Agron Mema: Njeriu që iu përkushtua pylltarisë, Qani Sejdini

701
Sigal

QANI SEJDINI- NJERIU  QË I’U PËRKUSHTUA  PYLLTARISË

Nga Agron MEMA-

Ndërkohë që shikoj qiellin e përskuqur nga flakët e zjarrit të rënë pak ditë më parë në Limjon të Sarandës, aty ku shkurret do t’i zëvendësojë betoni i resortit turistik të dhënë  ditët e fundit me koncension nga qeveria jonë, por edhe zjarret që përskuqin ekranet televizive dhe faqet e gazetave duke përpirë me gjuhët e tyre të pamëshirshme mijëra bimë pyjore dhe shkurre, m’u kujtua dhe inxhinieri pyjor, i nderuari Qani Sejdini, tani prej vitesh i larguar nga kjo jetë. Inxhinier  Qaniu qe karizmatik, shtatlartë e i fuqishëm fizikisht, me trup sportiv. Qaniu lindi dhe u rrit në fshatin Metoq, pak kilometra në hyrje të qytetit të Sarandës. Bashkëmoshatarët e asaj kohe e mbajnë mend dhe e kujtojnë si një njeri të heshtur, të vëmendshëm dhe shumë studiues. Ishte nga nxënësit më të shkëlqyer të shkollës dhe nuk neglizhonte kurrë me mësimet, kjo bëri që të merrte bursën për në shkollën e mesme silvikulturë në Shkodër, e më pas, po për këtë specialitet, do të mbaronte studimet e larta në ILB të Kamzës, me rezultate të shkëqyera. Punoi në disa zona të vendit ku u shqua në drejtim të mbrojtjes së florës pylltare. Ëndrra e tij për t’i shërbyer me gjithë forcën e dashurisë dhe përkushtimit  bimësisë së pylltarisë, tani qe bërë realitet. Dhe kjo e ndoqi gjithë rrugëtimin e jetës së tij. Qe tip i shoqërueshëm dhe i trapezeve miqësore që i zbukuronte me shakatë plotë kripë e lezet. Në shkollë Qaniu qe edhe si mburojë e shokëve të tij, falë shtatlartësisë së tij dhe fuqisë fizike. Mjerë kush ngiste shokët e Qaniut, se do t’i nënshtroheshin ndëshkimit  të rreptë të tij. Ca kohë luajti edhe futboll me ekipin “Butrinti” ku u shqua jo vetëm për rezistencë fizike, por edhe për nivel dhe cilësi të larta teknike në fushën e blertë. Për herë të parë e njoha kur punoja gazetar në televizionin lokal “SR TV”. E intervistova për situatën në pyje dhe kullota. Në atë kohë punonte si shef i zyrës së mbrojtjes dhe shtimit të pyjeve pranë drejtorisë rajonale të pyje-kullotave të Sarandës. Gjatë intervistës së gjatë, vura re njeriun e pasionuar, me kulturë të lartë profesionale, të përkushtuarin dhe të angazhuarin me tërë energjitë e tij shpirtërore dhe intelektuale për pyjet dhe mbrojtjen e tyre. Në atë intervistë për publikun, që më shumë i ngjante një apeli për komunitetin dhe qeverisjen vendore e qendrore për të tërhequr vëmendjen ndaj mbrojtjes së pyjeve, dhe jo të të dhënave statistikore dhe ato tekniko-biologjike siç ndodh rëndom në intervista me specialistë të ndryshëm. Inxhinier  Qaniu shprehu shqetësimin, që edhe sot është aktual, për zjarret, e këtij rreziku që nuk njeh kufij si dhe menaxhimin e këtij rreziku në ekosistemet pyjore dhe livadhore, ku shfaqej në përmbajtjen e intervistës sa me përmbajtje tekniko-shkencore, por edhe me sens divulgativ dhe praktik. Ai nënvizoi se në realitetin e sotëm, gjithmonë e më tepër shqetësuese dhe, pse jo, problematike, ekspozohet rreziku i degradimit të pyjeve prej faktorëve abiotikë, ku më të pranishme paraqiten zjarret eventuale, jo të panjohura për sektorin pyjor, që çdo vit, jo vetëm “hanë” disa mijëra hektarë prej tyre, por edhe ndikimet që i përcillen apo i injektohen mjedisit me efekte negative, rezultante dhe pasojë e të cilave është edhe fenomeni i erozionit të terreneve pyjore. Më kujtohet se problem tjetër që ngriti inxh. Qaniu,  qe edhe ai i mbledhjes së bimëve medicinale para pjekjes së tyre duke bërë të zhduken shumë specie të tilla,  pasi mbledhja e bimëve pa arritur pjekjen bën që të mos lëshojnë farën e tyre në tokë dhe mbirja dobësohet deri në zhdukje. Ose shkulja e bimëve aromatike me gjithë rrënjë si sherebeli, rigoni, çaji etj. përsëri përcjell të njëjtin fenomen të zhdukjes. Ai vijoi se pikërisht këtu, në sinkron të këtij shqetësimi të drejtë, duhet të drejtohet edhe vëmendja e politikave të zhvillimit dhe strategjive në reflektim të mbrojtjes dhe luftës ndaj këtij faktori natyror tek ne, nisur dhe prej kushteve klimaterike që kemi. Kështu apelonte pak a shumë  përmbledhtazi në atë intervistë të para 15 -viteve inxhinieri pyjor Qani Sejdini. Por ndërsa u bënë edhe disa vite që njeriu i mirë, inxhinieri i pasionuar Qani Sejdini është larguar nga jeta, pasi zemra e sëmurë nuk e fali, la pas gjurmën dhe emrin e mirë të respektueshëm nga qytetarët e Sarandës dhe kudo ku punoi dhe e njohën, zjarret vazhdojnë dhe asnjë strategji për parandalimin e tyre dhe mbrojtjen e pyjeve nuk zbatohet në praktikë, madje i është shtuar me makutëri qeveritare edhe prerja masive e tyre.