Rikthehen në punë 18 mjekë pensionistë

534
Maks TUFA
Ilir Beqja nuk mund ta ndalë eksodin e mjekëve, lumë aplikimesh drejt Gjermanisë, SHBA-së, Australisë dhe Kanadasë
Do të ishte e besueshme dhe normale sikur të thuhej se “nga Puka, Tropoja , Erseka apo Kukësi, janë duke u larguar mjekët drejt vendeve të Evropës dhe përtej oqeanit”, por kjo gjë të thuhet për mjekët e Ambulancave , Qendrave Shëndetësore dhe spitaleve të Elbasanit, mbetet paksa paradoksale. Kjo për faktin se ky qytet renditet tek zonat e banuara dhe mbipopulluara për shkak të lëvizjeve të pakontrolluara që janë bërë në 25 vitet e fundit dhe, për pasojë edhe shërbimet mjekësore kanë njohur rritje sasiore. Por ka ndodhur dhe po ndodh edhe sot, ai që quhet “eksodi masiv i mjekëve”, të cilët nuk pajtohen as me “rritjen” e pagave dhe ardhjen e gjoja pajisjeve të reja në spitale, Ambulanca dhe Qendra Shëndetësore, duke pretenduar pagën 10 fish më të lartë, që u japin atyre sapo shkelin në tokën gjermane, australiane, amerikane apo diku tjetër, se sa pagën e rritur nga Rilindja. Burime nga institucionet shëndetësore në Elbasan i thanë “Telegraf” se “deri tani kemi rikthyer në punë 18 mjekë të cilët prej 1 apo 2 vitesh kanë dalë në pension, numër që ka tendencë në rritje, pasi nuk kemi kontingjent, kemi mungesa të theksuara, sepse na janë larguar kolegët, pasi kanë fituar të drejtën e punësimit dhe lejen e qëndrimit, dhe këta mjekë të specializuar po ikin përfundimisht drejt vendeve të tilla si Gjermania, ku paguhen me 5200 euro në muaj, apo drejt Australisë ku paguhen me mbi 12 mijë dollarë në muaj , llogarit kur këtë page e merr një mjek shqiptar, apo edhe drejt SHBA-ve ku paguhen me mbi 10500 deri 11 000 dollarë në muaj, plus bonuseve, dhe kjo vjen si pasojë e politikave diskriminuese, si pasojë e mungesës së vëmendjes dhe kushteve nga Ministria e Shëndetësisë, apo edhe si pasojë e mungesës së terreneve dhe hapësirave për të ushtruar kërkimet shkencore nga ata që kanë kryer specializime edhe jashtë vendit”. Vetëm në 6 muajt e fundit duke nisur nga shtatori 2016, kanë aplikuar për tu larguar drejt vendeve perëndimore apo edhe drejt Australisë edhe 36 mjekë specializantë, dhe janë në pritje të përgjigjeve patjetër pozitive, për ti thënë “lamtumirë” ambulancave, spitaleve dhe qendrave të tjera mjekësore në këtë vend, pasi u mungon higjiena, kushtet e punës, medikamentet, interesimi titullarëve, dikasterit, dhe hapësira e duhur për të kontribuar me dijet e tyre. Eksodi i mjekëve mbetet epidemia më e rrezikshme e cila shumë shpejt, ndoshta për 5 apo 10 vjet, do të boshatisë spitalet dhe ambulancat nga mjekët e specializuar, dhe kur kjo gjë ndodh edhe me qytetet e mëdha, mendo çfarë katastrofe jetësore ndodh me banorët fatzinj të qyteteve dhe fshatrave larg Tiranës. Ata kanë vite pa shërbimin mjekësor, pa mjekun e tyre, pa Qendra Shëndetësore, pa farmaci, pa infermier, duke u trajtuar shpesh nga veterineri, apo edhe në raste të tjera ekstreme edhe nga agronomi rastësishëm. Si mund të pretendosh për “mjekësi falas” për “modernizim të spitaleve dhe ambulancave, kur prej 4-5 muajsh ato gjenden pa karburant, gjenden pa ilaçe, pa higjienën e duhur, dhe çdo ditë rrezikohen nga largimi mjekëve drejt vendeve evropiane dhe atyre përtej Atlantikut. Drejtuesit e institucioneve të shëndetësisë në Elbasan dhe jo vetëm atje, kanë dhënë alarmin se, “po rikthejmë pensionistët e kërrusur për ti ardhur në ndihmë qytetarëve për vizita mjekësore dhe ato të specialiteteve, sepse po na ikin mjekët, ndaj Ilir Beqja të marrë masa, ku më urgjente mbetet hartimi i një strategjie me politika mbështetëse ndaj atyre që janë mjekë me emër, të formuar dhe të specializuar, ndryshe do të mbushim ambulancat dhe spitalet përkohësisht me pensionistë, apo me mjekë që kanë dalë nga fakulteti me nota 5 dhe me doktoraturë të blerë në Bullgari apo Moldavi”.
Sigal