A do ketë një valë të dytë të Koronavirusit?

556
Sigal

Nga Peter Beaumond, The Guardian

Ndërsa shumë vende po planifikojnë lehtësimin e kufizimeve të vendosura për shkak të koronavirusit, kryeministri britanik Boris Johnson dhe kancelarja gjermane Angela Merkel janë të shqetësuar për mundësinë e një vale të dytë. Ja çfarë dimë deri më tani për mundësinë e rikthimit të Covid-19.

A do të ketë një valë të dytë?

Epidemitë e sëmundjeve infektive veprojnë në mënyra të ndryshme, por pandemia e gripit në vitin 1918, që vrau më shumë se 50 milionë njerëz, shihet si një shembull kryesor i pandemisë që vjen me disa valë- me valën e dytë më të rëndë se të parën. Kjo është përsëritur- megjithëse në mënyrë më të butë- në pandemitë pasuese të gripit.

Pandemitë e tjera të gripit- përfshirë ato në vitin 1957 dhe 1968- kanë pasur disa valë. Pandemia e gripit H1N1 në vitin 2009, nisi në prill dhe u pasua nga një valë e dytë në vjeshtë.

Si dhe pse ndodhin valët e shumta, dhe si mund të parandalohen valët e mëvonshme të infeksionit, ky është një element i studimeve epidemiologjike, që shqyrtojnë gjithçka, duke nisur që nga sjellja sociale dhe politikat shëndetësore deri te vaksinimi dhe ndërtimi i imunitetit të bashkësisë ose i njohur si imuniteti i tufës.

Teksa një valë e dytë dhe majat sekondare brenda një periudhe pandemie janë teknikisht të ndryshme, shqetësimi është në thelb i njëjtë: sëmundja që kthehet në fuqi.

A ka prova të rikthimit të koronavirusit në ndonjë vend?

Kjo po monitorohet me shumë kujdes. Pa një vaksinë dhe pa imunitet të përhapur ndaj sëmundjes së re, kanë nisur të bien kambanat e alarmit nga përvoja e Singaporit, që ka parë një rikthim të papritur të infeksioneve, pavarësisht se u lavdërua për trajtimin e hershëm të epidemisë.
Megjithëse Singapori krijoi një sistem të fortë për gjurmimin e kontakteve në popullsi, sëmundja u rishfaq në konviktet e tejmbushura, që u përdorën për akomodimin e mijëra punëtorëve të huaj, me pajisje higjienike të papërshtatshme dhe mensa të përbashkëta.
Me 1426 raste të reja të raportuara të hënën dhe nëntë konvikte- më i madhi prej tyre mban 24 mijë njerëz- të shpallura si njësi izolimi, përvoja e Singaporit, edhe pse shumë specifike, demonstron aftësinë e sëmundjes që të kthehet fuqishëm në vendet ku njerëzit janë afër, dhe aftësinë e saj për të shfrytëzuar çdo dobësi në regjimet e shëndetit publik.

Një rritje e vogël e numrit të infeksioneve në Gjermani, një tjetër vend që vlerësohet për kontrollin e mirë të epidemisë përmes gjurmimit dhe testimeve masive- ka tërhequr vëmendje, edhe pse vendi ka vendosur të lehtësojë kufizimet.

Dhe pavarësisht suksesit të Kinës në vendosjen e epidemisë nën kontroll në Hubei, ka pasur një rritje të rasteve në veri të vendit. Një numër me raste në qytetin Harbin pranë kufirit me Rusinë ka detyruar autoritetet që të vendosin një tjetër izolim, pasi ishin raportuar thuajse zero raste me transmetim lokal gjatë javëve të fundit.

E gjitha kjo ngre pikëpyetje se kur dhe si të reduktojmë kufizimet për të shmangur një valë të dytë.

Për çfarë shqetësohen ekspertët?

Dija konvencionale mes shkencëtarëve sugjeron se vala e dytë e infeksioneve rezistente ndodh pasi lodhet kapaciteti për trajtim dhe izolim. Në këtë rast, shqetësimi është se konsensusi shoqëror dhe politik që mbështet izolimin do të tejkalohet nga zhgënjimi publik- që ka shkaktuar protesta në SHBA dhe gjetkë – dhe nevoja urgjente për të rihapur ekonomitë.

Kërcënimi bie ndjeshëm kur ndjeshmëria e popullatës ndaj sëmundjes bie nën një prag të caktuar ose kur disponohet vaksinimi i përhapur.
Në terma të përgjithshëm, raporti mes individëve të ndjeshëm dhe atyre imunë në një popullatë në fund të një vale përcakton edhe madhësinë e mundshme të një vale të mëvonshme. Shqetësimi tani është se me një vaksinë disa muaj larg dhe me një shkallë reale të infeksionit vetëm të hamendësuar, popullsitë në mbarë botën mbeten akoma të ndjeshme ndaj rikthimit të virusit dhe valëve pasuese.

Siç e theksoi në mënyrë befasuese profesori i epidemiologjisë në Universitetin ‘John Hopkins’ në fund të marsit: “Epidemitë janë si zjarret. Kur karburanti është i bollshëm, ata tërbohen në mënyrë të pakontrollueshme. Kur është i pakët, shkrumbojnë ngadalë”.

“Epidemiologët e quajnë këtë intensitet ‘forca e infeksionit’ dhe lënda djegëse që e drejton atë është ndjeshmëria e popullatës ndaj patogjenit. Ndërsa valët e përsëritura të epidemisë zvogëlojnë ndjeshmërinë (përmes imunitetit të plotë ose të pjesshëm), ato gjithashtu zvogëlojnë forcën e infeksionit, duke ulur rrezikun e sëmundjes edhe në mesin e atyre që nuk kanë imunitet”.

Problemi është ne nuk e dimë ende se sa karburant ka në dispozicion akoma virusi.