Zv. Ministrja e Arsimit replikon me ish-zv.ministren Rovena Voda: Të rinjtë që do punësohen në shtet, s’kanë nevojë për arka me peshk

76
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Zëvendësministrja e Arsimit, Bora Muzhaqi prezantoi programin për punësimin e të rinjve jashtë dhe brenda vendit, sipas meritës. Ajo ironizoi zv.ministren e PS, e cila aktualisht ndodhet në arrest shtëpie. Por numri 2 i ministrisë së Arsimit nuk pati asnjë përgjigje për datën se kur do të nisë shkolla apo mënyrën se si do të zhvillohet mësimi.

“Platforma ‘Gati për Shqipërinë’, është një format aplikimi ku ndryshe nga herët e tjera nuk hyn në lojë, as partia, as miqtë, as kushërinjtë, as shokët, madje madje as larg qoftë arka e peshkut. Ne jemi mbledhur aty bashkë dhe jemi përpjekur shumë fort që t’i mbledhim këta të rinjtë dhe të ndajmë eksperiencën e tyre…”, tha në një konferencë për shtyp koordinatorja e kësaj platforme, njëherazi zv-ministre e Arsimit, Bora Muzhaqi, duke thumbuar drejtpërdrejtë ish zv-ministren e Brendshme Rovena Voda, e cila është në “arrest shtëpie”, e akuzuar për korrupsion, pasi kishte premtuar një vend pune, në këmbim të parave dhe një arkë peshk.

Muzhaqi bëhet kështu e para zyrtare e qeverisë “Rama” që komenton për ish-zv.ministren e Brendshme, e cila akuzohet për ryshfet dhe ushtrim të ndikimit të paligjshëm. Sipas përgjimeve të SPAK, Rovena Voda mori para për të punësuar në administratë dy zonja. Po nga përgjimet kishte dalë se ajo kishte përfituar dhe një arkë me peshk nga pala e interesuar për t’u punësuar në shtet. Nuk dihet me siguri nëse ky koment i Bora Muzhaqit  ishte i qëllimshëm nga zelli për t’i rënë në sy më tepër Edi Ramës, apo një zgjidhje gjuhe e nxituar, për shkak të naivitetit të moshës. Por as nuk përjashtohet mundësia që të ketë marrë dakordësi më parë për t’u tallur me ish zv.ministren Rovana Voda, të cilën “Rilindja” ia hodhi publikut për ta shqyer, ashtu siç bëjnë sorrat më kërmat dhe për ta diskredituar në emër të gjoja luftës kundër korrupsionit.