Zvicër, Meta me Sekretarin e Shtetit ‘Forcim të bashkëpunimit dypalësh’

386
BERNE – Gjatë qëndrimit të tij në Bernë Kryetari i Kuvendit Ilir Meta u prit në Ministrinë Federale të Punëve të Jashtme të Zvicrës nga Sekretari i Shtetit Yves Rossier me të cilin vlerësuan lidhjet e forta njerëzore mes dy popujve dhe biseduan mbi forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe Zvicrës.
Kryetari i Kuvendit Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Zvicrës e cila vazhdon të ofrohet përmes strategjisë 2014-2017 të Bashkepunimit Zviceran në fusha të ndryshme, duke theksuar se ekspertiza dhe asistenca zvicerane në zhvillimin socio-ekonomik të Shqiperisë është një kontribut i vyer për të gjithë shqiptarët.
Po ashtu Meta vlerësoi bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Zvicrës në planin shumëpalësh dhe ndërkombëtar duke nënvizuar se roli i Zvicrës në gjirin e OSBE-se është një kontribut i vyer për të gjithë rajonin, veçanërisht në këto momente historike që po kalon hapësira evropiane.
Nga ana e tij Sekretari i Shtetit Yves Rossier u shpreh se Zvicra i kushton rëndësi të veçantë zhvillimeve të gjithanshme demokratike dhe ekonomike në Shqipëri dhe në rajonin e Evropës Juglindore dhe në këtë drejtim Bashkëpunimi Zviceran do të vazhdojë të ofrojë mbështetje dhe asistencë.
Duke biseduar mbi zhvillimet në rajon, Sekretari i Shtetit shprehu vlerësimin për peshën e Shqipërisë dhe rolin konstruktiv që vendi ynë luan në rajon përmes konsolidimit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë. Në këtë drejtim Kryetari i Kuvendit Meta vuri në dukje se Shqipëria është krenare për politikën e saj konstante të fqinjësisë së mirë më të gjithë vendet e rajonit dhe shprehu mirënjohjen veçanërisht për mbështetjen e Zvicrës në zhvillimin social e demokratik të Kosovës, si një kontribut për paqen dhe stabilitetin rajonal.
Në përfundim Meta dhe Rossier ndanë bindjen se duke marrë në konsideratë zhvillimet e fundit ndërkombëtare, Shqipëria dhe Zvicra duhet t’a konsolidojnë bashkëpunimin e tyre në kuadër të luftës kundër terrorizmit, fenomen që kërcënon vlerat demokratike të kontinentit evropian.
Sigal