Ja disa mënyra se si të çliroheni nga ankthi

612
Sigal

Të gjithë përjetojmë ankth në momente të caktuara të jetës,
sidomos në çaste kritike, si rrugës për një intervistë pune, përpara provimeve
apo kur do takojmë një person të ri. Ankthi është pjesë e jetës tonë dhe
funksioni i tij mund të krahasohet me atë të tensionit të gjakut – ne na duhet
një nivel i caktuar i tij që të jetojmë, por nëse ky nivel ngrihet shumë
atëherë mund të na dëmtojë. Pra, një nivel i caktuar ankthi është i dobishëm
sepse na shtyn që të veprojmë, të marrim vendime dhe të zgjidhim problemet
tona. Por, në rastin kur ankthi bëhet pjesë e pandashme e jetës tonë atëherë ai
kthehet vetë në një problem. Njerëzit që vuajnë nga ankthi kronik shpenzojnë
një pjesë të mirë të ditës duke u shqetësuar dhe u frikësuar për çfarë mund të
ndodhë në të ardhmen. Ankthi kronik është paralizues, na detyron të harxhojmë
shumë energji emocionale, dhe ndërhyn në aktivitetet tona të përditshme duke na
bërë të ndihemi të lodhur fizikisht dhe të ngarkuar psikologjikisht. Lajmi i
mirë për të gjithë ata që bashkëjetojnë me ankthin është që çdokush mund të
mësojë të menaxhojë ankthin nëpërmjet teknikave të ndryshme, disa prej të
cilave do të trajtohen në vijim. Këto teknika mund të përdoren nga kushdo për
të mbajtur në kontroll simptomat e ankthit dhe për t’u ndjerë më mirë. Duhet
theksuar ama se në rastet e nivelit të lartë të ankthit ndihma e psikologut apo
psikoterapistit është e nevojshme.

Mësoni të bashkëjetoni me ndjenjën e pasigurisë 
Personat që vuajnë nga ankthi kërkojnë në mënyrë të vazhdueshme siguri të plotë
për çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Ata shqetësohen gjatë gjithë kohës për
çfarë mund të ketë ndodhur apo çfarë do ndodhë. Për më tepër, ata përqendrohen
kryesisht tek skenarët negativë të së ardhmes. Shpesh herë ky shqetësim i
vazhdueshëm perceptohet si një mënyrë e të qenit në kontroll dhe e bën dikë të
ndihet më i sigurt për të ardhmen. E vërteta është që sado që të vrisni mendjen
për çka mund të sjellë e ardhmja, përsëri nuk mund ta bëni jetën më të
parashikueshme. Dikush mund të ndihet më i sigurt ndërsa shqetësohet për të
ardhmen, por në fakt ky efekt është vetëm një iluzion. Nuk është se mund të
parandaloni ngjarje negative thjesht duke menduar për to. Përkundrazi, duke u
përqendruar në mendime negative për të ardhmen, të cilat mund të mos realizohen
kurrë, nuk shijoni dot të sotmen së bashku me të gjithë gëzimet e saj. Është e
nevojshme për të ulur nivelet e ankthit në jetën tonë që të filloni të punoni
dhe të ndryshoni nevojën për siguri dhe për të parashikuar të ardhmen.

Mos i lejoni ankthit të zaptojë gjithë orët e ditës tuaj 
Nëse i dedikoni një pjesë të mirë të ditës mendimeve ankthioze atëherë është
shumë e vështirë që të jeni produktivë dhe të funksiononi shëndetshëm. Por dhe
të përpiqeni që t’i zhdukni këto mendime plotësisht nuk funksionon -të paktën,
jo për shumë kohë pasi ato kthehen përsëri, nganjëherë dhe më të forta se më
parë. Kjo nuk do të thotë që nuk mund të bëni asgjë për të kontrolluar ankthin.
Por në vend që të përpiqeni t’i zhdukni këto mendime plotësisht, mund të jetë
më e suksesshme që të mësoni se si të krijoni një hapësirë kohore të caktuar
për to. Për të arritur këtë qëllim, caktoni një orar dhe një vend për t’ia
dedikuar ankthit (le të themi 6:00- 6:20 në dhomën e gjumit). Ky orar dhe vend
është mirë të jenë të njëjtët çdo ditë. Gjithashtu sigurohuni që orari nuk
është afër orarit të gjumit se përndryshe mund të keni problem me gjumin. Thojini
vetes që vetëm gjatë këtij orari jeni të lejuar të mendoni për gjëra që ju
shkaktojnë ankth, ndërsa në pjesën tjetër të ditës nuk do i lejoni ankthit t’ju
zaptojë. Nëse gjatë ditës ju vjen në mendje një mendim që ju shkakton ankth,
mbajeni shënim dhe thojini vetes që do i riktheheni gjatë orarit të caktuar.
Gjatë këtij orari shpenzoni kohë duke menduar për mendimet që keni shkruar
gjatë ditës, por mos ju ktheni më gjatë ditës. Kjo teknikë ju lejon që të
shmangni përjetimin e ankthit në çdo moment dhe ju jep një ndjenjë të fortë
kontrolli mbi emocionet tuaja. Me kalimin e kohës do vini re që do filloni të
shkurtoni orarin e caktuar, derisa ta zhdukni atë fare nga dita juaj.

Mësoni si të qetësoheni dhe relaksoheni 
Ankthi nuk është vetëm psikologjik por shkaktohet dhe shoqërohet dhe me reagime
fiziologjike. Kur përjetoni ankth zemra ju rreh fort, frymëmarrja shpeshtohet,
muskujt tensionohen dhe duart ju djersiten. Ndërsa kur jeni të relaksuar ndodh
komplet e kundërta. Rrahjet e zemrës janë më të ngadalta, frymëmarrja është e
thellë dhe muskujt janë të ç’tensionuar. Nëse arrini të relaksoni trupin në
momentet që përjetoni ankth, atëherë dhe mendja do të çlirohet. 
Teknika të ndryshme mund të përdoren për të arritur këtë qëllim, dukë përfshirë
këtu relaksimin progresiv të muskujve, frymëmarrjen e thellë dhe jogën ose
meditimin. Relaksimi progresiv i muskujve përfshin tensioninim sistematik të
grupeve të muskujve në trup dhe më pas relaksimin e tyre; ndërsa frymëmarrja e
thellë është një teknikë relaksimi që konsiston në marrjen frymë nga diafragma. 
Për t’i përvetësuar sa më mirë këto teknika, është mirë të fillohet me 30
minuta ushtrime relaksimi çdo ditë. Me kalimin e kohës, këto teknika bëhen të
natyrshme dhe aftësia për t’u relaksuar gjatë përjetimit të ankthit rritet.

Kujdesuni për veten 
Një stil jetese i balancuar dhe i shëndetshëm gjithashtu ndihmon në menaxhimin
e ankthit dhe simptomave të tij. Është e rëndësishme që të ushqeheni në mënyrë
të shëndetshme, duke ngrënë vakte të shpeshta por të vogla në sasi gjatë ditës.
Nëse rrini pa ngrënë për një kohë të gjatë, bie niveli i sheqerit në gjak, gjë
që mund t’ju sjellë ankth dhe gjendje të irrituar. Dieta duhet të përfshijë
karbohidrate të ndryshme nga drithërat, frutat dhe perimet. Këto karbohidrate
jo vetëm stabilizojnë nivelin e sheqerit në gjak por dhe ngrenë nivelet e
serotoninës, një kimikati në tru që ka efekte qetësuese. Evitoni pijet me
kafeinë si dhe nikotinën pasi të dyja këto lëndë stimulojnë sistemin nervor dhe
rrisin efektet e ankthit. 
Ndërkohë përpiquni të kryeni të paktën 30 minuta aktivitet fizik 2 ose 3 ditë
në javë. Aktiviteti fizik ju ndihmon që largoni stresin, të merrni energji dhe
ndihmon në mirëqenien psikologjike pasi gjatë stërvitjes çlirohen endorfina,
kimikate si adrenalina që na bëjnë të ndihemi mirë. Mungesa e gjumit mund të
jetë gjithashtu një faktor që sjell ankth gjatë ditës, prandaj kujdesuni që të
plotësoni orët e gjumit që ju nevojiten. /Gazeta Telegraf/