700 të fortët që mbajnë plazhet publike të pushtuara

284
Sigal

Ministrat e “Rilindjes“ e kanë parë bregdetin si „lopë për ta mjelë“ me të cilën po ushqen klanet e trafikut të drogës, lavazhierët e parave të pista nëpërmjet Investimeve Strategjike dhe batalionin e patronazhistëve elektoral. Ministrja Kumbaro firmosi 1400 plazhe me qira kur ligji ua njehë këtë të drejtë 12 bashkive bregdetare

Denoncimi i Telegraf para fillimit të sezonit turistik / “Rilindja” e ka parë bregdetin si “lopë për ta mjelë” me të cilën po ushqehen trafikantët e drogës dhe oligarkët e investimeve hoteliere: Kilometra vijë plazhi do të kthehen 100% në privat, duke lënë shqiptarët pa asnjë cm2 plazhe publike.

Qeveria u heq plazhet pushuesve dhe ua jep “pushtuesve” të bregdetit

Skenari me rregullore, që rregullon interesat e mafies së plazheve, pushton totalisht plazhet, duke i kthyer ato në biznes privat, ku qytetarët do të hyjnë me pagesë, në të kundërt nuk do të hyjnë: mbasi plazhet shqiptare nga veriu në jug, do të ndahen në “bahçe private” të një liste klienteliste, që kanë përzgjedhur bashkitë dhe mafia koncesioniste qeveritare e “Rilindjes”

Një vendim tjetër qeverie, firmosur nga Kryeministri shqiptar më datën 18 maj 2016 dhe publikuar në datën 26 maj 2016, ka vendosur të “eleminojë” funksionimin e plazheve publike në Shqipëri. Vendimi është një akt ekzekutimi i detyrueshëm për zbatim, por që serviret si “rregullore”, me objekt “Për stacionet e plazhit”, veçse “de facto” ka dispozitat dhe elementët e një ligji të plotë që përcakton dhënien me qira të zonave bregdetare dhe të plazheve publike. Kjo rregullore u propozua procedurialisht nga Ministrja e Ekonomisë, zonja Milva Ekonomi, por që flitet nëpër korridoret e qeverisë, se ministrja e ka kundërshtuar këtë vendim, të cilat nuk u përfillën, duke i vendosur ‘copën” e letrës përpara për ta firmosur. Dhe kjo u bë prej ministres, me “ultimatum”.

Qytetarët mbeten pa të drejtën publike për të pushuar në plazhe. Sipas kësaj rregulloreje duhet të paguajnë, sipas çmimeve që vendosin privatët për rërën, ujin e hijet e pemëve atje ku i kanë shpëtuar masakrës ndërtimore të mafies pushtuese të bregdetit. E thënë më thjeshtë, plazhe publike do jenë vetëm ato zona ku privatët nuk denjojnë të investojnë

Zërat brenda qeverisë, thonë se kjo rregullore që në fakt është VKM me trajtë ligji, nuk ka pasur asnjë ekspertizë, apo konsulencë as me pushtetin lokal, as me Ministrinë e Ekonomisë, të Financës e Mjedisit, përkundrazi ka qenë një vendim personal i kreut të qeverisë, i cili është imponuar për firmosje. E ndërsa kjo rregullore tip “VKM” nuk thotë asgjë në emërtesë duke u shpallur vetëm si “Rregullore për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacionit të plazhit”. Neni 3 i saj “zbulon” skenarin, pazarin dhe qëllimin e vërtetë për të cilin është hartuar dhe miratuar kjo rregullore, që rregullon interesat e mafies së plazheve, e cila me këtë rregullore pushton totalisht plazhet, duke i kthyer ato në biznes privat, ku qytetarët do të hyjnë me pagesë, në të kundërt nuk do të hyjnë mbasi plazhet shqiptare nga veriu në jug, do të ndahen në “bahçe private” të një liste klienteliste, që kanë përzgjedhur bashkitë dhe mafia koncesioniste qeveritare e “Rilindjes”. Në gjithë vijën bregdetare shqiptare, zyrtarisht me hartë e inventar shtetëror janë 107 plazhe publike, të cilët shteti ua heq pushuesve dhe ua jep “pushtuesve” klientelistë të bregdetit!

Që nga ardhja në pushtet qeveria e “Rilindjes” e ka parë bregdetin si “lopë për ta mjelë” me të cilën po ushqehen trafikantët e drogës dhe oligarkët e investimeve hoteliere

 “Telegraf” e ka denoncuar sinjalin e eleminimit dhe “pushtimit” të plazheve publike, qysh në datën 26 maj 2015

 Eshtë VKM nr. 436, datë 20. 05. 2015, botuar në “Fletore Zyrtare” Nr. 84, botuar me urgjencë 5 ditë pas miratimit në qeveri e parlament (25 maj 2015), për menaxhimin e plazheve, nëpërmjet formës së dhënies, marrjes dhe përdorjes së tyre me qira prej privatëve. Në këtë VKM absurde, shteti legalizon një tjetër zaptim e gllabërim të hapësirave të përbashkëta pronë shtetërore e publike, duke lënë shqiptarët pa plazhe të lira, por të pushtuara me qira simbolike 50 lekë metri katror, ndërkohë që privati e shet tek pushuesit në formë monopoli, me 300-400-500 lekë me qira për çdo metër katror. Kjo VKM e dalë posaçërisht për të gllabëruar plazhet publike, duke mos lënë asnjë metër katrorë të lirë publik për qytetarët, ka një paramendim të kuptueshëm, për qëllimin që ka dalë. Vija bregdetare, liqenore e lumore shqiptare ka një gjatësi prej 450 km, 316 kilometër nga e cila janë bregdet, 48 kilometër janë breg lumor dhe 73 kilometër janë breg liqenor, përshirë këtu edhe vijën lagunore, vijë kjo që fillon nga grykëderdhja e lumit Buna deri në jug të vendit, në “Kepin e Stillos”. Pikërisht kjo vijë plazhore, e cila është funksionale për plazh deri në 278 kilometër gjatësi nga veriu-në jug, është bërë viktimë e planit djallëzor e të paramenduar për t’u zhvatur prej matrapazëve të veshur me pushtet dhe prej familjarëve e klientëve të tyre të përzgjedhur, të cilët sa herë ndahen “thela” pronash, ata janë të parët dhe të vetmit në listat e përfitimit me qira, me privatizime, me koncesione, me falje.

Ja rregullorja që i lë shqiptarët pa plazhe publike

Vendim për miratimin e rregullores “Për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacionit të plazhit”Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 64, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

  1. Miratimin e rregullores “Për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacionit të plazhit”, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
  2. Të gjitha aktet nënligjore apo dispozitat e tjera të parashikuara në akte nënligjore, që vijnë në kundërshtim me këtë vendim, shfuqizohen.
  3. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Agjencia Kombëtare e Bregdetit, Inspektorati Përgjegjës për Turizmin dhe njësitë e qeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.

Kryeministri

EDI RAMA

 

Plazhet publike këtë vit zyrtarisht po zaptohen e mbushen me shezlonë dhe kioska

Ministrja Mirela firmos 1400 plazhe me qira, ligji ua njeh 12 bashkive bregdetare

Kryebashkiakët heshtin para babëzisë edhe pse, sipas nenit 5, pika 2 të VKM Nr. 171, datë 27.3.2019, me objekt: “Rregullorja për stacionet e plazheve”, të drejtën për të dhënë sipërfaqet e rërës me qira, për të lidhur kontratat dhe për të mbledhur të ardhura prej tyre, e kanë vetëm bashkitë në zonat bregdetare.

Fakt/ Vitin e kaluar ishin 715 sipërfaqe për plazhe publike, por dhe 380 që janë lënë  këtë vit po zaptohen e mbushen me shezlonë dhe kioska, nga të “fortë” e familjarë të pushtetarëve.

Këtë burim biznesi tepër fitimprurës me sipërfaqet e plazheve, ministresha e Turizëm- Mjedisit, po e zhfrytëzon në formë koncesioni personal, duke përdorur si maskë Drejtorin e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Ledion Lako, ish vartës i saj kur drejtonte Ministrinë e Kulturës dhe sëbashku firmosën shkatërrimin e godinës së Teatrit, si dhe PPP-në 12 vjeçare për ndërtimin e qebaptorëve nga firma e sallameve “Hako” brenda Parkut të Butrintit. Me një urdhër personal e pa vendim qeverie, por pa dyshim me dijeni të kryeministrit Edi Rama, Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, po vazhdon e shpërndan lejet për hapësirat e plazheve, që jepen me qira. Më 27 janar 2022, ministresha Kumbaro ka nxjerrë një njoftim zyrtar, drejtuar subjekteve private, të bënin aplikime me afat 1 muaj, për marrje hapësira plazhesh në përdorim gjatë stinës së verës, të cilin e shtyu deri më 27 mars e pastaj deri më 27 prill 2022. Ky ka bërë seleksionimet e “fituesve” sipas listës emërore e sipërfaqeve në m2, që i ka dhënë ministresha Kumbaro, mbi bazën e të cilëve ka nënshkruar kontratat për muajt maj-shtator 2022. Plazhet për këtë vit janë përqëndruar në 118 zona, ndërsa numri i parcelave të caktuara për dhënie me qira është 1400 të ashtuquajtura “Stacione Plazhi”; nga të cilët, deri tani janë dhënë 910 parcela nga 1000-3000 m2, ndërsa 490 parcela të tjera në zonat bregdetare preferenciale po mbahen pezull prej Kumbaros, siç duket për efekt pazaresh me kërkesë-oferta të larta apo për “qoka”. Madje për vitin 2022, Kumbaro ka lënë vetëm 380 parcela plazhi për përdorim publik pa pagesë, që janë sipërfaqe kategoria e fundit me sipërfaqe 800-1000 m2 dhe larg zonave ku janë resortet e oligarkëve, hotelet e ministrave, politikanëve e trafikantëve .

U bllokuan skafet, por nuk u çliruan 700 plazhet publike të pushtuara nga “të fortët”

Ndoshta, kryeministri do t’i japë urdhër policisë, pasi të ndodhë ndonjë vrasje edhe për plazhet/ Zaptuesit lejohen t’i përdorin pa kontrata qiraje, fakt të çon në konkluzionin logjik, se nuk bëjnë pagesa në arkën e shtetit. Diku paguajnë çeqet e ryshfetit, ose plazhet i kanë biznes të përbashkët ilegal me shefat e bashkive, të policisë, me ministren Mirela Kumbaro, nëpërmjet sekserit të saj Ledion Lako,- Drejtor i Agjencisë së Bregdetit

Kryeministri Rama, që e bën plazhin në zonë bregdetare “extra”, të rrethuar me truproje gardë e polici “gardh ku nuk futet as miza”, urdhëroi të bllokohen gomonet, skafet e mjetet ujore “Jet-Ski”, urdhër që është zbatuar plotësisht brenda ditës kur u vra 7-vjeçarja. Por prej 2 muajsh, kryeministrit nuk i është zbatuar urdhri për çlirimin e plazheve publike, të zaptuar me forcë nga “të fortët”, oligarkët e pangopur, biznesmenët familjarë të pushtetarëve e kushdo që ka 1 kobure në dorë, ose i ka dhënë ryshfet kryetarit të bashkisë e shefit të policisë. Përditë, dëgjojmë denoncime për mos- lejim qytetarësh në plazhet e caktuara si hapësira publike dhe ndodhin konflikte me armë mes “të fortësh” e grushte me pushuesit. Sepse pushuesit nuk lejohen të vendosin çadrat dhe shezllonët e tyre, por akoma më turp është fakti, që ka përzënie turistësh të huaj nga bregu i detit, ngaqë nuk pranojnë të përdorin shezllonët e vendosur prej zaptuesve të plazheve publike. Policia ka publikuar në media, disa kronika show me sekuestrim çadrash e shezllonësh, por sipas informacioneve ato u janë rikthyer pas disa orësh dhe hapësirat e plazheve, vazhdojnë përsëri të “pushtuara” prej tyre. Kryeministri e di, që urdhri i tij nuk po zbatohet, madje ka dhe një raport policor me sipërfaqet e zaptuara, emrat, aktivitetin dhe lidhjet politike të atyre, që i kanë zaptuar plazhet e caktuar për përdorim publik me VKM, nr..424, datë 27.05.2020. Po kështu, kryeministri e di, sepse e ka firmosur vetë vendimin e qeverisë, që në krejt vijën bregdetare janë 118 zona plazhi, të ndara në 2480 parcela rëre. Nga këto, 1300 parcela me sipërfaqe nga 1000- 2000 m2 të quajtura “Stacione plazhi”, u caktuan për bizneset private, ndërsa 1180 parcela janë lënë për plazhe të lira. Mirëpo sipas raportit të përbashkët të Policisë e 11 Bashkive bregdetare, që i është dërguar kryeministrit Rama, rezulton se “të fortët” dhe miqtë e pushtetarëve, kanë zaptuar 2200 parcela, duke vendosur çadra, shezllonë, roje e tabela “Plazh privat”. Pra, qeveria e ka lejuar vetë, që qytetarëve t’u pushtohen 700 parcela, duke u lënë vetëm 480 “copa” plazhi të degraduara nga 500-600 m2, kur janë 1180 të përcaktuar si “plazhe popullore”. Po sipas të dhënave zyrtare, rezulton se pushtuesit e 700 plazheve popullore, nuk kanë kontratë qiraje me bashkitë e as leje shfrytëzimi nga Agjencia e Bregdetit dhe nga Ministria e Turizmit fakt ky, që të çon në konkluzionin logjik, se gjersa nuk bëjnë pagesa në arkën e shtetit, diku paguajnë çeqet e ryshfetit. Ose plazhet e zaptuara, i kanë biznes të përbashkët ilegal me shefat e bashkive, të policisë apo me ministren Mirela Kumbaro, nëpërmjet sekserit të saj Ledion Lako, Drejtor i Agjencisë së Bregdetit. Një pyetje: – Pse nuk zbatohet urdhri i kryeministrit Rama dhe përse vetë kryeministri, nuk kërkon llogari për mos- çlirimin e plazheve publike, siç u zbatua urdhri për bllokimin e skafeve, brenda 12 orësh pas vrasjes së 7-vjeçares? Mos ndoshta, kryeministri Rama, do ta urdhërojë policinë për çlirimin e rërës, pasi të ndodhë ndonjë vrasje dhe për hapësirat publike në bregdet!

Pasi Kumbaro “rrëmbeu” pushuesit nga Greqia, Rama shkon në tjetër nivel: Tirana e dyta në Mesdhe për vizitorë, na i kalon vetëm Antalia

Turizmi në Shqipëri këtë vit ndodhet në pikë kritike, por duket se vetëm qeveritarët nuk e shohin. Shezllonet në Jug janë bosh, por Rama dhe Mirela Kumbaro janë të bindur se kjo nuk është e vërtetë, pasi perlat që thonë nuk kanë fund. Ministrja e Turizmit pak ditë më parë tha se Greqia kishte mbetur pa pushues, sepse të gjithë po vijnë te ne. Ndërkohë Rama ka thënë se na i kalon vetëm Antalia në Turqi, pasi jemi të dytët në Mesdhe për vizitorë të huaj.

Jo më larg se sot, i kam këtu, unë kam marrë shifrat e këtij viti, që flasin më qartë se çdo fjalim, për vizitorët e huaj, duke përjashtuar vizitorët nga Kosova, që hyjnë të paregjistruar. Në qershor kemi pasur 604 mijë turistë, përfshirë dhe turistët nga Kosova. Sot kemi 876 mijë turistë të huaj, pasaporta të huaja, as të Shqipërisë, as të Kosovës. Në korrik kemi pasur 1.1 mln, sot kemi 1.4 mln pasaporta të huaja. Në këtë periudhë, 1 deri në 7 gusht, 411- mijë vjet, 482- mijë sivjet. Në një nga klasifikimet e bëra për rritjen më të lartë të turizmit, në gjithë zonën e Mesdheut, Tirana zë vendin e dytë pas Antalias”,- tha Rama.

Dhunim i pronës private

Në shoqëritë moderne, njeriu si qytetar dëshiron të jetë me të drejta të barabarta, i lirë dhe i garantuar në “hapësirën publike”, që është esenca e qytetërimit në shoqërinë tonë. Koha kërkon që të mësohemi si qytetarë për të përdorur dhe shfrytëzuar “hapësirën publike”, në të cilën duhet të lëvizim si qytetarë aktivë, të angazhuar, guximtarë dhe jokonformistë, të vetëdijshëm për rolin tonë të pazëvendësueshëm në jetën publike. Pushuesit ankohen për rritjen e çmimeve në plazhe, ndërsa bizneset theksojnë se janë të detyruar të reflektojnë kostot e shtuara për akomodimin e mysafirëve. Përveç çmimeve të kripura qytetarët ankohen edhe për hapsirën publike e cila nuk u lejohet ta shfrytëzojnë . Një ngjarje e tillë ka ndodhur  dje ku policia Bashkiake e Durrësit u ka hequr të gjitha çadrat e qytetarëve.

Denoncimi i plotë i rastit…

Tek hotel Bellavista Shkëmbi Kavajës mbrëmë në darkë si të jashtëligjshëm u vërsulën dhjetra policë të bashkisë Durrës dhe punëtorë të bashkisë për të hequr çadrat e kashtës së banorëve rezidentë që me saktifica i kishin blerë dhe duke i detyruar që të ngelen pa plazh, ose më së shumti t’i ngulin çadrat në mëngjes dhe t’i shkulin në darkë si dikur me gabinat e plazhit në komunizëm. E gjitha kjo ndodh në sytë e pushuesve e në mes të sezonit turistik.