e kimikate. Salca nga Kina dhe si u dha për qendër biznesi Laboratori Fiziko-Kimik

Shefja e AKU, urdhëron: Nuk do publikohen emrat e firmave që bëjnë krim ushqimor dhe as të produkteve “vrasëse”

SPAK të mos bëhet palë me mafien e kontrollit ushqimor, që nuk po publikon në media dhe në hyrje të njësive tregtare, emrat e pronarëve, fotografitë e produkteve “vrasëse”, adresat e fabrikave apo depove të shumicës ku janë konstatuar, siç tentoi të mbante të fshehtë produktet e bulmetrave me fekale, kimikate e etiketa false që prodhon e vazhdon dhe shet “Gjirofarma”

Një tjetër urdhër kriminal është dhënë nga kupola mafioze e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, për të lejuar, fshehur dhe mbrojtur krimin ushqimor që bëjnë prodhuesit, tregtarët e importit, depot e shumicës dhe super-marketet. Burime konfidenciale nga AKU, kanë bërë me dije përse drejtoresha e re, Jeta Deda, ish-këshilltare e Ramës, ka nisur detyrën me urdhrin dhënë vartësve në qendër e drejtuesve në qarqe, për të mbajtur të fshehtë çdo abuzim ushqimor që zbulojnë.

Sipas këtij urdhri, asnjë zyrtar i AKU nuk duhet të bëjë publik konstatimet gjatë kontrolleve, madje as në biseda mes kolegësh brenda sektorit, në të kundërt, drejtoresha Jeta Deda, do t’u dërgojë në celular mesazhin: “Suksese në jetë”.

Pra, do mbahet sekret, çdo produkt me përbërës kimik, me rrezatim, të mykura, me etiketa false, sidomos sallamërat me mbetje shtazore, mishra të skaduar, pula të sëmura e të fryra me shiringa.

Në listën sekrete, do jenë bulmetrat me qumësht pluhur, urinë kafshësh, niseshte, vajë palme, por dhe buka me miell kancerogjen e tagji kafshësh, vajrat ushqimorë me përbërje bërsi e vajra motorik, çokollatat, akulloret, lëngjet e pijet alkoolike që prodhohen me ujë kanalesh.
Ky urdhër kriminal i drejtoreshës së AKU, Jeta Deda, filloi zbatimin me fshehjen e krimit ushqimor që ka bërë e vazhdon të bëjë firma “Gjirofarm” në Gjirokastër, duke prodhuar dhe hedhur në treg Kos, Salcë Kosi e disa produkte të përziera me fekale, por më pas dhe me një firmë mishi, së cilës iu publikua vetëm germa “D”.

Fillimisht shefat e AKU e fshehën këtë krim, duke mos njoftuar qytetarët, që firma “Gjirofarm” me adresë në Vrisera të Gjirokastrës, me pronarë Piro Karanxha e grekun Antonios Ouzas dhe administrator Nikolla Gjonin, prodhon bulmetra me fekale, kimikate e etiketa false.
Edhe pas denoncimit nga media, AKU tentoi ta fshehë duke publikuar vetëm shkronjën e parë të emrit e asnjë të dhënë, me absurditetin se dëmtohet imazhi i firmës dhe tregu i prodhimeve të saj.

Sipas mendjes së shefave të AKU, 3 mashtruesit dhe kriminelët e “Gjirofarm”, që zhvasin dhe “vrasin” konsumatorin me produkte fekalesh e kimikate, duhen mbrojtur e lejuar të vazhdojnë krimin me etiketa false si gjoja prodhime me qumësht vendi natyral.

Ligji për ushqimin, detyron Autoritetin Kombëtar të Ushqimit, që nëpër çdo produkt pa cilësi, me etiketa e skadenca false dhe të rrezikshme për shëndetin; të publikojë në media dhe në hyrje të njësive tregtare, këto të dhëna: Emrin dhe fotografinë e produktit, emrin dhe adresën e prodhuesit, sasinë e ambalazhuar të hedhur në treg dhe emrat e pronarëve të firmës.

Ky informacion ndihmon qytetarët, që të mos bien viktimë e produkteve të tilla, mirëpo shefat e AKU, jo vetëm nuk e zbatojnë ligjin, por janë bërë palë ryshfeti e interesash të tjera ortakërore me ta, duke dhënë urdhër të mos bëhet publik asnjë rast krimi ushqimor.

Nëse shefave të SPAK-ut, i ka mbetur pak moral publik, duhet të veprojnë urgjent, për të hetuar dhe ndëshkuar këtë urdhër në favor të bandave kriminale ushqimore, që po “vrasin” gradualisht popullatën, mes tyre fëmijët./Pamfleti

Ketchupi me sheqer të shtuar serviret si “salcë domateje”

E dini përse importohet ekstrakt domateje nga Kina, Turqia, por edhe nga Irani? Me këtë të fundit është gjetur “tranziti” nga Kosova… Për të prodhuar salcën e domateve, të cilat ne i blejmë në markete… shumica e salcave shqiptare kështu është e prodhuar, padyshim edhe të importit. Përdorimi i amidonit (niseshtese) është i lejuar, nëse deklarohet në etiketë, por në shumë raste nuk deklarohet. Ekstrati i domates që importohet është i përzier me ngjyrues, me konservant, por edhe me niseshte. Madje, edhe me vaj soje. Ndërsa ketchup ka dhe sheqer të shtuar. Dhe në fund na serviret ne si “salcë domateje”. Ndaj, kujdes!

 Ja si tentoi Drejtori i AKU Korçë të jepte për biznes ish-Laboratorin Fiziko-Kimik. Lëshoi dhe deklaratë noteriale për ndërtime ngjitur me të

Janë të pakët ata njerëz që duan të fillojnë punë në administratën shtetërore dhe që e shohin punën që bëjnë si shërbim për komunitetin, biznesin, shtetin, për zhvillimin e vendit. Puna në administratë shihet ose si benefit, ose si punë për të mos bërë asnjë punë, për ditë pushimesh e festash dhe për të marrë rrogën. Kjo nuk i përfshin të gjithë.

Këtë hyrje po e lidhim me Drejtorinë e AKU në Korçë, ku duket se administratori i ri, pra drejtori rajonal i emëruar aty në fund të tetorit 2020, i cili duket se asetet e këtij institucioni i shikon si pronë të veten ose që mund të bëjë ç’të dojë me to.

Para afro 2-3 muajsh, siç mësohet nga burime kofidenciale në AKU, në Portalin e Bashkëqeverisjes ka mbërritur një ankesë nga Korça, e cila me pas i është përcjellë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Në qendër të Korçës, dikur ndodhej laboratori Fiziko-Kimik i AKU, në një godinë shtetërore të vjetër, e cila është pronë e Ministrisë së Ekonomisë, e dhënë në përdorim për Ministrinë e Bujqësisë dhe kjo e fundit, lëshuar AKU-së, pra laboratorit në fjalë që ka funksionuar aty deri në vitin 2014. Kur u ndërtua godina e re e AKU, pajisjet laboratorike u morën nga aty, bashkë me ato të Laboratorit Mikrobiologjik, që ndodhej ku ishte AKU deri në atë kohë. Por godina në fjalë, pra ku ndodhej laboratori Fiziko-Kimik ishte dhe është edhe sot, si aset i AKU. E madje, edhe sot paguhet energjia elektrike nga AKU.

Por çfarë ndodhi?

Godina është vërtet pronë e shtetit, ndërkohë që trualli është me pronar. Këta të fundit i dërguan Portalit të Bashkëqeverisjes një ankesë, në të cilën thuhej ndër të tjera, se brenda godinës (ish-laboratorit të AKU) kishin nisur punime rikonstruktuese e madje, disa pajisje të vjetra kishin nisur të nxirreshin jashtë. Nga verifikimet rezultoi se, Drejtori i AKU Korçë, Adham Papadhami, me anë të një deklarate noteriale, po e lëshonte këtë ambient për persona të tjerë, që do të mund të nisnin një biznes pas rikonstruksionit. Madje, ka bërë dhe një deklaratë noteriale për dhënie të drejte ndërtimi ngjitur me ish-laboratorin e AKU. Kur pronarët e truallit e kanë mësuar këtë, atëherë kanë mësuar se edhe brenda ish-laboratorit të AKU kishin nisur punimet.

Ankesa që kaloi nga qeveria patjetër që alarmoi dhe drejtuesit e Ministrisë së Bujqësisë, por edhe ata të AKU. Kjo e fundit e urdhëroi Papadhamin që të ndaloheshin menjëherë punimet, pasi ish-Laboratori i AKU është pronë shteti dhe nuk mund të lëshohej me qira apo të tjetërsohej qëllimi i ngritjes së saj. Me anë të një shkresë zyrtare, Drejtoria e Përgjithshme e AKU i ndaloi punimet, u anluan tentativat për ta kthyer ish-Laboratorin e AKU Korçë në biznes privat. E sollëm këtë rast që e mësuam, për të treguar se si institucionet kthehen në vende qokash. Ndërkohë, e gjithë kjo procedurë, nga ankesa, përcjellja e saj dhe urdhëri për AKU Korçë, pra ndalimin e punimeve dhe anulimin e tentativave për të bërë biznes me ish-Laboratorin Fiziko-Kimik të AKU, janë të protokolluara dhe lehtësisht mund të verifikohen.Alert