PHD. Anila Kalleshi: Tetori, muaji i sensibilizimit për kancerin e gjirit. Shenjat, shkaktarët dhe trajtimi. Vetitë kuruese të ananasit, cistet dhe tumoret ovariale

Tetori, Muaji i Sensibilizimit për Kancerin e Gjirit

 

Sigal

Muaji Tetor në të gjithë botën është muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, për të rritur vëmendjen dhe mbështetjen për sensibilizimin, zbulimin e hershëm, trajtimin si dhe kujdesin për këtë sëmundje. Kanceri i gjirit është kanceri më i zakonshëm i grave në mbarë botën, si në vendet e zhvilluara dhe vendet në zhvillim. Kjo rritje në vitet e fundit është për shkak të rritjes së jetëgjatësisë, rritjes së urbanizimit dhe mënyrave jo të shëndetshme të jetesës.

Aktualisht nuk ka njohuri të mjaftueshme për shkaqet e kancerit të gjirit, por dihet se, zbulimi i hershëm i sëmundjes mbetet guri i themelit të kontrollit të kancerit të gjirit.

Kanceri i gjirit shpesh shkakton shqetësim, stres dhe ankth.

Është fakt konkret dhe i dukshëm se, informimi dhe sensibilizimi ka çuar në zbulimin dhe diagnostikimin e hershëm të kancerit. Sa më herët të zbulohet kanceri i gjirit, aq më tepër rriten edhe mundësitë për shërimin e tij.

Çfarë është kanceri i gjirit?
Kanceri i gjirit zhvillohet nga qelizat e vetë gjirit. Qelizat në një pjesë të gjirit bëhen anormale dhe fillojnë të rriten, grumbullohen e formojnë një tumor, i cili shtyp dhe përhapet jashtë kontrollit dhe shkatërron indin normal të gjirit.

Nëse nuk trajtohen, këto qeliza anormale mund të përhapen dhe të dëmtojnë apo shkatërrojnë indet normale që ndodhen përreth. Gjithashtu, ato mund të përhapen edhe në pjesët më të largëta të trupit, nëpërmjet sistemit të qarkullimit të gjakut ose nëpërmjet sistemit limfatik.

Kush mund të preket nga kanceri i gjirit?
Nga kanceri i gjirit mund të preket çdo femër, por rreziku rritet me rritjen e moshës.
Zakonisht preken moshat mbi 50 vjeç, por mund të shfaqet edhe në mosha fare të reja.

Çfarë e shkakton kancerin e gjirit?
Askush nuk e di me siguri se çfarë e shkakton kancerin e gjirit apo pse disa gra kanë kancer gjiri dhe të tjera jo, pse disa janë më të rrezikuara për të zhvilluar kancer gjiri dhe të tjera jo. Por dimë se ka disa faktorë që duket se rrisin rrezikun për të zhvilluar kancer gjiri. Disa faktorë ne nuk mund t’i ndryshojmë dhe disa të tjerë jo.

Faktorët që nuk mund t’i ndryshojmë janë:

Gjinia – Të qenit grua.
Mosha – Rreziku për të pasur kancer gjiri rritet me rritjen e moshës.
Faktorët gjenetike – Rreth 5% deri 10% e kancereve të gjirit mendohet të jenë pasojë e një defekti gjenetik, të gjeneve BRCA1 dhe BRCA2.

Historia familjare për kancer gjiri – Gratë të cilat kanë pasur të afërm si gjyshja, nëna apo motra me kancer gjiri kanë një rrezik më të lartë se popullata e përgjithshme.

Historia personale lidhur me kancerin e gjirit – Gratë me kancer në njërin gji kanë një rrezik 3-4 herë më të lartë për të zhvilluar një kancer të ri, në gjirin tjetër apo në një pjesë tjetër të të njëjtit gji.
Gratë me ind gjiri me densitet të lartë – Gratë me ind gjiri me densitet më të lartë (siç mund të shihet në mamogram), kanë rrezik më të lartë për kancer.

Disa probleme beninje të gjirit – Gratë e diagnostikuara me probleme beninje të gjirit mund të kenë një rrezik më të rritur për kancer gjiri, sidomos kur këto probleme shoqërohen me rritje të tepruar të qelizave të indit të gjirit, në kanalet apo gjendrat e tij.

Fillimi i menstruacioneve – Gratë të cilat kanë pasur fillimin e ciklit menstrual para moshës 12 vjeç.
Mbarimi i menstruacioneve – Gratë që kanë pasur mbarimin e menstruacioneve pas moshës 55 vjeç kanë një rrezik lehtësisht më të lartë.

Ekspozimi ndaj rrezatimit të gjoksit – Gratë që në fëmijërinë apo adoleshencën e tyre, kur gjinjtë janë ende duke u zhvilluar, i janë nënshtruar mjekimit me rrezatim, për arsye të një sëmundjeje tjetër kanceroze, kanë rrezik më të lartë.
Faktorë rreziku të ndryshueshëm janë:

  1. Lindja e fëmijëve – Gratë që nuk kanë pasur fëmijë ose që e kanë pasur fëmijën e parë pas moshës 30 vjeç kanë një risk lehtësisht më të lartë për kancer gjiri. Shumë shtatzëni dhe shtatzënitë në moshë të hershme duket se e ulin riskun.
  2. Mjekimi me hormone pas menopauzës – Rritja e rrezikut për kancer gjiri është vetëm në përdorimin e kombinuar të hormoneve (estrogen me progesteron), por rreziku normalizohet brenda 5 vitesh nga ndërprerja e tij.
  3. Ushqyerja me gji – Ushqyerja me gji mund ta ulë lehtësisht rrezikun nga kanceri i gjirit, sidomos nëse vazhdon gjatë, për 1 vit e gjysmë ose dy vjet.
    Konsumi i tepruar i alkoolit – Rreziku i rritur për kancer gjiri dhe rritja e tij lidhet me sasinë e alkoolit të konsumuar. Gratë që konsumojnë 2 – 5 pije të përditshme kanë 50 % rrezik më të lartë se gratë që nuk konsumojnë alkool.
  4. Mbipesha dhe obeziteti – Rritja e rrezikut për kancer gjiri nga mbipesha dhe obeziteti është sidomos kur këto ndodhin pas menopauzës.
  5. Ushqimet me yndyrna të larta – Ngrënia e ushqimeve me përmbajtje të lartë yndyrnash përbën rrezik për kancer të gjirit, dhe ka lidhje me mbipeshën ose obezitetin.
  6. Aktiviteti fizik – Aktiviteti fizik e ul rrezikun për kancer gjiri.
  7. Duhanpirja aktive e pasive – rrit rrezikun për kancer gjiri.

Sa më shumë faktorë rreziku të ketë një grua, aq më e madhe është mundësia për t’u prekur nga kanceri i gjirit.

SHENJAT E KANCERIT TË GJIRIT

Kanceri i gjirit mund të shfaqet me një sërë shenjash të ndryshme, të mundshme:
-Në shumicën e rasteve shenja më e zakonshme e kancerit në gji është një nyjëz apo një kokërr e fortë gjatë prekjes, në gji apo nën sqetull.
-Enjtje e një pjesë apo e gjithë gjirit.
-Irritim apo dëmtim i lëkurës së gjirit, apo trashje që ngjan me lëkurën e portokallit.
-Gropëzim (kthim nga brenda) e thithit.
-Skuqje, apo zënie kore e thithit apo lëkurës së gjirit.
-Rrjedhje nga gjiri, sidomos rrjedhje gjaku.
-Dhimbje në gji apo në thithin e gjirit.
-Si dhe çdo gjë tjetër që nuk duket normale.

VETITË KURUESE TË ANANASIT

Ananasi përveçse është i mirë për t’u shijuar, ai i bën shumë mirë lëkurës, forcon kockat, parandalon tensionin e lartë dhe nuk të shëndosh. Prej vitesh preferohet dhe dieta me ananas, e cila ndihmon për të pasur një bark të sheshtë dhe të pastron organizmin. Kjo lloj diete bën pjesë në më të shpejtat, sepse zgjat vetëm katër ditë dhe mund të përsëritet çdo muaj. Këtë frutë mund ta hani në çdo sezon të vitit. Për të përvetësuar në maksimum vlerat e tij duhej ta hani të freskët.

Ja disa përfitime të ananasit:

  1. Forcon thonjtë
  2. Ka efekt kundra plakjes. Ananasi është një aleat i vërtetë kundër rrudhave dhe kundër plakjes së kockave. Largon inflamimin e nyjeve dhe muskujve, veçanërisht atyre që lidhen me artritin.
  3. Pastron organizmin. Falë përbërjes së tij të lartë me ujë ndihmon në eliminimin e toksinave.
  4. Anti-inflamator natyror sidomos në dimër. Është i dobishme kundër kollës, të ftohtit dhe ndihmon organizmin tonë nga infeksionet.
  5. Ndihmon tretjen. Ananasi është burim fibrash dhe kjo e bën më të lehtë tretjen. Gjithashtu është shumë i dobishëm në rast diarreje ose koliti.
  6. Forcon dhëmbët. Vetitë antioksiduese të ananasit i bëjnë mirë edhe gojën, parandalojnë kancerin oral, forcojnë dhëmbët dhe mishrat.
  7. Ndihmon shikimin. Prania e beta-karotenës ndihmon në ruajtjen e efikasitetit të fushëpamjes, duke luftuar degjenerimin makular të retinës, që mund të çojë në humbjen e shikimit.
  8. Të dobëson. Shija e ëmbël që ka mund të na mashtrojë. Realisht bromelina, që është e pranishme te ananasi redukton celulitin në trupin tonë.
  9. Ul tensionin e lartë. Kush vuan nga tensioni i lartë duhet të hajë shpesh ananas. Përmbajtja e lartë e kaliumit dhe sasia minimale e natriumit lejojnë të mbajnë tensionin e ulët.
  10. Tonifikon muskujt. Ananasi është një frutë ideal për ata që merren me aktivitete sportive.

Pas një aktiviteti fizik, ananasi siguron një furnizim adekuat të kripërave minerale dhe i shpërndan shpejt ato nëpër trup.

Cistet dhe Tumoret Ovariale

 

Cistet janë qeska të mbushura me lëng që mund të formohen në ovare. Janë shumë të shpeshta, sidomos në vitet kur femra është në fazën më të përshtatshme për lindjen së fëmijëve.
Ovaret (vezoret) janë dy organe të vogla të vendosura në secilën anë të mitrës në trupin e një femre. Ato prodhojnë hormone duke përfshirë estrogjenin, i cili nxit menstruacionet.

Për çdo muaj, ovaret lirojnë një ‘vezë të vogël’. Qeliza vezë lëshohet nëpër tubat uterine (fallopi) duke qenë e gatshme për fertilizim. Cikli i krijimit dhe lirimit të qelizës vezë quhet ovulacion.

Shkaktarët
Ekzistojnë disa tipa të cisteve të vezoreve, ndërsa më i shpeshtë është cisti funksional. Ky formacion krijohet kur nuk lirohet qeliza vezë ose kur nuk shpërbëhet folikuli (ku formohet qeliza vezë) pas lëshimit të qelizës vezë.

Tipat tjerë të cisteve janë:

  1. Ovaret policistike. Në sindromën policistike të ovareve, folikulet në të cilat qelizat vezë piqen normalisht, nuk hapen – ashtu që formohet cisti.
  2. Te femrat me endometriozë, indi i mitrës zhvillohet në pjesë të tjera të trupit duke përfshirë edhe ovaret. Mund të shkaktojnë dhimbje të mëdha dhe të pengojnë fertilitetin.
  3. Këto ciste formohen nga qelizat në sipërfaqe të vezoreve. Janë zakonisht të mbushura me lëng.
  4. Cistet dermoide. Përmbajnë ind të ngjashëm me atë të pjesëve të tjera të trupit, si lëkura, flokët dhe dhëmbët.

Simptomat e cisteve dhe tumoreve të ovareve janë:

  1. Dhimbje ose fryrje në bark
  2. Vështirësi gjatë urinimit ose nevojë e shpeshtë për të urinuar
  3. Dhimbje në pjesën e poshtme të shpinës
  4. Dhimbje gjatë marrëdhënieve seksuale
  5. Menstruacione të dhimbshme dhe gjakderdhje anormale
  6. Shtim në peshë
  7. Ndjenjë për të vjellë
  8. Humbje oreksi

Nëse keni ndonjë nga simptomat e mësipërme, është e rëndësishme që të bëni një kontroll, për arsye se ato mund të jenë edhe simptoma të tumoreve të ovareve.