Kanceri i gjirit: Zbulimi i ri që mund të ndalojë përhapjen e tij

729
Sigal

Detina & Argita Zalli

Kanceri i gjirit është një patologji
neoplazike, që ashtu si çdo lloj tjetër kanceri, mund të jetë vdekjeprurëse nëse
nuk diagnostikohet në kohë. Ajo që e dallon nga të tjerët dhe e bën kancerin e
gjirit një problematikë madhore të shëndetësisë në të gjitha hallkat e saj, të
parandalimit, trajtimit, kujdesit post-kirurgjikal, është përhapja në shifra
marramendëse, si dhe vdekshmëria e lartë e tij.

Pak statistika mbi përhapjen globale të
kancerit të gjirit, parandalimin dhe mbijetesën e tij në gratë e prekura, janë
të nevojshme për të kuptuar më qartë situatën epidemiologjike që ai krijon në
mbarë botën.

Kanceri i gjirit është kanceri më i
shpeshtë tek gratë në të gjithë botën, me 1.7 milion raste të reja të numëruara
në vitin 2012. Sipas statistikave në Brazil, rreth 22% raste të kancerit të
gjirit mund të parandaloheshin nga moskonsumimi i alkolit, rritja e aktivitetit
fizik dhe mbajtja e një peshe normale. Gjithashtu, sipas OBSH mbijetesa nga
kanceri i gjirit varion në vende të ndryshme: 80% në Amerikë, Suedi dhe Japoni,
60% në vende me të ardhura të mesme, 40% në vendet me të ardhura të ulëta. Të
gjitha këto na sugjerojnë, që sa më të mira të jenë strategjitë parandaluese
dhe trajtuese, aq më të larta janë mundësitë e mos prekjes, apo mbijetesës (në
rast prekjeje) nga kjo patologji.

Vëmendje të veçantë nga grupet kërkimore
i kushtohet gjithashtu edhe zbulimit të shkaqeve, fiziopatologjisë, apo mënyrave
të reja të trajtimit të kancerit të gjirit.

Në kuadër të kësaj, një grup shkencëtarësh
nga Institute of Cancer Research në Londër dhe German Cancer Reasearch Center
në Hiedelberg, tashmë kanë zbuluar mënyrën sesi qelizat kanceroze përhapen në
gjak dhe më tej në pjesët e tjera të organizmit: ky mund të jetë një zbulim që
mund të rinovojë strategjitë e trajtimit, dhe si rrjedhojë të ulë vdekshmërinë
nga kanceri i gjirit.

Në këtë kërkim të fundëm shkencor u
zbulua që qelizat normale të organizmit që mbështjellin enët e gjakut -të
quajtura pericite-ndihmojnë qelizat kanceroze të hyjnë në rrjedhën e gjakut dhe
të përhapen në pjesë të ndryshme të organizmit. Pikërisht kjo përhapje apo në
terma mjekësorë- metastazimi- i qelizave kanceroze, e bën kancerin e gjirit të
pashërueshëm dhe shkaktar të rreth 508.000 vdekjeve çdo vit në të gjithë botën.

Qelizat kanceroze kanë nevojë për një
furnizim të lartë me oksigjen dhe lëndë ushqyese, për shkak të metabolizmit të
lartë të tyre, si dhe ndarjeve të shumta qelizore që realizojnë. Për këtë
arsye, indet kanceroze janë shumë të pasura me enë gjaku, të cilat jo vetëm
garantojnë ushqyerje më të mirë të tyre, por edhe rrisin mundësinë e kalimit të
qelizave kanceroze në gjak. Deri më parë dihej shumë pak për mekanizmin se si këto
qeliza arrinin të futeshin në qarkullim, por sipas këtij studimi, pericitet, të
cilat rrethojnë muret e enëve të gjakut, prodhojnë një lëndë kimike që quhet
endosialinë, dhe lehtëson kalimin e tyre në gjak.

Gjatë këtij kërkimi shkencor, janë kryer
eksperimente në minj, në të cilët janë krahasuar mostra kanceroze me pericite të
cilat prodhonin endosialinë me ato që nuk prodhonin fare. Më tej janë marrë
mostra mga 334 gra me kancer gjiri dhe është krahasuar lidhja midis prodhimit të
endosialinës nga pericitet e tyre dhe mundësisë së metastazimit. Nga të gjitha
këto eksperimente është provuar që endosialina ndihmon kalimin e qelizave
kanceroze në gjak.

Ky zbulim ka hapur një shteg të ri në
terapinë kundër kancerit të gjirit, që ka si target kryesor frenimin e funksionit
të endosialinës. Kjo kurë e re është shumë shpresëdhënëse për të gjithë, pasi
duke vepruar në fazën më delikate-atë të metastazimit- do të reduktonte
ndjeshëm vdekshmërinë nga kjo sëmundje.

Referencat:

http://www.dailymail.co.uk/health/article-3791619/Have-British-scientists-cell-causes-spread-breast-cancer-Breakthrough-save-thousands-lives.html

https://www.sundaypost.com/news/uk-news/discovery-paves-way-research-help-contain-breast-cancer-spread/

icr.ac.uk/news-archive/study-shows-blood-vessel-cells-are-helping-breast-cancers-enter-bloodstream-and-spread-around-body

Foto-1

http://www.medicalnewstoday.com/articles/285068.php

Foto-2

https://www.thermofisher.com/blog/proteomics/personalizing-medicine-targeting-breast-cancer-cell-membrane-proteomics/