Mjaftë me fjalë boshe, Fjoralba Ponari ju tregon 5 arsyet pse nuk duhet pyetur një grua nëse është shtatzënë

362
Sigal

Në një video të postuar në Instagram nga moderatorja Fjoralba Ponari, një ndjekës/e i shkroi: “Auu, qenke shtatzënë”. Nuk e dimë si ndjekësi/ja arriti në këtë përfundim, por sidoqoftë Fjoralba iu përgjigj:

”Për njerëzit si ti, lutem! Ndoshta ai barku që sheh ti është sepse ajo goca aty mund të ketë shtuar dozën e bukës, ndoshta stresi. Ku e di të që ajo s’e ka humbur një fëmijë apo ndoshta nuk bën dot kurrë fëmijë dhe merr shkrime të kësaj natyre nga njerëz si ti pa dy pare mend! E kupton sa injorante dhe e pandjeshme është ajo që ke shkruar? Boll dolët në konkluzione mbi mitrën e tjetërkujt”.

Nuk është hera e parë që diskutohet për faktin që është tepër e rëndësishme që gratë të mos pyeten nëse janë shtatzënë. Nëpër media ose blogje dedikuar shtatzënisë dhe prindërimit, si Philadelphia Magazine, Family Education apo Scary Mommy, theksohet se asnjë gruaje nuk i duhet bërë një pyetje e tillë për shumë arsye.

Së pari, është e sikletshme. Në rastin më të mirë, ajo thjesht ka shtuar pak peshë. Një gjë e tillë do të vendos në situatë jo fort të këndshme të dyja palët dhe për më tepër, mund të ndikojë te vetëbesimi i saj.

Së dyti, mund të jetë forma trupore. Pra, me pak fjalë, po i thoni dikujt që është e kolme se duket si grua shtatzënë. Gratë shtatzëna duken për mrekulli, por në këtë rast merr tjetër konotacion dhe mund të ndikojë negativisht te personi përballë.

Së treti, duhet të keni parasysh që jo të gjithë duan të kenë fëmijë dhe kjo është e mirëkuptueshme.

Së katërti, mund të ketë përjetuar një abort spontan ose të planifikuar, që në të dy rastet shoqërohet me një gjendje emocionale dhe fizike të komplikuar. Një pyetje e tillë thjesht rëndon më keq gjendjen e saj. Edhe në rast se aborti ka ndodhur kohë më parë, sërish mbetet një kujtim i dhimbshëm të cilin askush nuk do ta ripërjetojë.

Së pesti, ndoshta ajo nuk bën dot fëmijë ose po has probleme për të qenë shtatzënë dhe sigurisht që kjo pyetje është e tmerrshme.