Pse duhet të hani arra për të ulur kolesterolin dhe për rënie në peshë

416
Sigal

Harroni sallatat dietike, mishin pa dhjamë apo çajin jeshil.

Mesa duket çelësi i suksesit në misionin e të rënit në peshë qëndron tek një grusht me arra.

Studimet kanë zbuluar se një regjim ushqimor i pasur me arra dhe vaj ulliri është shumë i mirë për uljen e kolesterolit dhe po aq efikas në rënien në peshë si një regjim i pasur në karbohidrate dhe me ushqime me pak yndyrë.

Sipas ekspertëve, ky nuk është përfitimi i vetëm që arrat i ofrojnë organizmit.

Arrat janë të pasura me yndyrna polio-të-pangopura, të cilat i bëjnë mirë shëndetit të zemrës dhe ulin kolesterolin.

Për të arritur në këtë konkluzion, studiuesit e mjekësisë të Universitetit të Kalifornisë analizuan të dhënat e 245 personave mbipeshë dhe obezë.

Pjesëmarrësit në studim ishin të moshave nga 22 deri në 72 vjeç.

Ata iu nënshtruan tre regjimeve të ndryshme ushqimore.

Regjimi i parë ofronte ushqime me pak yndyrë por të pasura në karbohidrate.

I dyti ofronte pak karbohidrate dhe ushqime me një nivel të lartë yndyre.

Regjimi i tretë ishte i pasur me arra dhe nivel të ulët karbohidratesh.

Ata që ndoqën këtë regjim, konsumonin rreth 40 gramë arra në ditë.

Kjo sasi është e barazvlefshme me një grusht e gjysëm arrash.

Në harkun kohor të gjashtë muajve pjesëmarrësit që ndoqën regjimin me arra humbën njësoj peshë si grupet e tjera me dietë.

Ndërkohë, përveç rënies në peshë, grupi i tretë pati më shumë përmirësime në nivelin e kolesterolit në krahasim me grupet e tjera.

Kolesteroli i keq u ul ndjeshëm tek personat, organizmi i të cilëve ishte më i prirur ndaj diabetit.

Kjo nuk do të thotë se mund ta teproni me ushqimet me yndyrë.

Vlerat Shëndetësore Të Arrave

Sipas të dhënave, një regjim ushqimor i pasur me arra ofron yndyrna të mira polio-të-pangopura.

Në fakt, arrat janë të vetmet që ofrojnë kryesisht këtë lloj yndyrnash dhe acidin alfa linolenik.

Ky acid është një formë bimore që rrjedh nga acidet yndyrore omega-3.

Ai është thelbësor për funksionet e organizmit dhe trurit.

Duke qenë se trupi nuk arrin të prodhojë një acid të tillë, organizmi vuan nga mungesa e tij.

Studimi i lartpërmendur është publikuar në revistën e Shoqatës Amerikane të Zemrës.

Publikimi i tij u bë pak kohë pasi shkencëtarët e Harvardit rekomanduan zëvendësimin e yndyrnave të ngopura me ato polio-të-pangopura për një jetë të gjatë dhe zemër të shëndetshme.