2500 banorë të fshatrave të Maliqit pa ujë të pijshëm

474
Sigal

Bashkia Maliq: I kemi gati projektet prej vitesh,  do t’i vëmë në zbatim

Prindërit të tmerruar: Fëmijëve u japim ujë të pistë, Zoti i ndihmoftë!

 Nga Vepror Hasani

 

2500 banorë të fshatit Orman të Bashkisë Maliq në rrethin e Korçës që prej një jave kanë mbetur pa ujë të pijshëm. Edhe ajo sasi e vogël uji, që vjen, nuk është e konsumueshme, pasi uji është i pistë, i bashkuar me mbetje torfe, ku brenda një gote uji lëvizin një mori krimbash. Kjo situatë ka alarmuar gjithë banorët e fshatit, pasi duke mos patur zgjidhje tjetër, janë të detyruar të përdorin ujin që vjen. Kjo e bën situatën edhe më alarmante, pasi rreziku i përhapjes së ndonjë epidemie është i mundshëm. Me tepër se për çdokënd tjetër, gjendja paraqitet më e vështirë për prindërit, pasi janë të detyruar që edhe fëmijëve të vegjël t’u japin ujë të pistë. “Nuk kemi rrugë tjetër, – thonë ata, – e kullojmë ujin 2-3-4 erë me napa, por kjo nuk është zgjidhje, napa mund të mbajë papastërtitë, por jo mikrobet dhe gjallesat e padukshme për syrin e njeriut, ndaj që të gjithë ne jemi në tmerr për shëndetin e fëmijëve tanë. Për këtë arsye kërkojmë që Bashkia të gjejë zgjidhje sa më shpejt që të jetë e mundur”.

Alarmi vjen nga gratë

Më të alarmuara nga kushdo tjetër janë gratë e fshatit Orman. “Kemi një javë pa ujë, – thonë ato, – as nuk lajmë, as nuk shplajmë; nuk kemi ujë as për t’u larë dhe as për të gatuar, as për fëmijët dhe as për pleqtë. Nuk hyjmë dot brenda shtëpive, sepse gjithandej bie erë djers. Temperaturat janë të larta, a mund të rrijë njeriu pa u larë në këto ditë kaq të nxehta? Dukemi të gjallë, por për ne gratë është vdekje. Kemi frikë të na vijnë mysafirë ,sepse nuk kemi ujë; u japim raki, u japim dhe bukë, por kur na kërkojnë ujë sa nuk na bie tavani mbi kokë. Çfarë të japim, ujë ku notojnë krimbat? Nuk kemi ujë as për të larë duart, jetohet kështu? Uji duhet për minutë e sekondë. Le ta kesh shtëpinë të mirë sa të duash, po nuk pate ujë nuk ke asgjë. Të rrofshin mobiljet! Ju nuk e besoni, vdiqëm duke duruar; hë të mos pimë ujë tani, hë të mos pijmë pastaj se është i pistë, por pa ujë nuk rrihet; kemi një javë që pijmë ujë të ndotur. Që të gjithë jemi të sëmurë, por merakun e kemi te fëmija, sepse ç’faj kanë fëmijët tanë që fshati ynë nuk ka ujë. Edhe pse uji është i ndotur mos kujtoni se vjen vjen përgjatë gjithë ditën, ka vetëm 1 orë ujë dhe ai i turbullt; do apo nuk do, nuk ke nga t’ia mbash, je i detyruar të pish ujin që ke,- shpjegojnë gratë e fshatit Orman.

Ujësjellës-Kanalizimet:

Projektet janë, por nuk kemi fonde

Sipas banorëve të fshatit, mungesa e ujit në fshatin Orman, ndodh prej vitesh. Tubacionet ekzistojnë, por investime për të siguruar më shumë ujë nuk kryhen. Me ardhjen e verës dhe  rritjen e temperaturave, uji i dy burimeve nga furnizohemi paksohet dhe ne mbetemi pa ujë. Sigurimi i ujit nga burime të tjera është i vështirë pasi janë larg fshatit. Situata e shpjeguar nga banorët e Ormanit, është pranuar vit pas viti edhe nga administratori i Ujësjëllës-Kanalizime Maliq, përgjigja e të cilit është se gjatë këtij muaji dy burimet prej nga furnizohen me ujë të pishëm Shën Gjergj dhe Orman  kanë rënë nën kuotat më minimale të mundshme. Tashmë nga burime pranë Bashkisë Maliq bëhet e ditur se shumë shpejt situata do të zgjidhet, por këto lloj premtimesh kanë qenë të përhershme dhe asgjë nuk është bërë. Më konkretisht dy burimet ekzistuese gjatë verës bienë nën nivel. Edhe vite me parë është provuar aktivizimi i një pompe zhytëse në një burim tjetër, por sasia e ujit që sigurohet është e pamjaftueshme. Nga ana e Bashkisë është hartuar një projekt rajonal dhe është aplikuar pranë Agjecisë së Ujësjëllës – Kanalizimeve dhe qeverisë shqiptare për të zgjidhur përfundimisht  problemin e ujit për Ormanin, Shën Gjergjin dhe fshatra të tjerë, por sërish ujë nuk ka patur. Deri në zgjidhjen e këtij problemi banorëve që furnizohen nga këto burime do t’u duhet të pijnë ujë ku notojnë gjallesa të frikshme që kërcënojnë shëndetin e tyre. Le te presim, nëse kësaj radhe bashkia Maliq do ta zgjidhë përfundimisht këtë problem kaq madhor për jetën e banorëve.