Zv.ministri i ri i Brendshëm, ndërkohë që krimi vret edhe personat që ishin nën survejim, Lleshi nxjerr qarkore për djegien e plehrave

485
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Zv.ministri i Brendshëm Lleshi e nis luftën kundër plehrave, krimi sundon me vrasje, edhe pse policia i kishte nën survejim

Siguria publike kërcënohet, qytetarët tremben edhe në shtëpitë e tyre, bizneset shantazhohen nga kriminelët…

Dje, Alban Uka, 27 vjeç në bashkëpunim me vëllain e tij (shtetasin A.U, i cili është në kërkim), në fshatin Baz Mat, janë futur në mes të ditës të maskuar dhe të armatosur në lokalin e shtetasit E. Ç, 25 vjeç, dhe gjatë një konflikti për motive të dobëta, kanë qëlluar me armë zjarri automatik në ajër disa herë dhe më pas kanë goditur me qytën e pistoletës duke i shkaktuar dëmtime shtetasit E. Ç.

Vrasja mafioze në Durrës, në ditën e emërimit të zv.ministrit të Brendshëm

Pardje, në Durrës, disa orë pasi u emërua Gjeneral Sandër Lleshi zv.ministër i Brendshëm, me detyrë ministri, njerëz të botës të krimit, që lëvizin lirisht në rrugët tona me makina të vjedhura, i bënë atentat me kallashnikov, në Durrës Edison Harizaj, i cili udhëtonte me Genci Caca. Ata po udhëtonin nga Tirana në drejtim të Vlorës, me një makinë luksoze, të cilët u vranë nga ky atentat mafioz. Kriminelët lëvizin lirshëm me makina dhe të armatosur deri në dhëmbë, bëjnë atentate në mes të ditës, në mes të rrugës kombëtare dhe pas atentatit, sipas njoftimit zyrtar të policisë, kriminelët largohen në drejtim të paditur, ndërkohë që Policia e Shtetit, inventarizon gëzhojat që gjen në vendin e krimit. Përditë ndodhin djegiet e makinave, madje edhe në parkimet në shtëpi, duke rrezikuar jetën e banorëve. Ato ndodhin qoftë për larje hesapesh, por edhe për shantazh për shkak të detyrës. Këto tregojnë se siguria publike është e kërcënuar nga krimi, qytetarët tremben tani nga krimi edhe brenda shtëpisë së tyre. Kriminelët qarkullojnë me makina të vjedhura, të armatosur, sepse e dinë që Policia e Shtetit mungon, ose është e paaftë, ndërkohë, që shërbimet e saj informative nuk janë të zonja të monitorojnë personat me rrezikshmëri të lartë. Pas atentatit, zbardhen edhe ngjarjet. Personat që u vranë kanë qënë me precedent kriminale, nga burimet e sigurta pranë prokurorisë përkatëse thuhet se personat e vrarë monitoroheshin nga Policia e Shtetit po nuk arrestoheshin, sepse mungonin …provat. Pyetja është: Si ka mundësi që Policia e Shtetit nuk përgjon dot njerëzit e krimit, nuk gjen dot provat, ndërkohë që kundërshtarët e tyre, i monitorojnë kaq mirë, sa edhe u bëjnë atentate mafioze në mes të rrugës kryesore të Shqipërisë?

Zv.ministri i Brendshëm Lleshi ka prioritet… djegien e plehrave

Gjeneral Lleshi, u emërua në detyrën e ministrit (të komanduar) të Brendshëm, pikërisht për të luftuar me rreptësi e rigorozitet krimin. Mirëpo, ndërsa edhe në ditën e marrjes së detyrës, ndodh një nga atentatet më mafioze, me 2 të vrarë, ndodhin kërcënime me armë të biznesmenëve, edhe pse digjen makina të parkuara, për shkak të larjeve të hesapeve, apo hakmarrjes për shkak të detyrës, zv.ministri i Brendshëm me kompetenca ministri i dërgon letër zyrtare drejtorit të Përgjithshëm të Policisë , duke i kërkuar, që Policia të ketë prioritet luftën kundër djegies të plehrave që bëhet nëpër qytete, duke e shpërqëndruar detyrën e Policisë nga detyrimi ligjor: Lufta kundër krimit. Ndoshta si gjeneral zv.ministri i Brendshëm Lleshi duhet të ketë informacion që për ndotjen e mjedisit ka institucione të tjera shtetërore, sikurse Ministria dhe inspektorati i Mjedisit, ai i Shëndetit Publik, që kanë prioritet ruajtjen e mjedisit nga ndotja e djegies së plehrave.

Letra zyrtare e zv.ministrit Lleshi për prioritetin e Policisë kundër djegies së plehrave

I nderuar Z. Drejtor,

Siç jeni në dijeni, ditët e fundit është shtuar problematika lidhur me djegien e mbeturinave në vende të hapura pranë qendrave të banuara, si dhe në landfille, duke u kthyer kështu në një rrezik serioz për shëndetin e banorëve pranë tyre. Informacionet e fundit tregojnë se Qarqet më problematike janë ato të Durrësit, Vlorës, Kukësit, Tiranës dhe Dibrës. Nisur nga sa më sipër, kërkoj që strukturat vendore të Policisë së Shtetit të marrin masa urgjente për të mbajtur nën kontroll situatën në të gjithë territorin e vendit. Sa më sipër, kërkoj nga Policia e Shtetit raportime të veçanta ditore për këtë çështje.