Ahmet Çollaku: Nafta jonë mes Enver Hoxhës dhe Edi Ramës

849
Sigal

Nafta jonë midis Enver Hoxhës dhe Edi Ramës

 

Ing. Ahmet Ҫollaku

Pleqëria më shënon më shumë rrudha në zemër se sa në fytyrë.

  Michel de Montaigne

 

Libri im, “Intervista”, ka si objekt naftën shqiptare, intervistat janë rrëfime të specialistëve, shokëve dhe kolegëve tanë, naftëtarë. Në këtë libër nuk ka lirizëm, poezi, dashuri, këtu ekspozohet nafta dhe keq menaxhimi i saj nga persona mafiozë. Nafta është lënda energjetike më magjike dhe magjepse krijuar nga vetë Zoti. Nëpër këto intervista janë ekspozuar vendburimet e naftës shqiptare tashmë të zbuluar me kohë dhe objektet e pa zbuluar akoma. Këto të fundit kanë rëndësi për kohën e ardhshme, se në mes është dilema kush do t’i gëzojë këto, ne shqiptarët apo të huajit, vikingët? Qëllimi që kam përmbledhur këto intervista nafte në një libër të vetëm, është t’u tregoj shqiptarëve, kolapsin e naftës tonë, menaxherët batakçinj, armiqtë tanë. Armiqtë e naftës dhe popullit tonë janë qeveritarët tanë të lidhur ngushtë me të huajt. Tanët duan pushtet, të huajit duan para dhe naftë. Për tanët shkojnë për shtatë fjalët e Albert Camus që thotë: “Një njeri pa etikë është një bishë e humbur në këtë botë.”

Vini re, të intervistuarit e mi, janë të moshës së tretë. Të gjithë janë të plakur, me rrudha. Nuk kanë më neps, sado me ndonjë ves ngelur që nga koha e fëmijërisë, si një copë dëbore diku në një strehë shtëpie që s’e zë Dielli. Veçoj kështu intervistat e Prof. Ramadan Perhatit, gjeologut Kadri Rama, Dhimitër Gjeneralit, specialistëve të shpimit Prof. Maksim Shulit dhe Fatmir Shehut… Të gjithë të intervistuarit janë specialistë që iu dhemb zemra për fatin e naftës shqiptare, që me deponimet e tyre mund të shkruhen dhjetëra libra apo të xhirohen dokumentarë serialë. Nafta jonë ka kaluar një metamorfozë të gjatë dhe të dhimbshme. Si vetë shqiptarët.

Intervista e gjeologut Dhimitër Stefa, një Kronikë në “Frontin e Monizmit”

E pata njohur për herë të parë në vitin ’60 të shekullit të kaluar, në Bukuresht të Rumanisë. Për ne të porsa zbriturit atje, ai u bë senjor. Ky senjor, nuk e ndryshoi veten edhe kur u ngul në punë në naftë. Po ja që një ditë na paska lindur “armik”. Sado që e shkundën, mustaqet ai nuk i lëvizi, i mbajti po aty të shenjta si në një muze, si dy pupla të lehta në fund të hundës. Ashtu edhe bindjet e tij. Ishte i sertë po i qëndrueshëm në llojin e vet. Gjatë gjithë kohës në naftë duhet ta kem parë jo më shumë se dy tre herë. Këtë intervistë ai ia ka dhënë një gazetari tjetër ku akuzon sistemin monist, sikurse bën edhe i shenjti Ramadan Perhati. Kanë pasur gjykim të thellë këta opozitarë të ndershëm të monizmit. Jo si ne të tjerët që bëjmë humor dhe ndezim inate personale me emra false në “Armata e Naftëtarit”, apo në hapësirën free on line në fund të ndonjë shkrimi gazete.

Edhe intervista e gjeologut Kadri Rama është e dhimbshme, është vetë protesta!

E ç’ju desh këtij të “krisuri” të formulojë dhe të nënshkruaj “Letrën e zezë”? Thonë se: “Uthulla e fortë thyen enën e vet”, po ky u bë më shumë se uthull, se theu një sistem të tërë. Më mirë të jesh një i krisur sesa një mizë në bisht të kalit. Dialogët në intervistën e gjeolog Kadri Ramës janë të shpejta si qitje arme. Ne shqiptarët jemi ekstremistë, herë falim gjithçka të dobët dhe herë pranojmë një mal me poshtërsi. “Letra e Zezë”, nuk theu një xham dritareje por një sistem. Ja, e rrëzuam monizmin, e ç’fituam, arsyetojmë ne? Këto qeveri post moniste janë indiferente ndaj specialistëve të naftës! Tani është fuqia e parasë. Gjeologu Kadri Rama i rrëfehet Zotit, pa lënë vend për ekuivokë. Gjithnjë qëndron solid dhe i veçantë. Gjeologu Kadri Rama, shtyu qindra vagonë me mineral dhe urrejtje, por nuk lëvizi nga vetja e tij, mbajti të njëjtën peshë specifike. Gjeologu Dhimitër Gjenerali thotë se këtë intervistë e lexon çdo ditë.

Intervistat e gjeologëve Vangjel Kici dhe Telo Velaj, skanojnë naftën shqiptare

Ndërkohë të dy janë optimistë për perspektivën. Njëri betohet për perspektivën e zonës në veri-lindje të Shqipërisë, tjetri për Dumrenë. Të dy kanë shkruar edhe libra, sikurse Maksim Shuli, po kush i lexon librat e naftëtarëve? Kryeministri ynë është pehlivan, kërcen si pleshti herë këtu herë atje, dhe i di të gjitha gjërat, dhe, pa u gdhirë e gjeni në Berlin përkrah me Z. Merkel dhe Z.Makron, por jo përkrah heronjve tanë naftëtarë.

Intervistat e gjeologut Dhimitër Gjenerali janë elegji për hidrokarburet

Portreti tij bashkë me intervistat zënë një libër më vete, sepse ky është një gjeolog me shumë përvojë, një person shumë individual (i veçantë), ndryshe nga gjithë të tjerët. Është shumë e vështirë të jesh individual! Kam shkruar një ese të gjatë për gjeologun Gjeneral dhe ndërkohë me të kam bërë gjithë këto intervista. Të dyve na duket sikur akoma nuk kemi thënë gjë. Ky gjeneral i naftës shqiptare është një shtyllë e pa ciflosur e akropolit gjeologjik. Intervistat e tij kompozohen në disa leksione. Egoizmi tij, nuk është vaj që rrit kolesterolin, siç duan ta klasifikojnë disa. Më thoni, cili më mirë se ai shpalos perspektivën e naftës shqiptare? Ai jeton në një cep të kësaj Amerike të madhe që po i tret mistershëm shqiptarët bashkë me këta naftëtarë. Për këtë fond të madh nuk kujtohet asnjë qeveritar, konkretisht Gjenerali i naftës shqiptare është vetëm në memorien dhe regjistrin e Perëndisë. Pa dyshim gjeologu Dhimitër Gjenerali, pa asnjë simbol partie apo qeverie do të mbahet mend si përfaqësuesi më real i gjeologjisë shqiptare, gati si sekt fetar, ndërkohë Berisha dhe Rama do të harrohen shumë shpejt.

Arma në intervistat e Prof. Maksim Shulit është guximi për ta thënë keqmenaxhimit të naftës

Aty janë akuzat më të forta dhe të guximshme kundër keq administrimit dhe menaxhimit të naftës shqiptare. Me Maksim Shulin kemi bërë një intervistë shumë të gjatë, se kemi dhënë gjithë metamorfozën e naftës shqiptare të kohës pas moniste. Ky Magelan shqiptar i di të gjitha abuzimet që janë bërë në naftë pas viteve ’90. Ai di të prishë gjithë magjitë e marrëveshjeve koncesionare shqiptare. Sipas tij, arsyen e varfërisë shqiptarët do ta gjejnë në formulimin e kontratave koncesionare me të huajt. Kontratat janë shprehjet konkrete të degjenerimit të gjithë qeverive tona që mashtrojnë dhe gënjejnë përditë. Me naftën tonë qeveritë bëjnë lojën e tmerrshme të votimeve. Prof. Maksi i di të gjitha hilet, ai u kundërvihet atyre në intervista me fakte dhe në librin e tij shumë domethënës, “Nafta dhe Politika”. Arma e tij e madhe është guximi.

Intervista e Prof. Alfred Frashërit, titanit shqiptar që mbushi një sallë të tërë me studime

I ndjeshëm dhe shumë prodhimtar në botime dhe publikime, ai është një pikë referimi për qeveritë tona. Tani Muzeu i Frashërllinjve ka edhe një seksion tjetër, ka atë të gjeologjisë dhe pasurive kombëtare, me autor Prof. Alfred Frashërin.

Kuçioti Ali Mema, specialist numër Një në sizmikën shqiptare

Ai fal këdo sado mëkatarë të kenë qenë. Ndërsa poligloti Petrit Mavrovi, sado në udhëkryq, nuk e humbet toruan dhe ndjeshmërinë ndaj mëkateve qeveritare. Të gjitha këto do ti gjeni nëpër intervistat që përmban ky libër.

Libri im “Intervista”, nuk ka figura artistike, as gjetje artistike, s’ka rima dhe metrikë, as meditime, libri im është armë, energji atomike, paçka se tani për tani nafta është në dorë të qeveritarëve, të cilët me politikat e tyre ultra reaksionare, e detyrojnë popullin të braktisë vendin. Sa saktë e ka profetizuar gazetarja dhe Amazona angleze naftën shqiptare kur thotë se, Në Shqipëri tani kërkohet naftë, dhe nëse toka e bekuar nuk do të kundërshtojë ta japë, vendin do ta gllabërojnë spekulatorët e huaj. Po kjo Shqipëri e vogël ka spekulatorë vendas dhe të huaj, njëri më i keq se tjetri. Libri im i bën thirrje popullit shqiptarë për protesta, masive: Të pezullohen gjithë marrëveshjet koncesionet me të huajit, firmosur nga Berisha, Rama! Kurrsesi që këta të vinë apo të qëndrojnë në pushtet. Naftëtarëve u takon ta administrojnë Shqipërinë.

Në qytetin e Fierit, jeton poeti i rraskapitur N. B. sa edhe vete rrugët e mëshirojnë. Poet i ushqyer nëpër qeli burgjesh moniste, po që nuk e ka humbur hirin delikat. Me takoi një pasdite në ato rrugët e qytetit që ngjajnë si vena gjaku. Kuptova se donte të më thoshte diçka. Ca vargje nga krijimtaria e tij, çfarë tjetër, mendova. U afrua dhe me një zë të dredhur, Ku je Enver Hoxha!.. Ku është nafta jonë Shqiptare?.. Ku? – Kaq tha dhe mori rrugën për në shtëpi të vet, fshehur mirë mes pjergullave të rrushit, atje në lagjen “Liri Gero” të qytetit të Fierit.