Dashamir Gjergji: Lythat e tiroides, prekja e popullatës dhe rreziku që sa vjen e shtohet

5242
Mjeku endokrinolog-diabetolog Dashamir Gjergji, në një intervistë për gazetën “Telegraf” sqaron lythat e tiroides , shkaqet, prekjen dhe rrezikun që sa vjen e shtohet për popullatën. Sipas mjekut Gjergji, prezenca e nodujve në vendin tonë është jashtëzakonisht e shprehur, ku nëse do bëhej një depistim ekografik i të gjithë popullsisë e sigurt është se shifra nga 10-15 % që ne dimë deri tani me përhapje të nodujve të tiroides do të shkonte në 40 deri 60 % të popullatës

Çfarë janë nodujt e tiroides (lythat)? 
Nodujt e tiroides ose lythat siç e shprehni dhe ju janë sëmundje shumë të përhapura të gjendrës tiroide, në mbare botën por edhe në vendin tonë. Lythat mund të paraqiten të vetme pra me një nodul por mundet që në një tiroide të gjejmë prezence më të shpeshte të këtyre nodujve.
Sa të përhapura janë në vendin tonë? Prezenca e nodujve në vendin tonë është jashtëzakonisht e shprehur. Nëse do bënim një depistim ekografik të gjithë popullsisë e sigurt është se shifra nga 10-15 % që ne dimë deri tani me përhapje të nodujve të tiroides do të shkonte në 40 deri 60 % të popullatës. Prevalenca ka qenë shumë herë më e shprehur por në sajë të përdorimit të kripës së jodizuar dhe ushqimeve me jod, kjo ka ardhur në reduktim. Zonat më të prekura janë, krahina malore e jugut, veriut, alpet, etj. Zonat bregdetare paraqesin raste shumë më të rralla nga kjo sëmundje dhe kjo i dedikohet nivelit të lartë të jodit në këto zona.
Nga se shkaktohen? 
Në më të shumtën e rasteve këto kokrra ose formacione tumorale të tiroides shkaktohen nga deficit i jodit ose mosmarrja e mjaftueshme e jodit nëpërmjet ushqimeve, barnave, suplementeve etj. Njihet gjerësisht fakti se tiroidja përdor jod për të prodhuar hormone e saj dhe në zonat kodrinore e malore ku sasia e jodit është e pakët ka ndikim të drejtpërdrejt në mos funksionimin e mirë të gjëndrës tiroide. Ekspozimi i zgjatur i gjëndrës tiroide ndaj mungesës së jodit nga jashtë e detyron këtë gjëndër të zmadhojë disa herë përmasat, në mënyre që të kompensoje dhe të mbajë në normë prodhimin e hormoneve të saj. Ecuria deri në këtë stad problematik, ne e konsiderojmë si zmadhim fiziologjik të tiroides që njihet ndryshe si strume ose gusha e tiroides. Meqenëse deficit i jodit nuk korrigjohet me ushqime të pasura me jod ose me suplemente (shtesa ushqimore) atëherë nga strume e thjeshte e tiroides gjendja rëndohet ku fillojnë e shfaqen kokrrat e lythar e saj.

Sa forma nodujsh mund të paraqiten? 
Forma e nodujve në fakt nuk përcaktohet me sy por kërkojnë një vlerësim të thellë ekografie dhe me rralle shintigrafi te tiroides. Për nga forma ekografike këto lytha mund të jenë me përmbajtje ujore (kist), me përmbajtje të pastër mishtore (nodul solid) dhe me përmbajtje mishi dhe uji (mix). Të vlerësuara lidhur me formën gjithashtu mund ti konsiderojmë lytha të rregullt në kufi dhe të parregullt, këto të fundit janë më të rrezikshme në ecurinë e tyre. Duke i ndarë sipas funksionit që ne marrim nga shintigrafia e tiroides ato i konsiderojmë noduj të ftohte, noduj të ngrohtë dhe noduj të nxehtë.

A e dëmton punën e tiroides prezenca e këtyre nodujve? 
Sigurisht që po herët a vonë një noduj apo disa të tillë të mbivendosur në terren të një tiroideje të sëmure, fillojnë e marrin aktivitet të pavarur metabolik të tyre Mundësia më e madhe është që këto noduj të kalojnë në mbiprodhim apo mbifunksion të gjëndrës tiroide por nuk përjashtohet mundësia që prezenca e këtyre nodujve të mbetet gjithë kohen inaktive dhe të sjelle më vonë një ulje të funksionit të gjëndrës tiroide. E mundshme është gjithashtu se tiroidja me prezencën e nodulit të qëndrojë gjatë pa e prishur funksionin e saj dhe kjo ka shumë rendësi që gjatë procesit të vlerësimit të këtij noduli të bëhet matja e hormoneve të gjëndrës tiroide. Dëmtimet që sjellin çrregullime të funksionit si në tepricë dhe në pakicë të gjëndrës tiroide duhet korrigjuar shpejt sepse paraqesin rrezik të madh në prishjen e balancave dhe shumë organeve të trupit tonë, siç është zemra, truri etj.

A paraqesin rrezikshmëri për jetën nodujt? 
Prezenca e nodujve në tiroide do të thotë jo vetëm mos funksionim por do të thotë një problematike shqetësuese për tiroiden dhe organizmin, rreziku që vjen nga nodujt paraqitet në tre drejtime, rreziku i parë është ajo që diskutuam më lart rreziku që këto noduj mbartin pasi dëmtojnë punën, funksionin e gjëndrës tiroide. Si hipertireoza ashtu dhe hypotireoza janë sëmundje kronike me pasoja të renda për organizmin. Rreziku i dytë që vjen nga këto noduj është malinjizimi i tyre ose degjenerimi nga noduj të mirë në struktura kancerogjene. Rreziku i trete paraqitet në formën mekanike të tyre që nënkupton se sa më shumë të zmadhohet volumi i nodulit dhe gjëndrës tiroide më shumë rrezik paraqitet për të shtypur strukturat rreth qafës që mund te jene ene gjaku, rrugë ajrore etj.

Si diagnostikohen këto noduj? 
Nodujt e tiroides përgjithësisht mund të dallohen me sy te lirë, por ka dhe raste të tjera kur madhësia e tyre nuk është aq e madhe, ndaj është e nevojshme që të kryhen ekzaminime klinike p.sh. prekja ose palpimi i gjendrës tiroide dhe akoma më e pasur në informacion është ekografia e gjëndrës tiroide, e cila na jep një gjykim me të qartë rreth prezencës, premisave, pozicionimit të këtyre nodujve. Çdo i sëmurë me sëmundje nodulare të gjendrës tiroide duhet t’i nënshtrohet dhe ekzaminimeve të tjera siç janë matja e niveleve hormonale të gjëndrës tiroide, skanimi me lëndë radioaktive i gjëndrës tiroide etj.

Kur duhet dyshuar që këto noduj kanë rrezik për të qenë kancerogjene? 
Është tepër e vështirë që të bëjmë analiza dhe statistika se cili tip noduli ka formë apo paraqet rrezikshmëri të lartë për malinjitet. Kohë më parë kanë ekzistuar teori të vjetra që nodujt që paraqiten të vetëm mbartin rrezik më të madh për t’u kthyer në struktura kanceroze por studimet e fundit kanë treguar se rreziku i malinjizimit është thuajse njëlloj si në të sëmurët me një nodul ashtu dhe ato me shumë noduj. Duhet sqaruar se ndryshimet në madhësi të nodujve mund të parashikojnë malinjizim, kështu studimet tregojnë që ka një prekje më të shtuar të tumoreve malinje të nodujtë e mëdhenj në raport me ato më të vegjël. Pavarësisht madhësisë, diferencimi i saktë realizohet nga një ekzaminim tjetër tipik dhe i rëndësishëm për të ndarë nëse një “nodul është i mire apo i keq“ dhe ky ekzaminim është citopunksioni ose shpimi i këtij noduli, marrja e materialit prej këtij moduli, mbjellja dhe leximi në mikroskop i tij. Sot vlerësimi bëhet në mikroskop. Pra pamja histopatologjike diferencon natyrën dhe ecurinë e mëtejshme të trajtimit të nodulit, për rrjedhoje pa u kryer ky lloj ekzaminimi ne nuk mund të prezumojme nëse noduli është i mirë apo i keq.

Si mjekohen nodujt e tiroides? 
Trajtimi mjekësor i nodujve është i vështirë dhe proces i gjatë. Specialisti që do merret me vlerësmin dhe trajtimin e tyre duhet që gjatë gjithë kohës te ketë në vëmendje ndryshimet klinike të të sëmurit, të kontrollojë herë pas here nivelin hormonal të tiroides. Të përcaktojë në dinamikë evolucionin e këtyre nodujve, nëse noduli p.sh do të paraqitet me rritje të shpejtë të palëvizshëm me kufij jo të rregullt, me çrregullime të zërit, dobësi trupore, rënie në peshe etj., atëherë duhet që vëmendja të jetë me e fokusuar në mundësinë e konvertimit në një proces malinj të tiroides. Nuk ekzistojnë barna fikse që tresin këtë modul, por dhënia e barnave në formë jodi apo në formë të gatshme të hormoneve të tiroides kanë sjellë përfitim jo shumë të ndjeshëm në mjekimin e këtyre proceseve tumorale. Kirurgjia mbetet një nga format më radikale, por dhe më e pranueshme në mjekimin e tyre, sidomos nëse dyshohet për degjenerim malinje të nodujve. Në vendet evropiane nodujt mjekohen edhe me lazer me radiofrekuencë, ndonjëherë edhe me përdorimin e alkoolit në brendësi të modulit. Kur nodujt janë me natyrë të mirë, por kanë marrë mbi funksion ofrohet si mundësi zgjidhje edhe mjekimin me substanca radioaktive siç është jodi 131 .

A mund të parandalohen? 
Po, mund të parandalohen tërësisht nëse ndërhyhet në kohë. Mënyra më e mirë për të parandaluar dhe frenuar këtë fenomen është jodizimi i popullatës sidomos në zonat malore, kodrinore ku ky fenomen është me i përhapur, si shkak i deficitit të jodit. Në përgjithësi dhënia e jodit në doza të këshilluara sipas mendimit dhe këshillave profesionale i bën mirë të gjithë njerëzve,në veçanti fëmijëve,grave shtatzëna,moshës se tretë etj. Intervistoi: Dori HOXHA
Sigal