Saranda, oazi i kaltër ku yjet “treten” mbi Jon…

2729
Sigal

Nga Spasse THANASI

Reportazh

Çdo vizitor e turist gjen në Sarandë proverbin klasik të jetës: “ Diell – Det – Dashuri!”. Një postulat jetësor e artistik ky, që të shfaqet njëherësh në të gjitha pamjet e ambientet buzë detit… Saranda tashmë është“mbretëresha” e turizmit shqiptar dhe destinacioni më i zgjedhur i turistëve të huaj nga shumë vende, që vizitojnë këtë kënd jugor,shumë të bukur e të kaltër, bashkë me Ksamilin e Butrintin.

Shpirti i poetëve është gjithmonë brilant nën ritmin e valëve dhe mozaikun e ngjyrave :

Moj princeshë në brigje Joni
Në agimet dritëlara
Ja, këtu ka nisur Zoti
Bukuritë që ka Saranda.

Bota e madhe pa kufij
Me kështjella, gurë e male
Këtu dielli bën krushqinë
Me ullinj e portokalle.

Një qytet detar me arkeologji antike që të befason me fantazinë poetike në Limanin e Peshkatarëve, mbi Kalanë e Lëkurësit, në lagjet e vjetra me shkallare, në shëtitoren kryesore buzë detit. Në çdo detaj të tyre gjen një histori, një ngjarje, një dashuri të vjetër, një miqësi plot sinqeritet, një legjendë a gojëdhënë të të parëve në këto troje, ndaj dhe shkrimet e poezitë për Sarandën janë të shumta nga shumë gazetarë e shkrimtarë që e duan dhe e vizitojnë këtë qytet bregdetar. Mbresat kanë qenë të fuqishme nga Drita Lushi, Agron Mema, Fitim Çaushi, Mihal Gjergji, Agim Bajrami, Jorgos Hronos (grek),Pëllumb Gorica apo dhe Olivera Docevska (Maqedoni) etj. Shtëpia Botuese “Milosao” me botues Agim Mato ka botuar në italisht dhe shqip Antologjinë Poetike“Na bashkoi një det” (2017) me pjesëmarrjen e 12 poetëve italianë dhe 12 poetëve shqiptarë.

magjinë e kaltër të Jonit, natyra ka krijuar kufij të hapur deti me panorama të mrekullueshme nëpër ujërat e kristalta dhe plazhet e shumta… Monumenti arkeologjik me një dekor shumëngjyrësh në qendër të Sarandës të çon fantazinë në pasurinë e ngjyrave dhe vizatimeve të bazilikës shumëshekullore dhe të përball me “dashurinë sinagogë”.Janë zbuluar 11 Sinagoga në Evropë, por Sinagoga hebreje e Sarandës është më e bukura, më e realizuara dhe më e mirëmbajtura. Frymëzimi i këtij simboli domethënës ka nxitur shkrimtarin Fitim Çaushi të shkruajë librin e tij artistik me titull: “Dashuri në Sinagogë”. Ai jep të dhëna mbi këtë objekt arkeologjik unikal në Shqipëri dhe shpjegon përmbajtjen dhe motivet e Mozaikut si simboli pemës së jetës në traditën paleokristiane. Arkitektë dhe piktorë të guximshëm i kanë dhënë udhë mendimit për mrekullitë e panjohura në natyrë dhe sjellin ndjesinë e kuriozitetit për destinacionet e dëshirueshme në brigjet e Jonit me risi joshëse dhe të pashtershme në shpirt. Si kartolinë me detin, Saranda shndrit në diell me nuancat e harlisjes së thellë të ujërave të kaltra dhe freskinë e brigjeve. Në hapësirat e Sarandës bukuria është e pafund dhe në përsosmërinë e qytetit arrijnë kulmin arti i arkitekturës,natyra e së bukurës, romantika poetike e brigjeve me histori të largëta, shkëlqimi i historisë dhe formimit të emrit me shumë të fshehta…Akoma mbeten drithëruese emocionet e poetit Bilal Xhaferri kur shkruante për qytetin e vet, një gji i vogël me jetë të madhe në jug. Një ledhatim bujar i shpirtit të poetit për Sarandën e tij të vogël. Nën palmat e Parkut të qytetit ai merrte frymëzim e mbushej plot me ndjenja artistike. Vargjet e tij ishin si buqeta në ujërat e kaltra, të qelqta e të qeta në Jon…

Poetë të tjerë me vlagë të këtij qyteti i ngrenë “kult” Sarandës bukuroshe me det të paanë. Ata kanë krijuar“Unionin e poetëve jonian” ku bashkojnë të gjithë zërat njerëzor, të gjithë zemrat e krijuesve me fjalë të zjarrtë. Gazeta “Nacional” ka botuar krijimet e poezitë nga bregdeti jonian dhe ka veçuar herë pas here peizazhe turistike nga qyteti i Sarandës dhe Ksamilit. Portreti i tyre artistik është një dashuri e madhe e punës dhe e jetës.

Vetullbardha buzë deti
Ç’dorë, moj, të ka ujdisur?
Me gjithë yjet që ka qielli
Ballin-o ta kanë stolisur.

Dhe kur dhëmbët t’i nxjerr dimri
Dhe tufanet vijnë te dera
Ti vjen pranë si trëndafili
Çelur- në tre pranvera…

Janë vargje që poeti Fuat Memeli i shkruan nga Bostoni i Amerikës dhe i përsëritëm në ketë reportazh për shkëlqimin e tyre diellor në stinët e Sarandës.

Rreth 180 njerëz të huaj janë sot banorë të Sarandës bregdetare. Kanë filluar të vijnë këtu që nga viti 2000 dhe përbëjnë një “bërthamë” qytetarie shumë domethënëse për komunitetin e Jugut. Njeri është Marjan Trajkovski nga Kumanova e Maqedonisë, që është biznesmen dhe krijues. Ai administron dy Bar – Restorante buzë detit, por më i pëlqyeri nga turistët e huaj është “LA PETITTE”, një ambient kreativ e mahnitës që të mbush shpirtin me bukuri e dashuri deti.

Me fjalën e magjishme hyjnore, me shpërthimet e bukurisë e të dashurisë, SARANDA quhet qyteti me 40 shenjtorë”. Këtu janë mbledhur si në një “kryqëzor” Perënditë me shpalosjen e fantazisë dhe bukurisë së shenjtë njerëzore. Deti Jon si një “oaz kaltërsie” këmben tërë krenari vështrimet e të dashuruarve. Butrinti i lashtë bashkohet me Kalanë e Lëkurësit në një dominim interesant në natyrë dhe mbi detin. Gjurmët e antikitetit të lashtë ruhen të gdhendura mbi shkëmbinjtë që shkumëzohen nga valët !…

Kudo udhët e bregut zgjaten pa kufi. E thotë bukur me vargje poeti Bledi Budo:

Zhurmë e ëmbël e një deti krenar

Që nga koha e ilirëve e deri sot

Më ngjason me heronjtë legjendarë

Që këtë tokë e kanë larë me lot !…

 

Këtu bashkohet toka me qiellin

Mali me fushën, burimet me lumenjtë

Lumenjtë me detet, detet me liqenet

Gjithçka një shenjtëri !…

Edhe pse heterogjene, Saranda ruan qytetërimin e hijshëm të banorëve të vetë. Kurbatët e Përmetit janë grupi i parë që formoi qytetin e vjetër. Pastaj erdhën nga Piluri, Labëria, Çamëria e minoriteti grek. U bë një komunitet poliglot, me shumë tradita e kultura që do ti shkonte përshtat thyerjes mëngjesore të detit. Mbahet mend se edhe Naim Frashëri, poeti i famshëm ka punuar si doganier në Sarandë. Edhe Mentor Xhemali, këngëtari patriot ka punuar si punëtor ngarkim – shkarkimi në Port.

Këtu rrjedha njerëzore kalon në zhurmën e dallgëve melankolike, e bukura e dheut qëndron e përjetshme në legjendën e të dashuruarve më të ndrojtur. Nuk ka asnjë qytet tjetër në botë si kjo copëz e Ballkanit, që formon gjiri i vogël i Sarandës në jug të Shqipërisë, përmes valëve, kaltërsisë dhe shpërthimit të bukurisë që shkëlqen si dielli !…

Duke bashkuar shpirtin me detin ku guaskat e lëmuara nga valët ngjajnë si shkronja në gurët që flasin, e mbyll këtë reportazh me vargjet e shpirtit që kaltërohet njësoj me kthjelltësinë detare:

Brigjet në gji

Qyteti përkëdhelet me valët

“Limani i peshkatarëve” si lot’ margaritar

I jep dashuri në çdo hapësirë…

 

Qyteti me “dashuri në sinagogë”

Më trazon ndjenjën me zjarr të shenjtë,

Në brigjet ku dielli puth detin,

Pemës së jetës i jep dritën e mozaikut!…