77 mijë militantë i kushtojnë qytetarëve 600 mln. USD

297
Sigal

Administrata e tejmbushur me “specialistë’ që ngrohin karrigen dhe me drejtorë manjakë, ndërkohë që  pensionistëve nuk u mjaftojnë paratë për ilaçe, ujë dhe drita. E-albania në agoni, ndërsa AKSHI ‘dënd’ me 700 mln lekë, Jotin dhe Ilir Beqaj për mirëmbajtje

 

Në perceptimin e përgjithshëm qytetarët mbeten të pakënaqur nga shërbimi  publik, ndërsa në raportin e fundit të KLSH-së dëmi financiar i vitit që shkoi në këtë sektor ishte mbi 600 milion dollarë

 

Numri i të punësuarve në sektorin publik nga  164,635 që ishte në vitin 2016, është rritur në 175,443 në vitin 2020, vit kur edhe janë publikuar të dhënat e fundit zyrtare nga Instituti i Statistikave. Të dhënat më të fundit të Institutit të Statistikave raportojnë se sektori publik në vend arriti në 185 mijë punonjës në fund të qershorit 2021, me një rritje prej 12 mijë të punësuarish ose 7% në krahasim me qershorin e vitit 2020. Por më tepër se numri, interesant është profesioni. Pra, çfarë kërkesash ka për punësim Administrata Publike, për të afruar një produkt apo shërbim më të mirë publik? Rezulton se janë punësuar gjatë pesë viteve të fundit, para pandemisë 10.808 punonjës të tjerë, të cilët janë rekrutuar si ndër më të kualifikuarit, për të qenë pjesë e Administratës Publike. Shumicën e dominojnë specialistë të punësuar për mjedisin, ekonominë, ligjet, sigurinë, ujësjellësin, arsimin, shëndetësinë, mirëmbajtjen e qytetit etj. Ka më pak punëtorë të punësuar në shtet, pasi puna fizike i besohet kryesisht sektorit privat përmes tenderimeve.

Të punësuarit e kategorisë së lartë janë kryesisht ligjvënës, nëpunës të lartë dhe drejtues. Nga kjo kategori 11,992 ishin të punësuar në vitin 2016, ndërsa ky numër ka njohur rritje nga viti në vit. Dy vite më parë me të tillë profesion ishin 14,228 të punësuar, sipas INSTAT.

Sektori publik është i njohur për numrin e lartë të specialistëve. “Specialistët” janë ata që zënë gati gjysmën e totalit të të punësuarve në Administratën Publike. Në vitin 2016 sipas INSTAT kishim të punësuar 72,011 specialistë në sektorin publik dhe një vit më vonë numri i tyre shkoi në 72,185 të punësuar. Në vitin 2018 specialistët u shtuan në 74,364, kurse në vitin 2019 numri i tyre shkoi në 16,023 dhe në vitin 2020, sektori publik numëron 77,232 specialistë të punësuar në total. Ndërkohë që fryrja e administratës nuk ka asnjë impakt tek shërbimet dhe se punësimi i tyre bëhet vetëm për karriget e pushtetarëve. Me këto para që paguhen nga taksat e qytetarëve, bizneset dhe borxhet, pensionet dhe ndihma ekonomike do të rriteshin 100%. Dhe sipas këshillave të organizmave europiane, por edhe sugjerimeve të FMN, Shqipëria për numrin e popullsisë nuk duhet të ketë më shumë se 85 mijë të punësuar në Administratën Qëndrore dhe atë Lokale .

Rritje ka pësuar edhe numri i nëpunësve të thjeshtë të Administratës Publike. Nga 12,243 të punësuar, që kishte në vitin 2016, numri i tyre ka shkuar në 14,305 për vitin 2020, sipas të dhënave zyrtare të INSTAT. Në Administratën Publike ka më pak të punësuar në kategorinë “punëtorë” se specialistë dhe ndihmës specialistë. Nga 31,083 punëtorë që ishin të punësuar në vitin 2016, numri i punëtorëve ka shkuar në 34,122 për vitin 2020.

Rritja e numrit të të punësuarve në sektorin publik, që është shoqëruar me kostot shtesë. Në perceptimin e përgjithshëm qytetarët mbeten të pakënaqur nga shërbimi publik, ndërsa në raportin e fundit të KLSH-së dëmi financiar i vitit që shkoi në këtë sektor ishte mbi 600 milion dollarë.

E-Albania mezi punon, AKSHI “dënd” Grigor Jotin dhe Ilir Beqajn me 700 milionë për mirëmbajtje

Ditët e fundit që pas njoftimit nga Rama se të gjitha shërbimet e zyrave publike do të merren tashmë online nëpërmjet sistemit E-albania, ky i fundit pësoi mosfunksionim dhe ngadalësim tepër të lartë.Të shumtë kanë qenë qytetarët që kanë denoncuar me foto e video pranë redaksisë sonë problemet me mosfunksionimin e këtij portali. Por sikur të mos mjaftonte kjo, drejtoresha e AKSHIT, Mirlinda Karçanaj, ka vendosur që të japë gati 700 milionë lekë të tjera nëpërmjet një tenderi për mirëmbajtjen e 209 shërbimeve të E-Albanias.

Këto para do t’i marrin dy personat që kanë marrë më shumë tendera nga të gjithë nga ky institucion, përkatësisht Grigor Joti i INFOSOFT dhe kompania e lidhur me Ilir Beqajn. Bëhet fjalë më konkretisht për tenderin me numër reference REF-22761-03-23-2022 dhe me objekt “Mirëmbajtja e 209 shërbimeve elektronike në portalin e-Albania”.

Fondi limit i tij është 61,380,000 lekë të reja pa TVSH ose rreth 730 milionë lekë të vjetra përfshirë TVSH. Pjesëmarrja në tender ka qenë e cunguar pasi kanë konkuruar vetëm 2 pjesëmarrës. Fitues është shpallur bashkimi i operatorëve “Infosoft Systems” + “IkubINFO” + “Intech +” për vlerën prej 57,241,320 lekë të reja pa TVSH ose rreth 700 milionë lekë të vjetra me TVSH sipas joq. Për këtë tender shikohet se është ndjekur një procedurë e hapur, mbi kufirin e lartë monetar. Ndërkaq vlera fituese rezulton të jetë sa 93% e vlerës së fondit limit. Gjithë këto para do të paguhen nga Grigor Joti dhe firmës “Intech +” themelues i së cilës ka qenë Ilir Beqaj, për mirëmbajtjen e softëareve të teknologjisë së informacionit. Pra ndonëse e-Albania mezi punon, 700 milionë lekë të tjera do të përfundojnë në xhepat e këtyre personave për mirëmbajtje.