Mund të duket paradoksale që një avokate divorcesh flet për mënyrën si të shpëtosh martesën. Por Ayesha Vardag, e njohur në Britani si “Divorce Diva”, thotë se pas viteve të tëra në gjykata dhe nё zyrë me çifte që ndahen, ka zbuluar një të vërtetë të thjeshtë: intimiteti është çelësi për të qëndruar bashkë.
Sipas saj, mungesa e seksit dhe e lidhjes fizike është një nga arsyet më të zakonshme që çon drejt ndarjes. “Njerëzit kanë nevojë për atë afërsi, për atë lidhje. Trupi ynë ka nevojë për hormonet e lumturisë si dopamina dhe oksitocina që çlirohen gjatë seksit”, shprehet ajo.“Edhe kur s’keni qejf, bëjeni”
Mesazhi i saj është i drejtpërdrejtë: edhe nëse jeni të lodhur nga puna, fëmijët apo rutina, mos e lini seksin të zhduket nga marrëdhënia. “Është si palestra – s’ke qejf të shkosh, por kur je atje, zakonisht ndihesh më mirë,” thotë ajo.
Sipas Vardag, shumë çifte që i drejtohen për divorc ankohen pikërisht për zhdukjen e intimitetit. Në disa raste, përpjekjet për të rikthyer afrimitetin – nga një darkё romantike e deri te pak më shumë kujdes për veten – kanë ndihmuar në pajtim.
Ajo thekson se seksi nuk duhet parë si diçka mekanike apo e mërzitshme, por si një pjesë qendrore e marrëdhënies. Kur lidhja fizike është e fortë, çiftet e kanë më të lehtë të përballojnë problemet e tjera.
Një këshillë për momentet e tensionit
Për çiftet që zihen shpesh, Vardag sugjeron një ushtrim të thjeshtë: ndaloni, merrni frymë thellë dhe mbani duart e njëri-tjetrit duke u parë në sy.
“Mund të duket sentimentale, por ka efekt fiziologjik. Të ndihmon të dalësh nga spiralja e zemërimit,” thotë ajo.
Megjithëse profesioni e bёn tё merret me ndarjet, Vardag pranon se i pëlqen kur çiftet pajtohen. Sipas saj, sekreti nuk është të rikrijosh pasionin e ditëve të para, por të kujtosh kush ishe kur partneri u dashurua me ty – dhe ta mbash gjallë atë version.
Në fund, shton ajo, nëse nuk gjeni kohë për njëri-tjetrin, dikush tjetër mund ta bëjë.




















