Xheni Karaj: Si e mësuan prindërit që jam lesbike

793
Sigal

Ajo është një personazh i veçantë, jo vetëm për atë që përfaqëson, por edhe për shijet dhe zgjedhjet e saj jo fort tipike në jetë, të cilat i ka pranuar gjithmonë publikisht, pavarësisht vështirësive.

E dalluar për natyrën e saj të hapur, rebelizmin dhe vërtetësinë për t’u përballur ndaj çdokujt që e ka të vështirë ta pranojë orientimin e saj seksual, ajo ka qenë ndër të parat vajza që është përfshirë në aleancën LGBTI, si aktiviste e mbrojtjes së të drejtave të këtij komuniteti.

Xheni Karaj, Drejtore Ekzekutive e Aleancës LGBTI, ishte sot e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan për të rrëfyer se si kanë kaluar etapat e ndryshme në jetën e saj nga momenti kur e kuptoi se ndjente për femrat dhe përballja me familjen.

“Prindërit e mi e kanë marrë vesh nga një emision ku unë kisha dalë me fytyrë të mbuluar dhe diskutoja rreth dashurisë mes femrave. Por gjatë emisionit nuk na ndryshuan zërin, kështu e morën vesh, nuk është se ia thash unë hapur. Ka qenë ndër momentet më të vështira të jetës time, sepse unë do përballesha me frikën time më të madhe. Për fat të mirë kam dy prindër të mrekullueshëm”.

Gjatë emisionit Karaj gjithashtu foli edhe për momentin e parë kur ka folur publikisht rreth orientimit të saj.

“Mënyra se si nisi gjithçka ishte totalisht e pamenduar. Unë në ato vite nuk isha e hapur as tek shoqëria ime. Ishin vetëm dy shoqe që e dinin dhe i përkasin komunitetit. Në ato vite ne njohëm një çift amerikanesh lesbike, të dyja jetonin në Shqipëri për rreth 2 vite e gjysmë dhe nuk kishin njohur kurrë një vajzë lesbike. Ato pyesin një shokun tim se ku ishte komuniteti sepse nuk njihnin asnjë. Shoku im më pyeti nëse do pranoja që t’i takoja. I takova, ato kishin edhe një djalë të vogël 4-vjeçar në ato vite. Ato u kthyen si një familje e dytë për mua dhe për të rinj të komunitetit sepse na hapën shtëpinë e tyre dhe flisnim për atë temë ndërkohë që tek ne ishte tabu. Aty mblidheshim, kemi qenë 4-5 veta në fillim dhe s’dinim nga t’ia nisnim. Hapëm një faqe në Facebook në fillim. Ajo ishte hera e parë që ne dolëm publikisht përmes rrjeteve sociale dhe pamë që kishte shumë njerëz të cilët na kontaktonin. Unë deri në moshën 20-vjeçare mendoja se isha e vetmja lesbike në Shqipëri dhe të rritesh me këtë ide nuk është e lehtë. Unë nuk flisja dot me askënd sepse kisha frika më e madhe ishte se do humbisja dashurinë e shoqërisë, të familjes.

“Ai momenti në “Opinion” është momenti i daljes publike. Kur del në televizion kthehesh në faktor. Ka qenë i pamenduar. Ishte një debat për paradën në 2012-n. Para se të shkoja në studio mamaja ime më tha: “Të keqen mami mos fol”.

Dhe në fakt unë nuk kisha në plan të flisja, doja thjeshtë të mbështesja shokun tim, Kristin. Sepse i kisha premtuar familjes që nuk do deklarohesha. Por debati u bë shumë i zjarrtë, madje pati dhe shumë kërcënime ndaj Kristit. Ishte një moment që i thashë vetes nëse nuk flet tani, nuk do flasësh kurrë në jetën tënde, do rrish me kokën ulur. E kam marrë mikrofonin pa ditur se çfarë do thoja, pashë dhe kamerat u stepa në një moment, por e rëndësishme ishte të jepja mesazhin ndaj komunitetit që nuk jeni vetëm. Ishte moment i vështirë. Të nesërmen kur kam dalë në rrugë për në punë kam parë njerëz që më shikonin dhe thoshin: “Uuuu ajo lesbikja që doli te Klani”. Më dukej vetja si aliene. Një tjetër frikë ishte se si do reagonin në punë, por kam qenë me fat që më kanë mbështetur”, tregoi Karaj tek “Rudina”

Image