Zjarret, apel i Presidentit Meta: Angazhim maksimal dhe solidaritet për përballimin e situatës së vështirë

473
Situata problematike me vatrat e shumta të zjarreve në të gjithë vendin është përcjellë me një mesazh edhe nga kreu i shtetit Z. Ilir Meta
Presidenti Ilir Meta ka bërë një apel për angazhim maksimal dhe solidaritet institucional e njerëzor në përballimin e situatës së vështirë në zonat e prekura nga zjarret
Presidenti i Republikës Ilir Meta zhvilloi një takim me Ministrin e Punëve të Brendshme, Dritan Demiraj gjatë të cilit Kreu i Shtetit i Shtetit diskutoi me shqetësim dhe vëmendje maksimale mbi situatën e rëndë në të cilën ndodhet vendi ynë për shkak të zjarreve në disa qarqe. Presidenti u interesua për masat e marra nga strukturat e shtetit, nga shërbimet e emergjencave dhe ato zjarrfikëse si dhe autoritetet vendore, të përfshira në përpjekjet për përballimin e kësaj gjendjeje të vështirë; u interesua dhe u njoh në detaje mbi gjendjen aktuale në qarqet e prekura nga përhapja masive e zjarreve, në veçanti për jetën e banorëve të zonave të rrezikuara, masat e marra për kontrollin dhe eliminimin e rrezikut si dhe problematika të tjera të lidhura me to. Presidenti Meta vlerësoi maksimalisht dhe inkurajoi punën e admirueshme dhe sakrificat vetëmohuese të forcave zjarrfikëse, të personelit të Forcave të Armatosura dhe të Ministrisë së Brendshme, njësive të emergjencës, si dhe drejtuesve të pushtetit vendor për të neutralizuar zjarret e për t’iu ndodhur pranë qytetarëve të prekur nga këto vatra zjarri. Kreu i Shtetit shqiptar përgëzon të gjithë ata të cilët, pavarësisht nga vështirësitë dhe rrethanat e jashtëzakonshme, kanë bërë gjithçka në mbrojtje të jetës së banorëve të rrezikuar dhe përballimit të situatës me sa më pak dëme materiale, apelon për rëndësinë e ruajtjes së mjedisit dhe të natyrës, duke u bërë thirrje të gjitha autoriteteve që të marrin masa drastike në përputhje me ligjin për parandalimin e zjarrvënieve të qëllimshme. Presidenti i Republikës u bën thirrje dhe nxit institucionalisht të gjithë autoritetet qendrore e vendore të vazhdojnë përpjekjet dhe komunikimin intensiv mes tyre, për koordinimin në kohë dhe me efektshmërinë e duhur të marrjes së masave të emergjencës, për t’u ardhur në ndihmë zonave dhe qytetarëve të prekur nga zjarret, duke vlerësuar njëkohësisht e shprehur mirënjohjen për ndihmesën, gatishmërinë dhe solidaritetin e vendeve fqinje dhe partnerëve ndërkombëtare.

Demiraj takohet me Metën në Presidencë
Situata dramatike me zjarret në vend ka bërë që ministri i Brendshëm Dritan Demiraj të nxitojë drejt Presidencës dhe t’ia paraqesë situatën me detaje, kreut të shtetit, Ilir Metës. 

Jo më larg se dje, ministri i Brendshëm inkurajoi të gjitha strukturat shtetërore në vend përfshirë edhe qytetarët, që të angazhoheshin për shuarjen e zjarreve të shkaktuara nga i nxehti për të shpëtuar jetët e njerëzve dhe pasurinë kombëtare. Por po ashtu, ai paralajmëroi zjarrvënësit e qëllimshëm se do të dënoheshin ashpër, pasi me aktet e tyre po cenonin edhe sigurinë e vendit. “I nxehti ka bërë që në vendin tonë për tashmë dy muaj të ketë shumë zjarre, – shkroi Demiraj dje në Fb. – Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, zjarrfikësit, Policia e Shtetit, Forcat e Armatosura, bashkitë, prefekturat, po punojnë natë e ditë për të vendosur situatën nën kontroll. Inkurajoj të gjitha këto struktura, që po luftojnë me zjarret në çdo cep të territorit për të shpëtuar njerëzit dhe pasurinë kombëtare. Por Demiraj shtoi edhe paralajmërimin: “Zjarrvënia e qëllimshme rrezikon sigurinë kombëtare dhe përgjegjësit do të kapen e dënohen ashpërsisht.”
Sigal