Vlerat befasuese të çajit të hithrës

656
Çaji i hithrës ndoshta nuk futet në listën e zgjedhjeve të preferuara të çajrave për shumë konsumatorë, e megjithatë ky çaj është i shijshëm e plot vlera, sepse arrin të ulë dhimbjet, qetësojë alergjitë, përmirësojë sistemin imunitar, mbrojë zemrën, përmirësojë tretjen, largojë inflamacionin dhe shërojë problemet me lëkurën.
Hithra është një bimë e egër që përdoret rregullisht në Shqipëri, sidomos byrekun e famshëm me këto barishte medicinale. Hithra gjendet kudo në vendin tonë, ndërsa emri i saj shkencor është Urtica Dioica. Për mijëra vjet me rradhë, hithra është përdorur gjërësisht, jo vetëm si burim ushqimor dhe fibrash, por edhe për mjekësinë bimore.
Nëse hithra përdoret si burim ushqimor, duhet të dini që ajo është e pasur me proteina njësoj si spinaqi. Hithra mund të thahet dhe të përdoret për çaj. Lulet e bimës së hithrës përdoren kryesisht për përgatitjen e këtij çaji.
Çaji i hithrës është i fortë dhe ka një efekt të menjëhershëm në organizëm, për shkak të flavonoidëve, karotenoidëve, vitaminave dhe mineraleve. 
Hithra është veçanërisht e pasur me kalcium dhe magnez, madje më shumë se barishtet dhe zarzavatet e tjera.
Këta ushqyes merren direkt nëpërmjet çajit të hithrës që është shumë i kërkuar në mbarë botën. Disa prej vlerave befasuese të hithrës janë të renditura më poshtë.
Vlerat shëndetsore të çajit të hithrës
Shëndeti i veshkave: Vlerat më premtuese të çajit të hithrës kanë të bëjnë me veshkat. Ky çaj ka efekt diuretik dhe ndihmon në stimulimin e urinimit të shpeshtë e të shëndetshëm. Çaji i hithrës përmirëson edhe shëndetin e prostatës dhe parandalon zhvillimin e gurëve në veshka.
Sistemi imunitar: Flavonoidët dhe karotenoidët që gjenden tek çaji i hithrës, së bashku me sasinë e lartë të vitaminës C, i japin kësaj pijeje efikasitet të plotë në lidhje me fuqizimin e sistemit imunitar.
Shëndeti i zemrës: Shkencëtarët kanë zbuluar një lidhje të drejtpërdrejtë mes konsumit të rregullt të hithrës dhe uljes së tensionit të gjakut. Përbërësit anti-inflamatorë si dhe kaliumi ndihmojnë në uljen e presionit të arterieve dhe enëve të gjakut, duke përmirësuar kështu qarkullimin e tij dhe fluksin e oksigjenit në çdo pjesë të organizmit. Një gjë e tillë ul shanset për atakun në zemër, isheminë apo komplikacionet e tjera kardiovaskulare.
Tretja: Antioksidantët dhe vetitë kundër inflamacionit të çajit të hithrës e bëjnë atë fantastik kundër problemeve me tretjen. Çaji i hithrës ndihmon në rimëkëmbjen e shëndetit të të gjithë aparatit tretës dhe promovon rritjen e baktereve të dobishme.
Shëndeti i lëkurës: Çaji i hithrës ka efekt qetësues dhe ai ndihmon në lehtësimin e simptomave të akneve, ekzemës, irritimeve dhe njollave të tjera të lëkurës. Ju mund ta pini këtë çaj për të përfituar këto efekte, ose mund ta përdorni lëngun për të lyer zonat e prekura në lëkurë për të siguruar një përthithje maksimale.
Osteoporoza: Çaji i hithrës përmban shumë minerale të shëndetshme përfshirë kalciumin, magnezin dhe hekurin. Kjo e bën këtë çaj,të jashtëzakonshëm për njerëzit që vuajnë nga anemia, por edhe për parandalimin e sëmundjes që gërryen kockat me kalimin e moshës.
Ul dhimbjet dhe inflamacionin: Çajin e hithrës mund ta përdorni për të ulur dhimbjet e muskujve, shpinës, kokës, lëndimeve të lëkurës etj. Ky çaj është kaq i fuqishëm sa që pa mbaruar së piri do të vëreni se dhimbja ka ikur. Aplikimet e jashtme të çajit të hithrës janë po aq efikase, madje më të drejtpërdrejta, por gjithnjë sugjerohet ta pini çajin e hithrës për të përfituar më shumë prej tij.
Si të përgatisni çajin e hithrës
Vendosni hithrat, të thata ose të freskëta, në një çajnik. Hidhni ujë dhe vendoseni çajnikun në zjarr. Për një filxhan me hithra, ju nevojiten 2 filxhanë me ujë. Çajin mund ta bëni të fortë duke hedhur më pak ujë, ose më të lehtë duke hedhur më shumë ujë.
Sapo uji të nisë të ziejë, hiqeni nga zjarri dhe lëreni të ftohet për pak minuta. Më pas kullojeni dhe hidheni në filxhan. Disa njerëz preferojnë të shtojnë pak sheqer, por edhe mjalti është një zgjidhje ideale.
Sigal