Sigal

Bebe Rexha është kthyer në një ndër artistet më të preferuara për të gjithë brezin e ri në mbarë botën. Vitet e fundit çdo këngë e saj numëron me miliona shikime dhe duket se fansat e saj shtohen dita-ditës. Këtë gjë mund ta vërtetojnë edhe çmimet që këngëtarja me origjinë shqiptare po fiton së fundmi. Ditën e djeshme, Bebe Rexha rrëmbeu çmimin e ‘Teen Choice Awards’ për “Kënga më e mirë ‘country’” në bashkëpunim me Florida Georgia Line.

Kjo ishte hera e parë që Bebe merrte pjesë në këtë kompeticion dhe fiton një çmim kaq të rëndësishëm. Ajo është shprehur mjaft e lumtur dhe e emocionuar në ‘Instagram’. “Faleminderit shumë për çmimin e parë në ‘Teen Choice Awards’. Gati fillova të qaja, por i mbajta lotët. Përfunduam duke fituar të tre mbrëmjen e kaluar. E mrekullueshme”, – ka shkruar Bebe. ‘Teen Choice Awards’ cilësohet si një ndër spektaklet më të mëdhenj dhe të rëndësishëm në Amerikë, duke qenë se në të përfshihen çmime nga fusha të ndryshme duke filluar nga televizioni, muzika, sporti moda e shumë të tjera.