Studimi ngre alarmin / Fëmijët që përdorin mbi 7 orë në ditë pajisjet teknologjike pësojnë dëmtime në tru

375
Sigal

Fëmijët sot po rriten në një botë të dominuar nga teknologjia. Për më tepër, shumë nga prindërit nuk janë ende të vetëdijshëm se çfarë dëmtime mund të sjellin përdorimi i pajisjeve teknologjike.

Instituti Kombëtar i Shëndetit në ShBA ka publikuar rezultatet e para të studimit në lidhje me përdorimin e pajisjeve teknologjike nga ana e fëmijëve shkruan BellyBelly. Studimi nga The Adolescent Brain Cognitive Development (ABCD) ka për qëllim të kuptojë sesi përvojat e fëmijërisë ndikojnë në zhvillimin e trurit të një fëmijë.

Gaya Dowling, anëtare e studimit, tregoi se më shumë se 11,800 fëmijë të moshës 9-10 vjeç u bënë pjesë e studimit. Studiuesit ndjekën zhvillimin biologjik dhe të sjelljes së fëmijëve përmes adoleshencës deri në moshën e pjekurisë.

Skanimet e trurit tek fëmijët treguan se fëmijët të cilët përdorën telefonin apo ndonjë pajisje tjetër teknologjike për më shumë se 7 orë në ditë treguan hollim të parakohshëm të korteksit të trurit. Korteksi është i ndarë në katër pjesë dhe secili seksion është përgjegjës për përpunimin e llojeve të ndryshme të informacionit ndijor. Fëmijët që përdorën ekranet për më shumë se dy orë në ditë gjithashtu paraqitën probleme në testet e të menduarit dhe gjuhës.