A janë të besueshme dokumentet e gjykatës Administrative të Korçës?!

984
Sigal

Nga Vepror Hasani

Lëshohen pa vulë, pa pullë dhe pa pagesë, askush s’jep sqarime!

Nga Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Korçë, po dalin dokumente pa vulë, pa pullë dhe pa pagesë. Nuk e dimë nëse kjo gjë ka qenë praktikë pune e përhershme e saj apo kështu po ndodh vetëm kohët e fundit. Nëse pyet përse këto dokumente lëshohen pa vulë, pa pullë dhe pa pagesë, askush nuk të jep përgjigje. Dhe, nëse kërkon të dish kush është punonjësja që po ta dorëzon dokumentin, askush nuk të prezantohet. Dhe, nëse ngulmon të marrësh përgjigje, atëherë punonjësja e Sekretarisë së Gjykatës Administrativë të Shkallës së Parë Korçë, largohet nga zyra, duke të lënë vetëm pas sportelit. Veprime të tilla jo korrekte me qytetarin të lënë të habitur. Mbi të gjitha, nuk mund të jesh i sigurt, nëse dokumenti që po merr nga Gjykata është i rregullt apo fals. Edhe në jetën private, nëse lëshon një deklaratë duhet të noterizohet, t’i vihet një vulë, ndryshe nuk mund të konsiderohet i vlefshëm, por kur këtë gjë e bën shteti, përmes dokumenteve të pavulosura, çfarë mund të thuhet?! Dhe kjo gjë ndodh tashmë kur po bëhet e pamundura që organet e Drejtësisë të fitojnë besueshmëri dhe të jenë të paanshme. Veç sa më sipër çështja për të cilën bëhet fjalë është publike, shkon në interes të publikut, i cili duhet të jetë i informuar çfarë ndodh me institucionet shtetërore. Në rastin konkret bëhet fjalë për çështjen gjyqësore mes Institucionit të Prefektit të Qarkut Korçë dhe Këshillit të Bashkisë Maliq. Çështja administrative u gjykua nga vetë kryetari i kësaj Gjykate Sokol Ibi, në prani të sekretares Marinel Rushi, më 29.10.2018. Megjithatë, rezulton e pamundur që dokumentin e vendimit ta marrësh të vulosur.

Zanafilla e dokumenteve pa vulë

Ne nuk e dimë në ç’kohë ka zënë fill dhënia e dokumenteve pa vulë, pa pullë dhe pa pagesë ose, nëse ka ndodhur edhe herë të tjera kështu dhe për çfarë çështjesh mund të ketë ndodhur, por dimë që, nëse shkon në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Korçë të tërheqësh vendimin e dhënë prej saj për çështjen administrative me nr. (781)-01004 Regj. Them., ku paditës është Institucioni i Prefektit të Qarkut Korçë, i përfaqësuar në gjykim me autorizim nga juristi Dorian Kaçori (në mungesë), kurse të paditur Këshilli i Bashkisë Maliq, i përfaqësuar në gjykim me autorizim nga juristi Nertil Çaushi, me objekt deklarimin e pavlefshmërisë absolute të pjesshme të vendimit Nr. 25, datë 29.04.2016 të Këshillit të Bashkisë Maliq, lënë në fuqi me vendim Nr. 37, datë 31.05.2016 për pikën 4 “Miratimi i zgjedhjes së Kryetarit të fshatit Vashtmi, njësia Administrative Libonik, Bashkia Maliq, me bazë ligjore: Neni 32.a i K. Pr. Civile, neni 7 i ligjit nr.49/2012 “Për Organizimin dhe funksionimin e Gjykatave Administrative dhe Gjykimit të mosmarrëveshjeve Administrative”, K.Pr, Administrative, Ligji Nr. 107/2016, ligj Nr.139/2015”, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Korçë të të ofron vazhdimisht një dokument prej 7 faqesh pa vulë, pa pullë dhe pa pagesë. Edhe nëse i pyet pse këtë dokument e jepni pa pagesë, përsëri nuk merr asnjë sqarim Në fund të dokumentit thuhet: Taksë Pulle 3000 lekë. Totali 3000 lekë (të parapaguara nga paditësi), por kjo nuk do të thotë që gjithkush ta tërheqë këtë dokument pa paguar.

Gjykimi i çështjes real apo fals?


Arsyen përse Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Korçë e ofron këtë dokument pa vulë, pa pullë dhe pa pagesë, mund të na i japin vetëm organet e Drejtësisë nëpërmjet verifikimeve që mund të kryhen, pasi dyshimet për këtë çështje janë të shumta. Duke mos pasur në dorë një dokument të besueshëm, ne nuk jemi në gjendje të themi, nëse gjykimi i çështjes ka qenë real apo fals, sepse vetë historiku i çështjes lë shumë për të dëshiruar. Më konkretisht, çështja në fjalë zë fill që nga zgjedhjet e fundit të Këshillave Bashkiake, ndërsa u zvarrit për disa vjet me radhë, deri në dt 29. 10. 2018, kur po afrojnë zgjedhjet e reja të qeverisjes vendore. Shkelja ligjore është kjo: Z. Viktor Hadri, anëtari i Këshillit të Bashkisë Maliq është njëherazi edhe kryeplak i fshatit Vashtmi, gjë që nga Institucioni i prefektit të Qarkut Korçë u vlerësua si shkelje e ligjit. Nga ana e Prefekturës iu kërkua Këshillit të Bashkisë Maliq që z Hadri të mbante vetëm një prej detyrave pasi ishte në konflikt interesi, por Këshilli i Bashkisë Maliq nuk e mori parasysh. Edhe prefektët e Qarkut Korçë, që ishin në krye të këtij institucioni gjatë këtyre viteve, nguruan ta çonin çështjen në Gjykatë, ndoshta ngaqë edhe shumica e Këshilli i Bashkisë Maliq i takonte së majtës. Mirëpo fal këmbënguljes së një qytetari të thjeshtë, Eqerem Avdolli, edhe pse i majtë, iu drejtua Kontrollit të Lartë të Shtetit për të mësuar nëse rasti i mësipërm kishte shkelje ose jo, por edhe nga ky institucion vlerësohej se kishte shkelje. Së fundi çështja i kaloi gjykatës.

Vlerësimi i Gjykatës Administrative

Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Korçë ‘vlerësoi se ligji 139/2015 “për vetëqeverisjen vendore” i parashikon në mënyrë të qartë rastet e pa pajtueshmërisë me funksionin e këshilltarit të këshillit të bashkisë, pa lënë vend që kjo dispozitë ligjore të interpretohet në mënyrë të zgjeruar”. Dhe pasi numëron rastet e papajtueshmërisë, argumenton: “Në këtë dispozitë ligjore dhe në asnjë dispozitë tjetër të këtij ligji nuk parashikohet si rast papajtueshmërie rasti i funksionit të këshilltarit të Këshillit të Bashkisë me atë të Kryetarit”. Vendimi i saj ishte: “Gjykata vendosi rrëzimin e padisë si të pabazuar në prova dhe ligj”. Megjithatë, edhe pse ditën e përfundimit të gjykimit, nga ana e Sekretarisë së kësaj Gjykate u tha se vendimi i arsyetuar do të jepej pas 7 ditëve, kjo nuk ndodhi. Dalja e vendimit u vonua shumë më tepër se kaq. Madje në pamundësi për të siguruar vendimin, sepse nuk na jepej, kërkuam ndihmën e një avokati, por edhe duke iu drejtuar me kërkesën sipas ligjit të informimit. Dhe vetëm pas kësaj, na ofruan një dokument prej 7 faqesh që mban firmën e gjyqtarit Sokol Ibi (kryetar i Gjykatës) dhe sekretares Marinela Rushi, por pa vulë, pa pullë dhe pa pagesë. Pyetja jonë është kjo: “Që kur institucionet e Shtetit Shqiptar kanë filluar të operojnë me dokumente të pavulosura?”