Fruthi mbërrin në Shqipëri: Ç’duhet të dish

39
Sigal

Fruthi (një infeksion viral që përhapet me shpejtësi dhe mund të shkaktojë sëmundje të rënda, veçanërisht te foshnjat, fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna dhe njerëzit me imunitet të dobët) ka mbërritur në Shqipëri, ku sipas ISHP (Instituti i Shëndetit Publik ) ka konfirmuar se në vendin tonë ka disa raste pozitive me këtë virus.

ISHP bën thirrje që prindërit të vaksinojnë fëmijët sipas kalendarit të vaksinimit dhe udhëzimeve të mjekëve. Nëse ka të rritur që ende nuk janë vaksinuar, duhet të vaksinohen. Fruthi, në periudhën e dimrit, ka një ndikim më të madh dhe përhapet me lehtësi, pasi vërdallë ka edhe viroza gripi dhe viruese të tjera.

Simptomat e fruthit

Njolla të kuqe në lëkurë

Kollë

Temperaturë e lartë

Skuqje e syve

Dhimbje fyti

Njolla të bardha në gojë

Rrufë

Dhimbje muskujsh

Fruthi është një infeksion ngjitës që përhapet me shumë shpejtësi, nga kontakti me njerëzit që kanë fruth. Një person i infektuar me fruth mund të përhapë fruthin në ajër përmes kollës dhe tështimave. Ky virus mund të qëndrojë në një sipërfaqe të caktuar me orë të tëra, ndaj është shumë ngjitës.

Në rast se dyshon se je infektuar dhe ke simptomat e mësipërme, kontakto menjëherë mjekun dhe shmang takimet me njerëzit e tjerë.

Si parandalohet fruthi?

Mënyra e vetme e parandalimit është vaksinimi, ndaj është shumë e rëndësishme të vaksinoni fëmijët ndaj fruthit! Konsultohu me mjekun, për veten dhe të tjerët!

“Vaksinimi është mënyra e vetme për të mbrojtur fëmijët nga kjo sëmundje potencialisht e rrezikshme. Nevojiten përpjekje urgjente vaksinimi për të ndaluar transmetimin dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme”, u shpreh Dr. Hans Kluge, drejtor rajonal i OBSH-së për Europën.

Ndërlikimet që sjell fruthi

Fruthi prek zakonisht fëmijët e pavaksinuar, njerëzit me imunitet të dobët dhe gratë shtatzëna. Fëmijët më të vegjël se 5 vjeç dhe të rriturit mbi 20 vjeç mund të vuajnë më shumë nga simptomat e fruthit. Një ndër simptomat është infeksioni i veshit. Në disa raste, të cilat nuk janë shumë të zakonshme, 1 në 10 fëmijë mund të përballen me humbje të përhershme të dëgjimit.

Ndërlikime të tjera të fruthit janë: pneumonia (infeksion i mushkërisë), meningjit, verbime, shurdhim dhe encefaliti (infeksioni i trurit).

Fruthi te gratë shtatzëna shkakton lindje të parakohshme, bebe me peshë të vogël në lindje apo defekte të lindura të fetusit.

Ky virus është përhapur në Europë, duke sjellë një rritje alarmante shifrash. Sipas OBSH, disa raste janë regjistruar në shtete të ndryshme. Dr. Kluge tha se në rajon dhe jo vetëm, numrat e rasteve janë rritur ndjeshëm dhe ka rreth 21,000 shtrime në spitale dhe 5 vdekje që lidhen me fruthin.

“Dy në pesë raste, janë fëmijë të moshave 1-4 vjeç. Një nga pesë njerëz, janë të rritur nga 20 vjeç e lartë. Trendi pritet të përkeqësohet nëse njerëzit nuk i vaksinojnë fëmijët kundër kësaj sëmundjeje”, u shpreh OBSH.