Zyra Anti-Korrupsion e Kryeministrisë, mësyn në kupolën e AKU-së, do hapen letrat për 9 “zullume”

658
“Telegraf” ka denoncuar emërimet nepotike e me diploma false në këtë institucion të zhytur në korrupsion, drejtësia të veprojë urgjent
Përparim HALILI
Pas denoncimeve të shumta të bëra publikisht dhe me fakte prej Gazetës “Telegraf”, Zyra Anti-Korrupsion e Kryeministrisë, ka “zbarkuar” në zyrat qendrore të AKU, institucion i cili prej 7 muajsh (ç)drejtohet nga Dritan Sejko, përfaqësues i partisë çame (PDIU), dhënë ky post, si “shpërblim” prej “Rilindjes” për 4-5 votat parlamentare, si shumë institucione e shërbime të tjera publike ”ku bëhen lekë për të mirën e partisë”, mision i cili vazhdon. Kujtojmë, që Zyra Anti-Korrupsion e Kryeministrisë, ka shkuar për hapje “letrash” në AKU edhe para 1 muaji, por është tërhequr pa dhënë asnjë shpjegim, duke e lënë “në qetësi” drejtorin çam dhe “çetën” që ai ka sjellë me vete kur është graduar dhe që e ka emëruar në postet ku kontrollohet e “menaxhohet lëmi”! Një fakt: katër muaj më parë, “Telegraf” i ka kërkuar drejtorit çam të AKU, informacion zyrtar lidhur me arsimimin e tij e të vartësve të tij, të punësuar deri edhe shefa sektorësh në AKU-në qendrore e në rrethe, por që drejtori Sejko me profesion bazë tornitor me shkollë të mesme profesionale pa shkëputje nga puna (natën), ka refuzuar ta japë këtë informacion që e detyron ligji, madje edhe na ka kërcënuar me gjyqe, nëse do ta vazhdonim të publikonim skandalet e tij e të vartësve të tij, të cilat në fakt kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë këtë objekt: “lejim, certifikim, mbrojtje e fshehje të krimit ushqimor me ryshfete dhe ushtrim të krimit ushqimor, si dhe ushtrim të krimit ushqimor me bizneset e tyre ilegale e të pasigurta.” Kjo histori vazhdon dhe “Telegraf” do vazhdojë ta denoncojë deri në thërrimen e fundit të miellit kancerogjen, deri në kokrrën e fundit të orizit plastik, deri në “thelën” e fundit të mishit kancerogjen e pa vlera ushqimore, deri në copën e fundit të kofshëve e mëlçive të pulave që importohen për sallameri e shiten në treg, deri në copën e fundit të çokollatës “vrasëse” e për gjithçka, biznese të cilat në masën 40% janë të “batakçinjve” dhe “çingijeve” që (ç)drejtojnë zyrat dhe sektorët e AKU, me në krye drejtorin me diplomë (h)universitare private Maqedonie dhe jo vetëm drejtori çam! Prej disa ditësh, ekipi Antik-Korrupsion i kryeministrisë, ka marrë në dorë dosjet e veprimtarisë së AKU, duke kontrolluar në disa drejtime ku ka informacione të shumta e konkrete se janë bërë abuzime me përmbajtje krimi administrativ, me pasojë krimin ushqimor masiv e të paramenduar mbi popullatën, të konvertuar me ryshfete prej shefave të AKU! Shpresojmë, që këto “letra” që do hapen, të mos përdoren si mjet presioni politik, por të publikohen e të çohen përpara drejtësisë, mbasi prej shumë vitesh, AKU është kthyer në një “çerdhe krimi administrativ” që ka instaluar krimin ushqimor dhe në një “bankë” financiare private që prodhon miliona përfitime për “bandën” që ka drejtuar dhe drejton AKU, jo për aftësi profesionale e korrektësi në punë dhe detyrë, por si të emëruar prej partiçkave politike edhe me diploma false, edhe jashtë profesionit që kërkon vendi i punës, edhe me nepotizëm e klientelizëm apo me preferenca përzgjedhëse personale, madje edhe njerëz me “CV” penale brenda dhe jashtë Shqipërisë/ Pikërisht këto zullume duhen pastruar, mbasi horrat, hajdutët dhe pazarxhinjtë e qelbur të AKU nga qendra në periferi u kanë kallur tmerrin bizneseve ushqimore që nga qoftexhiu i zgarës së rrugës e deri tek stabilimentet gjigante të qumështit, të fermave blegtorale, të fidanëve, farërave e pesticideve, të kafeneve e prodhuesve dhe tregtarëve të ndershëm, duke u vendosur gjoba pa asnjë shkak, shumicën e të cilave komisioni që drejtohet nga tornitori Sejko, ka nisur t’i “”axhustojë” (të bëjë pazare) në bashkëveprim me ca “profesorë” me 8-vjeçare që ka gjetur e ka emëruar shefa sektorësh, të ardhur të “damkosur” nga doganat dhe sektorë të tjerë! 
Ja drejtimet që ka piketuar të kontrollojë ekipi kryeministror i Zyrës Anti-Korrupsion në AKU
1. Dosja e arsimimit të drejtorit, të shefave të sektorëve dhe nëpunësve të administratës, verifikimi i diplomave që në nivelin shkollor 8-vjeçar;
2. Dosja e praktikës së emërimeve në AKU dhe në postet drejtuese;
3. Dosja e shpenzimeve të institucionit, dieta, karburante, shpërblime, dreka pune, ushtime jashtë shtetit, pagesa suplementare, shpenzime automjetesh etj;
4. Dosjen e largimit jashtë shtetit të punonjësve të AKU, me afat mbi 1-6 muaj pa të drejtë page, por me të drejtë ruajtje të vendit të punës dhe detyrës që ka pasur;
5. Dosja e gjobave të vendosura ndaj biznesit prodhues-treg-import dhe veprimtari e komisionit të vlerësimit të animimeve për gjobat;
6. Dosjen e denoncimeve nga tregtarët, prodhuesit dhe konsumatorët; 
7. Dosjen e kontrolleve të ushtruara në bizneseve ushqimore të mëdha;
8. Dosja e pagesave të ekspertëve të jashtëm, praktika e rekrutimit të tyre;
9. Regjistri i certifikimit të importeve në PIK (kufi).
Ja çfarë ka kërkuar gazeta: “Telegraf”, prej drejtuesit të AKU, zotit Dritan Sejko
1. Publikimi i dosjeve të shkollimit të shefave të AKU dhe “CV” me të cilat ata janë emëruar e punësuar në këtë institucion e shërbim! 
2. Publikimi i lidhjeve nepotike e familjare bashkëshortë, vëllezër, motra, nipër, mbesa, krushq e ortakë biznesesh ushqimore, restorantesh, pesticidesh, baze ushqimore bagëtish, fermash, serash e deri biznese sifonesh e çimentosh mes drejtuesve, vartësve, shefave, kontrollorëve, laborantëve e deri të punonjësve të AKU në qendër dhe në qarqe! 
3. Publikimi i bizneseve ushqimore të shefave dhe punonjësve të AKU. 
4. Publikimi i dosjes së gjobave të vendosura ndaj subjekteve. 
5. Dosjen e kontrollove të bëra në bizneset ushqimore të shefave të AKU, plotësohen akt-kontrolle fiktive nga vartësit dhe shefat e tyre! 
6. Publikimi i fakteve, nëse nëse është gjobitur, apo jo ndonjë biznes i shefave dhe punonjësve të AKU. 
7. Dosjen e akt-kontrolleve të produkteve ushqimore që futen në PIK (kufi)
8. Dosjen e procesverbaleve të zhdukur të akt-kontrolleve nëpër subjekte ushqimore “VIP”. 
Sigal