Zhvatja e pasurive kombëtare/ Parku Kombëtar i Butrintit bie në kthetrat e PPP-së. Trashëgimia kombëtare dhe alarmi i ekspertëve

489
Sigal

“Zëri i Amerikës”: Pak dihet për kompaninë private koncesionare  

Për herë të parë në menaxhimin e Butrintit një subjekt jo-publik

Qendra më e njohur arkeologjike në Shqipëri, qyteti antik i Butrintit, pritet të menaxhohet për dhjetë vitet e ardhshme nga një agjenci e re. Në ligjin e miratuar së fundmi, ajo njihet si “Fondacion”, por për të nuk ka shumë hollësi, me përjashtim të faktit, që do të jetë një partneritet mes Ministrisë së Kulturës dhe një partneri strategjik. Ndryshimi është pjesë e “Planit të Menaxhimit të Integruar për Parkun Kombëtar të Butrintit”, një dokument prej 300 faqesh, miratuar nga qeveria shqiptare dhe hartuar nga kompania angleze “Prince and Pearce”, kontraktuar dhe mbështetur financiarisht nga Fondacioni Shqiptaro Amerikan për Zhvillim (AADF). Kjo do të ishte hera e parë që në menaxhimin e qytetit antik të Butrintit do të përfshihej drejtëpërdrejt edhe një subjekt jo-publik. Në përgjigje të interesimit të Zërit të Amerikës, Ministria e Kulturës tha se “Fondacioni” i ri do të krijohet përmes një marrëveshjeje bashkëpunimi me një partner strategjik, për të cilin ajo nuk dha shumë hollësi, por shtoi se “organizimi dhe funksionimi i “Fondacionit” do t’i nënshtrohen legjislacionit për organizatat jofitimprurëse”. Fondacioni Shqiptaro Amerikan për Zhvillim, një organizatë që ka rreth 10 vjet e përfshirë në projekte për Butrintin, dhe së fundmi financuese e studimit, e pyetur nga “Zëri i Amerikës” nëse është e interesuar të jetë partneri strategjik, ndonëse nuk u përgjigj drejtpërdrejt, la të kuptohet se është e interesuar. “Duke konsideruar rëndësinë e Butrintit si një Sit i Trashëgimisë Botërore dhe faktin se administrimi indirekt i trashëgimisë kulturore është një risi në kontekstin shqiptar, nuk do të ishte e kujdesshme që qeveria të mos përfshinte një donator të besueshëm dhe të gatshëm në fillim të procesit të ri. Për këtë, AADF ka angazhuar deri tani mbi 7 milionë USD për projektin e Butrintit”, -shprehet AADF.

Alarmi tek studiuesit

Studiues dhe emra të njohur të trashëgimisë kulturore shqiptare kanë ngritur shqetësime për një formë të tillë menaxhimi të Butrintit përmes fondacioneve jo-shtetërore. Sipas studiuesit Agron Alibali, në menaxhimin e Butrintit, si pasuri e UNESCO-s, me formën e re Shqipëria është në shkelje të Konventës së Parisit, e cila përcakton rolin e padiskutueshëm parësor të shteteve anëtare, të njohura si “shtete palë”, në administrimin e pasurive kulturore dhe natyrore në territoret e tyre. Ndërsa sipas arkeologut të njohur Neritan Ceka, Plani i Menaxhimit nuk kishte në ekipin e tij asnjë arkeolog shqiptar. E pyetur nga “Zëri i Amerikës” për këto kritika, Ministria e Kulturës thotë se Plani i ri i Menaxhimit ka qenë objekt i një konsultimi të gjatë me Qendrën e Trashëgimisë Botërore (UNESCO) dhe trupat këshillimore ICOMOS dhe ICCROM. Plani, sipas Ministrisë së Kulturës, është hartuar në referencë të plotë me Ligjin për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë, Ligjin për Zonat e Mbrojtura dhe rekomandimet e Vendimeve të Komitetit të Trashëgimisë Botërore dhe organeve këshillimore të Qendrës së Trashëgimisë Botërore/UNESCO”. Një tjetër çështje e ngritur nga kritikët është mos-shfrytëzimi i nivelit të lartë të të ardhurave që realizon Butrinti aktualisht (në pritshmërinë e rreth 1 milionë dollarëve në vit) nga të cilat Parku nuk harxhon as 30% të tyre. Kritikët thonë se me këta tregues financiarë, Butrinti nuk ka nevojë për një partneritet me subjekte private. Ministria e Kulturës pohon se “edhe pse sistemi aktual i menaxhimit ka siguruar i sforcuar mbrojtjen e vlerave kulturore të Parkut, ai nuk është fleksibël, nuk ka arritur pritshmëritë e tij dhe nuk garanton në perspektivë mbrojtjen dhe ruajtjen e vlerave kulturore dhe natyrore”.

Plani i ri i menaxhimit i sapomiratuar ndan qytetin antik

Plani i Menaxhimit për Parkun Kombëtar të Butrintit, parashikon krijimin e një “Fondacioni” të ri, që do të menaxhojë vetëm qytetin antik të Butrintit, duke e ndarë atë nga sipërfaqja e përgjithshme aktuale e Parkut Kombëtar prej 9424 hektarësh. Qyteti Antik ka një sipërfaqe prej 614 hektarësh dhe njihet si zona A-3, që mbrohet nga UNESCO.